Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Spitali I Kryeqytetit po jetësohet

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, së bashku me ministrin e Administratës Publike, Mahir Yagcilar, kanë nënshkruar sot Memorandumin e mirëkuptimit për fillimin e ndërtimit të Spitalit të Prishtinës.

Memorandumi i mirëkuptimit “Projekti dhe Ndërtimi i Spitalit të Prishtinës”, që u nënshkrua nga të dy ministrat, përcakton obligimet institucionale për realizimin sa më të shpejtë dhe efikas të projektit.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, pas nënshkrimit të memorandumit tha se tani edhe zyrtarisht nis projekti i madh për ndërtimin e këtij spitali shumë të rëndësishëm për kryeqytetin.

“Sapo e bëmë hapin e parë drejt jetësimit të kërkesës së kahmotshme të qytetarëve të Prishtinës për Spitalin e kryeqytetit. Me nënshkrimin e marrëveshjes me Ministrin Yagcilar dhe me buxhet tanimë të ndarë po nisim projektimin dhe ndërtimin e Spitalit të kryeqytetit tonë. Prioriteti ynë për shëndetësinë më afër qytetarit po ec përpara”, tha Ismaili.

I kënaqur me këtë nënshkrim memorandumi u shpreh edhe Mahir Yagcilar.

“Është një projekt shumë i rëndësishëm për komunën dhe qytetarët. Do të realizohen shërbime shumë më efikase. Gjatë debateve buxhetore është dedikuar kodi dhe buxheti në kuadër të Ministrisë së Administrimit. Hapi i parë do të jetë hartimi i fizibilitetit. Do të vazhdojmë bashkëpunimin me ju në hapat më tutje. Sepse është një projekt sfidues”, është shprehur ai.

Ndërkohë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti ka treguar se me Ministrin e Shëndetësisë Uran Ismajli, janë dakorduar që Ministria e Shëndetësisë ta bëjë studimin e fizibilitetit se cilat janë ato shërbime të cilat do t’i ofrojë spitali i kryeqytetit.

Ky studim, siç tha Ahmeti, duhet të përfundojë gjatë këtij viti.

“Ditëve dhe javëve në vijim Ministria e Shëndetësisë dhe Komuna e Prishtinës do të mbajnë takime koordinuese për planifikim të menaxhimit për zbatimin sa më të mirë të Ligjit për Kryeqytetin dhe Ligjin për Shëndetësi.”, u shpreh Ahmeti.

Projekti sipas këtij memorandumi do të realizohet në katër faza:

1. Realizimi i Studimit të Nevojave dhe Vlerësimit të Kapaciteteve;

2. Themelimi i Spitalit të përgjithshëm të kryeqytetit, ashtu siç përcaktohet me Ligin për Kryeqytetin;

3. Hartimi i projektit detal për ndërtimin në bazë të Studimit;

4. Ndërtimi i objektit në bazë të projektit detal si dhe mbikëqyrja profesionale e fazës së ndërtimit.

Për studimin e fizibilitetit Ministria e Administratës Publike ka ndarë 500 mijë euro ku i njëjti pritet të përfundoj brenda disa muajve.

Ndërkohë, për vitet 2019-2021, brenda së cilës periudhë pritet të përfundoj ndërtimi i këtij spitali, për realizimin e tij të ndarë janë 7 milionë euro.

Megjithatë, koston dhe kapacitetin e tij do të përcaktoj studimi i fizibilitetit që do të udhëhiqet nga Ministria e Administratës Publike.

Youtube

Arkiva

Kategoritë