Çdo vit më 28 korrik shënohet Dita Botërore e Hepatitit për të rritur ndërgjegjësimin për hepatitin dhe rëndësinë e tij shëndetësore.
Me moton “Është koha për veprim”, Dita Botërore e Hepatitit këtë vit thekson nevojën për veprime bashkëpunuese për të zgjeruar qasjen në diagnostikim dhe trajtim. Është jetike që shërbimet e parandalimit dhe trajtimit të hepatitit të ofrohen në të gjitha viset, si urbane ashtu edhe rurale. Kjo mundëson zvogëlimin e numrit të infektuarëve dhe vdekshmërisë.
Veprimet e menjëhershme mund të shpëtojnë jetë, të parandalojnë infeksione të reja, të reduktojnë rastet e kancerit të mëlçisë dhe të arrijnë objektivat e eliminimit të hepatitit deri në vitin 2030.
Në Rajonin Evropian të OBSH-së, 15 milionë njerëz jetojnë me Hepatit kronik B dhe 14 milionë me Hepatit C. Shumica e tyre nuk janë të vetëdijshëm për infeksionin dhe vazhdojnë të mbajnë virusin, duke rrezikuar zhvillimin e sëmundjeve të rënda dhe transmetimin e virusit.
Në Kosovë, rreth 800 pacientë janë në program të rregullt të hemodializës. Numri dhe përqindjet e pacientëve me hepatit paraqiten sipas qendrave të kujdesit shëndetësor dhe regjioneve.
Bazuar në kalendarin e rregullt të vaksinimit të IKShPK, Ministria e Shëndetësisë siguron doza të mjaftueshme të vaksinave për Hepatit B për çdo fëmijë të porsalindur deri në moshën 6 muajsh. Vlera totale është 20,100.00 euro për vaksinat pediatrike dhe për të rriturit.
Ministria e Shëndetësisë, nëpërmjet ShSKUK, siguron produktet medicinale në kuadër të Listës Esenciale për trajtimin e Hepatitit, si në vijim:
Barnat për Hepatitin B (Tenofovir disoproxil fumarate (TDF) në vlerë prej 45,000.00 euro dhe barnat për Hepatitin C (Sofosbuvir/Velpatasvir) në vlerë prej 893,726.40 euro dhe Glecaprevir/pibrentasvir në vlerë prej 314,845.44 euro.
Pra, në total vlera e vaksinës së Hepatitit viral B është 20,100.00 euro, ndërsa vlera e barnave për trajtimin e Hepatitit B dhe Hepatitit C është 1,253,571.84 euro.