Në orët e para të vitit të ri 2021, ushtruesi i detyrës së drejtorit të ShSKUK-së, Valbon Krasniqi, ka vizituar ekipet kujdestare në Klinikën Infektive e cila tash e sa muaj po trajton pacientët me koronavirus.
Ai bëri të ditur se numri i përgjithshëm i pacientëve të shtrirë nëpër klinika në nivel vendi nuk e kalon numrin 500, për çka tha se ka një trend në rënie të numrit të rasteve të reja.
Derisa drejtori i Mikrobiologjisë në IKShPK, Xhevat Jakupi, bëri të ditur se ditëve të fundit ka pasur një rënie të interesimit për testim për COVID-19.
“Nëse flasim nga aspekti i testimeve ne kemi një rënie të nivelit të interesimit për testim, kjo me siguri korrespondon edhe me gjendjen aktuale të shpërndarjes së infeksionit në mesin e popullatës. Shumica dërrmuese e njerëzve që tash kërkojnë testim janë të lidhura me udhëtim jashtë vendit. Realisht kapacitetet për testim janë shtuar në masë të madhe krahasuar me periudhën e fillimit të pandemisë dhe do të vazhdojnë të zgjerohen në janar të këtij viti dhe besojmë që situata sa i përket testimit është përmirësuar dukshëm”, tha ai.