Mbi 800 milionë të rritur në mbarë botën jetojnë me diabet, sipas një studimi të ri në revistën The Lancet, raporton media amerikane CNN.
Shkalla globale e diabetit ishte rreth 14% në vitin 2022, sipas këtij studimi. Pothuajse 60% e të rriturve mbi 30 vjeç që kishin diabet nuk morën trajtim në vitin 2022.
Është e rëndësishme të kuptojmë këtë sëmundje kronike, veçanërisht se çfarë mund të bëjmë për ta parandaluar atë. Cilat janë pasojat shëndetësore? Cilat hapa mund të ndërmarrin njerëzit për të parandaluar diabetin? Si diagnostikohet? Nëse dikush diagnostikohet, cilat trajtime janë të disponueshme? Dhe cilat ndryshime në stilin e jetesës ndihmojnë të gjithëve – si ata që janë diagnostikuar me diabet dhe ata që duan ta parandalojnë atë?
Për t’u ndihmuar me këto pyetje, CNN ka biseduar me eksperten e shëndetit, Dr. Leana Wen. Wen është mjeke emergjence dhe profesoreshë e asociuar në Universitetin George Washington.
CNN: Pse është e rëndësishme të parandaloni diabetin? Cilat janë pasojat shëndetësore të kësaj gjendjeje?
Dr. Leana Wen: Diabeti është sëmundje kronike që ka shumë pasojë shëndetësore. Diabeti është shkaku i tetë më i zakonshëm i vdekjes në Shtetet e Bashkuara, sipas Qendrave të Kontrollit dhe Parandalimit të Sëmundjeve të SHBA-se (CDC). Ai është shkaku kryesor i dështimit të veshkave dhe verbërisë tek të rriturit. Njerëzit me diabet kanë dy deri në katër herë më shumë mundësi të zhvillojnë sëmundje të zemrës krahasuar me ata që nuk e kanë atë. Po ashtu, është një nga shkaktarët kryesorë të amputimeve të këmbëve.
Sa i zakonshëm është diabeti? A janë disa grupe në rrezik më të madh se të tjerët?
Wen: Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, duhet të dini që ekzistojnë tri lloje kryesore të diabetit.
Diabeti i tipit 1 besohet se shkaktohet nga një përgjigje autoimune që ndalon trupin nga prodhimi i insulinës. Ky hormon është shumë i rëndësishëm për menaxhimin e niveleve të glukozës në gjak.
Njerëzit me diabet të tipit 1 duhet të marrin insulinë çdo ditë. Shumica e rasteve diagnostikohen në fëmijëri, megjithatë disa mund të ndodhin më vonë në jetë. Mjekët nuk e dinë ende si të parandalojnë zhvillimin e këtij lloji diabeti.
Diabeti i tipit 2 është lloji më i zakonshëm i diabetit. Në SHBA, rreth 90% deri 95% e rasteve të diabetit janë tip 2. Në këtë formë, trupi nuk reagon siç duhet ndaj insulinës dhe nuk mund të mbajë nivelet e glukozës në gjak në nivele normale. Ndryshe nga diabeti i tipit 1, që zhvillohet zakonisht shpejt, diabeti i tipit 2 zhvillohet përgjatë disa vitesh dhe shumë njerëz mund të mos e dinë që e kanë derisa të testohen për të.
Përveç kësaj, diabeti i tipit 2 zakonisht diagnostikohet tek individët mbi 35 vjeç, megjithatë në vitet e fundit, ka pasur raste më të shumta tek individët më të rinj, përfshirë fëmijët dhe adoleshentët.
Faktorët e rrezikut për zhvillimin e diabetit të tipit 2 janë mbipesha ose obeziteti. Disa grupe etnike gjithashtu janë më të prirur për të pasur diabet të tipit 2, përfshirë afro-amerikanët, indianët amerikanë, hispanikët, por edhe historia familjare e të afërmve të parë me diabet të tipit 2 është gjithashtu një faktor rreziku.
Një faktor tjetër rreziku për zhvillimin e diabetit të tipit 2 është tipi 3 i diabetit, që është diabeti gestacional. Ky tip diagnostikohet gjatë shtatëzanisë te gratë që nuk kanë pasur asnjëherë këtë sëmundje kronike më parë.
Ky lloj diabeti zakonisht zhduket pas lindjes së fëmijës, por rrit rrezikun që gruaja të zhvillojë më vonë diabetin e tipit 2, si dhe rrezikun që fëmija të zhvillojë diabetin e tipit 2.
Cilat hapa mund të ndërmarrin njerëzit për të parandaluar zhvillimin e diabetit?
Wen: Për diabetin e tipit 2 hapi i parë është të kuptoni rrezikun për zhvillimin e prediabetes (paradiabetik), gjendje që parandalon diagnostikimin me diabet. CDC ka një kalkulator të dobishëm që do t’ju ndihmojë të vlerësoni shpejt rrezikun. Individët që janë më të rrezikuar duhet të flasin me ofruesin e kujdesit primar shendetesore për të parë nëse duhet të bëhen kontrolle për diabet, ndërsa individët me rrezik më të ulët duhet të synojnë zgjedhje të shëndetshme jetese për të parandaluar këto gjendje.
Këto zgjedhje jetese përfshijnë të paktën 150 minuta aktiviteti fizik në javë. Ata që nuk mund të arrijnë 150 minuta duhet të mbajnë mend se disa janë më mirë se asgjë. Studimet kanë treguar se edhe gjysma e sasisë së rekomanduar mund të zvogëlojë rrezikun për zhvillimin e sëmundjeve kronike.
Të gjithë duhet të punojnë për të zvogëluar konsumimin e ushqimeve të procesuara. Synoni të kaloni në ushqime të plota si fruta, perime, arra dhe fara, dhe të hiqni pijet e ëmbla.
Mbajtja e peshës në kufijtë e shëndetshëm gjithashtu ndihmon në zvogëlimin e rrezikut të zhvillimit të diabetit. Hipertensioni është dy herë më i zakonshëm tek pacientët me diabet krahasuar me ata pa diabet, dhe gjithashtu është e rëndësishme të dini nëse keni presion të lartë të gjakut.
Një tjetër sëmundje kronike që shpesh shoqëron diabetin është kolesteroli i lartë, dhe është e rëndësishme të dini edhe numrat e kolesterolit. Fatmirësisht, të njëjtat ndryshime jetese që ndihmojnë për të zvogëluar rrezikun e diabetit gjithashtu ndihmojnë për të zvogëluar rrezikun e zhvillimit të këtyre sëmundjeve të tjera që, së bashku, rrisin mundësinë për infarkte dhe goditje në tru.
Si diagnostikohet diabeti?
Wen: Teste të ndryshme mund të ndihmojnë në diagnostikimin e diabetit. Një test A1C mund të matë glukozën mesatare të gjakut për periudhë disa muajshe. Këto teste janë të disponueshme dhe duhet të fillojnë për shumicën e njerëzve në moshën 35 vjeçare.