Përjetimi i ndjenjave negative, stresit, mërzisë apo ankthit pa dyshim që janë prezente te çdo njeri në pjesë të caktuara të ditës apo jetës.
Problemet e jetës së përditshme arrijnë të krijojnë luhatje dhe përmbysje të mëdha humori ndaj përjetimi i këtyre ndjenjave është i shpeshtë.
Zakonisht stresi apo ankthi largohet në kohë të shkurtra dhe njerëzit që e përjetojnë nuk i kushtojnë shumë rëndësi.
Gjithsesi, sipas ekspertëve, ka një limit të caktuar të përjetimit të këtyre ndjenjave.
Krahas ankthit normal të cilin e përjeton çdo njeri, ka edhe një lloj tjetër ankthi i cili konsiderohet si një nga armiqtë më të mëdhenj të shëndetit.
Nëse episodet janë të vazhdueshme dhe shumë të përsëritura, atëherë kjo mund të kthehet në një lloj varësie.
Për t’i evituar këto episode në përditshmërinë tuaj apo për të marrë masa të menjëhershme, lexoni këshillat si mëposhtë.
Si të dalloni që vuani nga ankthi i tepruar
Përshkrimi i episodeve të ankthit shpeshherë nuk është i lehtë, e sidomos për personat që përjetojnë atake paniku apo ankth të vazhdueshëm.
Mund të marrë forma të ndryshme tek çdo njeri apo në varësi të situatave gjithsesi pavarësisht formës, dëmi mbetet i njëjtë.
Nëse përjetoni disa apo të gjitha simptomat e mëposhtme në shumicën e kohës, atëherë ky tregues nuk mund të gabojë.
Shqetësoheni shumë
Nëse shqetësoheni shumë dhe çdo ditë për çdo ngjarje që ju ndodh në jetën tuaj, me siguri ankthi i tepërt po jua shkakton këtë.
Kjo është një nga format më të përhapura të ankthit në botë dhe më problematikja.
Përfshin çdo lloj shqetësimi apo stresi që njerëzit kanë tendencën t’i krijojnë vetes në mënyrë të tepruar.
Shqetësimi i tepërt lidhet me përsëritjen e një ngjarje në kokë, për ditë me radhë apo deri edhe në muaj të tërë.
Dallimi mes ankthit normal dhe çrregullimeve të ankthit, është se ky i fundit ndërhyn në funksionimin normal të jetës së përditshme.
Duke shkaktuar kështu vuajtje apo edhe ndjenja të tjera depresioni dhe adrenaline të vazhdueshme.
Problemet me gjumin
Problemet me gjumin apo zgjimi i shpeshtë gjatë natës lidhen si me anën fizike ashtu edhe me atë psikologjike.
Sa më të rënduar të ndiheni psikologjikisht aq më të mëdha do të jenë problemet që do të përjetoni me gjumin.
Ky problem është shqetësues nëse ju ndodh vazhdimisht për jave apo muaj me rradhë edhe nëse mund të jetë kthyer në normalitet.
Personat me çrregullime të ankthit, shpesh përjetojnë edhe simptoma të tjera të ndryshme nga njëra tjetra.
Mund të ketë ditë që zgjoheni të lodhur ose pa fuqi dhe ditë të tjera kur zgjoheni me adrenalinë, keni rrahje të shpejta zemre dhe nuk mund të qetësoni dot veten.
Muskuj të tensionuar
Nëse i ndjeni muskujt vazhdimisht të tensionuar pa ndonjë arsye, mund të jetë një shenjë e çrregullimeve të ankthit.
Zakonisht personat që vuajnë nga ankthi kronik shtrëngojnë dhëmbët, nofullën dhe muskujt e fytyrës pjesën më të madhe të kohës.
Për këta persona kjo gjendje mund të kthehet edhe në normale, pas përjetimit shumë të gjatë e të shpeshtë.
Gjithsesi nëse ndjeni gjithnjë nofulla dhe muskuj të lodhur, mundohuni të bëni sa më shumë ushtrime dhe masazh.
Probleme me tretjen
Ankthi mund të fillojë nga mendja, po shpesh efektet i jep në organe të tjera të trupit.
Këtu futet edhe stomaku bashkë me të gjithë sistemin tretës.
Nëse ndjeni probleme të vazhdueshme me sistemin tretës apo stomakun edhe kjo mund të jetë një shenjë.
Sistemi tretës është shumë i ndjeshëm ndaj stresit dhe ankthit, ndaj sa më të shpesh t’i përjetoni aq më shumë do të preket kjo pjesë e trupit tuaj.
Frika nga vendet publike
Kjo simptomë edhe ngushtë lidhur me psikologjinë e njeriut. Nuk ka lidhje me të qënurit të turpshëm apo të ndrojtur, por me një çrregullim të vërtetë ankthi.
Nëse keni kriza apo atake paniku sa herë që dilni në vende publike, për të folur apo jeni qendra e vëmendjes ankthi po jua shkakton këtë.
Në këto situata personat me çrregullime ankthi kanë tendencën të skuqen, dridhen apo të ndjejnë të përziera në stomak.
Ataket e panikut
Nëse ka diçka që e përshkruan ankthin bashkë me të gjithë ndjenjat që shkakton janë ataket e panikut.
Momentet kur ndjeni adrenalinë të lartë, rrahje zemre të shpeshta dhe shqetësim të vazhdueshëm pa asnjë arsye janë tipike.
Personat që përjetojnë shpesh atake paniku kanë shumë mundësi të diagnostikohen edhe me ankth.
Këshillat e ekspertëve në këto raste janë që gjithnjë të flisni me një specialist dhe të merreni me aktivitete që ju bëjnë të ndiheni mirë.
Burimi: AgroWeb