Albina Selmanaj
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.7 goditi Turqinë jugore dhe Sirinë veriore të hënën, duke lënë të vdekur më shumë se 17 mijë persona.
Lëkundjet e forta shembën shumë ndërtesa dhe ekipet e shpëtim-kërkimit po punojnë ende për nxjerrjen e njerëzve të zënë poshtë.
Tahir Ahmeti, drejtor ekzekutiv i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë (SPRC) në një intervistë për Familjajonë tha se shkaktari i tërmeteve janë lëvizjet e pllakave tektonike, lëvizjes e kores së tokës apo shpërthimeve shumë të mëdha që lëshojnë shumë energji, dhe si pasojë e tyre ndodhë lëkundja e tokës.
Ahmeti po ashtu deklaroi se është e rëndësishme të analizohet edhe përgatitja e institucioneve të Kosovës për t’u ballafaquar me një fatkeqësi të tillë para se ajo të ndodh.
“Tërmetet ndodhin për shkak të lëvizjes së pllakave tektonike, lëvizjes së kores së tokës apo shpërthimeve shumë të mëdha që lëshojnë shumë energji, dhe si pasojë ndodhë lëkundja e tokës (e njohur si tërmet). Tërmetet dhe fatkeqësitë tjera natyrore janë të paparashikueshme. Ne nuk mund të parandalojmë mundësinë e ndodhjes së ndonjë tërmeti apo fatkeqësie tjetër natyrore, porse duhet analizuar përgatitjet e institucioneve të Kosovës për t’u ballafaquar me këto fatkeqësi nëse ndodhin.”, tha ai.
Ahmeti për Familjajonë ka treguar edhe për mënyrën se si duhet të veprojmë në rast se tërmetet mund të na godasin pa pritur brenda ndërtesës ose diku jashtë, e që hapi i parë si pas tij është ruajtja e qetësisë para veprimeve të tjera.
“Tërmetet mund të godasin krejt papritur dhe pa paralajmërim. E rëndësishme është që që në dridhjen e parë të merrni masa mbrojtëse: Gjatë një tërmeti është shumë me rëndësi që të ruhet qetësia dhe të mundohemi sa më pak të bëjmë panik, duhet ulur menjëherë në dysheme dhe të mblidhen duart dhe krahët, përpara se tërmeti t’ju rrëzojë, rekomandohet strehimi poshtë një tavoline, apo poshtë ndonjë mobileje që nuk mund të rrëzohet mbi ju. Kur nisin lëkundjet, gjëja më e mirë që duhet të bëni, është të mos lëvizni nga njëra dhomë në tjetrën, dhe të dilni me kujdes nga banesa pas tërmetit, si dhe mos të përdorni ashensorin, sepse gjasat janë të mëdha që mund të bllokohet. Nëse ndodheni jashtë, duhet lëvizur në një zonë të sigurt nëse keni mundësi, si dhe duhet të shmangen shtyllat elektrike, tabelat, ndërtesat e larta si dhe objektet në ndërtim. Nëse ndodheni në shkollë, stadium apo teatër, mundësisht duhet qëndruar në vendin tuaj dhe të mbroni kokën dhe qafën me krahë. Është gabim të përpiqeni të largoheni deri sa të mbarojnë lëkundjet fillestare, më pastaj ecni ngadalë duke bërë kujdes nga ndonjë send që mund t’ju bjerë dhe t’ju lëndojë. Është shumë me rëndësi ta dimë se gjatë tërmeteve duhet qëndruar larg liqeneve, plazheve apo urave, si dhe nëse jeni në automjet shmangni qëndrimin në ura apo rrugë të paqëndrueshme.”, shpjegoi Ahmeti.
Ndërkaq, në rastet kur ndodhemi nën rrënoja sipas Ahmetit shumë i rëndësishëm është reagimi i shpejt dhe efektiv i njësive të kërkim shpëtimit, në mënyrë që të mundë të shpëtohen sa më shumë jetëra.
“Në këto raste, puna kryesore është reagimi i shpejt dhe efektiv i njësive të kërkim shpëtimit, në mënyrë që të mundë të shpëtohen sa më shumë jetëra, do duhej një reagim profesional dhe jo emocional, që nga ndërhyrjet operacionale e deri te riaftësimi. Për këtë, duhet të testohet sa më shumë në terren dhe me të gjitha elementet përbërëse, reagimi dhe koordinimi shtetëror në rast të incidenteve me karakter kombëtar”, deklaroi ai.
Tutje, Ahmeti tha se edhe Kosova është një rajon me aktivitet sizmik relativisht të lartë, që është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmetet duke përmendur edhe disa nga zonat më të rrezikuara.
Nga pikëpamja sizmologjike sipas sizmologëve të vendit, Kosova është një rajon me aktivitet sizmik relativisht të lartë, që është goditur në të kaluarën dhe mund të goditet edhe në të ardhmen nga tërmetet. Territori i Kosovës ka disa zona të burimeve sizmike, ose zona sizmogjene siç quhen ndryshe, zona sizmogjene Prizren – Pejë, zona sizmogjene Ferizaj – Viti – Gjilan dhe zona sizmogjene Kopaonik. Vendi ynë në të kaluarën është ballafaquar me mjaft tërmete. Për periudhën 1999-2022, tërmeti me i fuqishëm ka goditur regjionin e Gjilanit me datën 24/04/2002, me magnitudë 5.7 shkallë Rihter, me ç ‘rast kishte humbur jetën një person dhe kishte dëme të konsiderueshme të objekteve.
Familjajonë mori këto këshilla dhe informacione me qëllim informimin e publikut për veprimet e duhura që duhet të ndërmarrë në raste të njëjta.