Albina Selmanaj
Një individ me hipokondriazë njihet si hipokondriak. Hipokondriakët alarmohen në mënyrë të panevojshme për çdo simptomë fizike ose psikologjike që zbulojnë, pa marrë parasysh sa e vogël mund të jetë simptoma, dhe janë të bindur se ata kanë ose do të diagnostikohen me një sëmundje të rëndë.
Hipokondriaza zakonisht zhvillohet gjatë moshës madhore. Këta njerëz shpesh shpesh shkojnë te mjeku i përgjithshëm dhe i nënshtrohen testeve diagnostikuese edhe pa pasur nevojë për to.
Për të folur më shumë rreth kësaj teme Familjajonë ka intervistuar psikologun e njohur, Yll Avdijaj i cili gjatë intervistës ka treguar edhe për atë se sa i shpeshtë është ky problem në shoqërinë kosovare. Tutje, ai po ashtu ka shpjeguar edhe për shkaktarët dhe simptomat e hipokondrisë. Ndër të tjera psikologu ka bërë të ditur edhe për mundësitë e parandalimit të një shqetësimi të tillë.
Intervista e plotë:
Sa e shpeshtë ose e rrallë është hipokondria te shoqëria Kosovare?
Fillimisht, me hipokondria nënkuptohet një lloj specifik i çrregullimit të ankthit që lidhet me frikën nga prekja e ndonjë sëmundje serioze. Se sa është i përhapur ky lloj çrregullimi në shoqërinë kosovare, kjo gjë është relative; të vetmit raste të regjistruara zakonisht mund të jenë ato raste të cilat kërkojnë ndihmë psikiatrike dhe psikoterapeutike. Personat me një çrregullim të tillë, zakonisht janë edhe frekuentues të shpeshtë të spitaleve, klinikave, laboratorëve duke bërë kontrolla dhe analiza të përgjithshme, dhe të vazhdueshme për sa i përket shëndetit të tyre. Përveç kësaj, shumë nga këta individë janë edhe gjurmues të rregullt në Google, deri në atë masë sa që arrijnë të “vet-diagnostikohen” me ndonjë sëmundje të caktuar.
Nga çfarë mund të shkaktohet hipokondria dhe cilat janë simptomat?
Disa nga shkaqet nga të cilat mund të shkaktohet hipokondria, këtu mund të përfshihen: çrregullim i perceptimit nga i cili ndjesitë normale zmadhohen. Të mësuarit e përfitimeve nga të qënurit i sëmurë, siç është p.sh.: marrja e vëmendjes etj. Hipokondriaza mund të vijë edhe si pasojë e ndonjë traume që mund të ketë ndodhur te një individ i caktuar dhe që ka pasur një sëmundje në fëmijëri ose ka pasur ndonjë familjar, vëlla ose motër me ndonjë sëmundje në fëmijëri.
Si mund të ndikojë hipokondria në aspektin fizik dhe psikologjik të njeriut ?
Hipokondria mund të shkaktohet nga faktorë psikologjikë, si p.sh. çrregullime të humorit si: ankthi ose sulme të panikut, frika nga kapja e një sëmundjeje ose paranoje. Po ashtu mund të shfaqet edhe në aspektin fizik me anë të sjelljeve kompulsive, marramendjes, mendimeve të përsëritura ose ndjesi trupore si shpurje nga gjilpërat etj.
Cilat janë disa nga komplikimet më të mëdha dhe a mund të parandalohet një problem i tillë?
Nga komplikimet e këtij lloj çrregullimi kryesisht mund të them se është izolimi nga njerëzit dhe vendet e ndryshme nga të cilat ata parashohin rrezikshmëri të kontaminimit nga ndonjë virus i mundshëm. Shqetësimi dhe alarmimi nga mendimet se mund të kenë ndonjë sëmundje të pashërueshme dhe privimi i vetës nga kënaqësia e jetës nga preokupimet e këtij lloji. Të qënurit në kërkim të vazhdueshëm për të gjetur një sëmundje serioze etj. Parandalimi i këtij çrregullimi kryesisht mund të bëhet nëpërmes trajtimit psikiatrik (farmakoterapi) dhe trajtimit psikoterapeutik.