Qendra për menaxhimin e krizave në Rusi njoftoi se gjatë 24 orëve të kaluara janë shënuar 9,623 raste të koronavirusit.
Kjo shifër është rekord i ri ditor për shtetit me sipërfaqen më të madhe në botë. Numri i përgjithshëm i të prekurve atje shkoi në 124,054.
Përpos infektimeve, gjatë kësaj periudhe u shënuan edhe 57 viktima të reja dhe numri i përgjithshëm i të vdekurve shkoi në 1,222 persona, shkruan “Reuters”, transmeton Gazeta Express.
Rusia fillimisht kishte shënuar shumë pak raste të virusit pas masave të rrepta të izolimit dhe mbylljes së kufijve. Sidoqoftë, duket se as ky vend nuk do të shpëtojë lehtë nga sëmundja e re pasi shifrat po rriten çdo ditë.
Në mesin e të infektuarve tashmë janë edhe kryeministri rus, Mikhail Mishustin, dhe ministri i ndërtimtarisë, Vladimir Yakushev.