Albina Selmanaj
Gjëja e parë që duhet bërë kur jeni përballë një njeriu pa ndjenja është të thërrisni për ndihmë dhe të njoftoni përmes telefonit urgjencën mjekësore. Më pas është me rëndësi t’i jepet ndihma e parë e cila mund të kontribuojë për të ulur shkallën e dëmtimit dhe për të rritur shanset për mbijetesë.
Marrja e veprimit të menjëhershëm dhe duke aplikuar një ndihmë të duhur gjatë minutave të para kritike, mund të bëjnë ndryshime në shpëtimin e jetës.
Për të kuptuar më shumë rreth rëndësisë së ndihmës së parë dhe se në cilat raste duhet të jepet një ndihmë e tillë, Familjajonë ka intervistuar specialistët e mjekësisë emergjente nga United Hospital.
Sipas specialistëve të mjekësisë emergjente, Dr. Enver Murtezi dhe Dr. Sadri Hulaj dhënia e ndihmës së parë është shumë e rëndësishme pasi që mund të shpëtohet jeta, mund të zbuten pasojat e lëndimit, dhe ndihmohet përmirësimi i gjendjes së personi në nevojë.
“Dhënia e ndihmës së parë është një varg veprimesh e masash, që ka për qëllim dhënien e ndihmës së parë të lënduarit në vendin e ngjarjes, në mënyrë që i/e lënduari/a të dërgohet sa më parë dhe në gjendje sa më të mirë shëndetësore në institucionin shëndetësor më të afërt. Dhënia e ndihmës së parë është shumë e rëndësishme pasi që mund të shpëtohet jeta, mund të zbuten pasojat e lëndimit, dhe ndihmohet përmirësimi i gjendjes.”, thanë ata.
Por se në cilat raste duhet të jepet ndihma e parë, specialistët thanë se ajo duhet të bëhet në rastet kur një person është pa ndjenja, nuk merr frymë ose edhe nëse i ka pushuar zemra.
“Ndihma e parë jepet nëse dikush është pa ndjenja dhe nuk merr frymë normalisht. Por, jetën e kanë në rrezik ata të cilët nuk marrin frymë dhe nëse zemra u ka pushuar së rrahuri, që janë të helmuar dhe u merret fryma, që derdhin shumë gjak ose janë në gjendje të alivanosur dhe u kanoset rreziku i rënies së gjuhës në hipofarinks”, treguan ata.
Specialistet e mjekësisë emergjente po ashtu treguan se procesi i dhënies së ndihmës të parë është i ndarë në disa pjesë dhe që hapi më i rëndësishëm i tërë procesit është pjesa e kompresimeve.
Tutje, sipas tyre dhënia e ndihmës së parë nuk duhet të ndalohet asnjëherë deri sa të stabilizohet dhe përmirësohet gjendja e pacientit të cilin jemi duke e ndihmuar.
“Dhënia e ndihmës së parë nuk duhet të ndalohet asnjëherë deri sa pacienti ka nevojë për ne dhe gjendja e pacientit nuk është stabilizuar. Por, kur jemi duke e reanimuar një pacientë pa shenja jete dhe kanë kaluar mbi 40 minuta, dhe nuk kemi shenja të ringjalljes, atëherë, mund të vendosim për ndërprerje të reanimimit.”, shpjeguan specialistët.
Dhënia e ndihmës së parë sipas specialistëve mund të jetë e suksesshme atëherë kur ajo fillon me kohë por në rastet kur kjo ndihmë jepet me vonesë rezultatet janë të vogla.
“ Suksesi i ndihmës së parë është i lidhur me shkaktarët e çrregullimeve, koha kur fillon dhe aftësitë profesionale e atij/asaj që bënë reanimimin. Pra, nëse pacienti nuk është vonuar, nëse ndihma e parë ka filluar me kohë, atëherë kjo duhet të jetë e suksesshme. Por, kur pacientit nuk i jepet ndihma e parë në vendin e ngjarjes, sillet me vonesë tek profesionisti, atëherë edhe rezultatet janë më të vogla ose mungojnë.” , përfunduan ata.
Aksidentet ndodhin kudo e kurdoherë, në rrugë, punë, shtëpi, në vende ku zhvillohen aktivitete të ndryshme sportive, festime, madje edhe në piknikë apo në vende çlodhëse. Si shkak i kësaj të kesh njohuri për ndihmën e parë është e rëndësishme sepse mund të shpëtosh jetë.