Shkruar nga: Besime Ajeti Imeri
Ju kujtohet zonja e cila u paragjykua pas lindjes cezariane aq shumë, sa që i harrojë dhimbjet e plagës nga stresi.
Eh po ja ku jam….të ju them qëndroni në këmbë, sepse jo vetëm ju kaloni nëpër ditë të vështira.
Mua jeta më përballi me shumë çka.
Pas vështirësive të lindjes që ua tregova javën e kaluar, ato ditë ngushëllimi i vetëm që më mbante në këmbë ishte engjëlli që kisha në duar, vajza ime.
Sheh në krahët e t’u një krijesë të brishtë dhe krejtësisht engjëllore.
I shef atë hundën e vockël, syrin, gojën, faqet bufalaqe, fytyrën e ëmbël, ato duar që nuk kam me çfarë ti krahasoj. E sheh këtë krijesë dhe pyet vetën “çfarë krijese paskam sjellë në këtë jetë, Zot faleminderit për çdo gjë”.
Me shpirt po prisja momentin kur të kthehem nga spitali në shtëpi, për të shijuar çdo moment me engjëllin tim.
Ai momenti i magjishëm që t’i e ëndërron gjatë qëndrimit në spital, kur kthehesh në shtëpi të kthehet në një periudhë stresuese dhe depresive, të kthehet në ferr.
Sapo fut këmbën në derën e hyrjes, ta kapin nga duart foshnjën pa t’i hedh sytë ty e jo me të të pyesin si je, si ndjehesh, apo të të thonë shyqyr që erdhe në shtëpi!
I heqin batanijen bebes dhe fillojnë: “vetullat si stërgjyshja”, ” sytë si stërgjyshi”, “hunda si gjyshja”, “veshët si gjyshi”, “hijen e babit”, “e bukur si halla”, “e mençur si xhaxhi”, “flokët si halla babit”, “trupin njëjtë si filani”, “kokën njëjtë si fistekja”! Janë në gjendje edhe komshiun e lagjes ta fusin në listë. Imagjinoni!
Bile bile po patën mundësi ta bëjnë dhe ADN testin!
Si nëna s’ka asnjë tipar, dhe bënë vaki i përmend Dajt pupupu e mjera ti! Dajt të rijnë atje ku janë se nuk kanë vend këtu, nipi është vetëm i këtyre dhe askujt tjetër!
I shef të gjithë një e nga një fytyrë dhe irritohesh nga pseudo lumturia e tyre!
Thua vetë me vete, s’ka gjë do kalojë dhe kjo te ulem t’i jap gji bebushës sime. Dhe pikërisht këtu është bomba!
Në moment që nxjerr gjirin të vardisen të gjithë, njëra të fut duart në gji sa që të rrëqeth tërë trupin me ashpërsinë e lëkurës që ka!
“Uiiii këto cicat e tua te vogla do prodhojnë qumësht”
“Pupuu sa t’buta i ke, jo jo s’ke qumësht ti, jepi alpsko ngopja barkun” – a thua se ç’bark kishte për t’ia ngopur vallë?
“S’paske qumësht, s’qenke lopë e mirë jo” -injoranca e tyre arrin deri aty sa po të krahasojnë me një kafshë, e imagjinoni dot!
“Kur ke qumësht gjiri, damarët të fryhen… naaa edhe cicat duhet ti kesh t’forta”.
“Kur ke qumësht të rrjedh qumështi pa pushim, ty fare s’të dilka”
“Kur e ke të mirë qumështin e gjirit, beba ngopet shpejtë dhe bëhet duq”!
Dmth të gjithë kapën për cicat e mia, për formën, për madhësinë, për thithkat, ishin në gjendje të marin një mjet matës dhe t’i matin me imtësi e detaje.
Duke ju arsyetuar se në gjidhënie ndikon jashtëzakonisht gjendja shpirtërore, emocionale, lodhja, ushqyerja e shëndetshme, ata të presin me shpatë “ku di ti mi, ne në fushë punonim me kopac e asgjë s’na gjeti i ushqyem me gji derisa u bënë burra e gra”!
Ç’t’u thuash vallë! Në kokë me rrotulloheshin lloj lloj mendimesh, doja t’u bërtisja të gjithave, t’jua nxjerr dhëmbët e ujkut njëherë, doja t’i shaja, çka nuk doja në ato momente!
Po kur shihja engjëllin tim në duar spostohesha, nuk ja vlente të stresoja dhe bebën time.
Historia nuk mbaron këtu, ajo vazhdon me gjendjen time shpirtërore të renduar. Me depreesion të thellë, pa përkrahjen e askujt. Më mungonte nena ime që ato kohë s’kisha kontakte fare.
Por, im shoq gjithmonë ishte krahu im i djathtë, gjithmonë. Gjithmonë ka qenë shpatulla ku unë qaja me dënes derisa i beja qull me lot këmishën. Gjithmonë më ka thënë “fol, mos hesht. Fakti që ti je nuse nuk dmth që duhet t’ju nënshtrohesh. Unë jam në punë, e shef dhe vetë me orar të tej zgjatur deri mbi 12 orë punë në ditë për të siguruar bukën e gojës. Fol, bëhu e zonja e vetës, tregoja vendin gjithsecilit se ku e ka.”
Dhe kështu, avash avash, fillova të marr në duar frerët e jetës sime, të bebës sime, të familjes sime.
Një nënë gjidhënëse ka nevojë për fjalë të ëmbla dhe motivuese. E jo për analiza të bebës se kujt i ngjan nga bytha e kujt nga koka!
Bëhu forca e dikujt, bëhu motivi i dikujt, bëhu buzëqeshja e dikujt.
Mos u bëj nga ata individë që përmendë për të keq, bëhu shembull i dikujt.
Mos u përziejë aty ku nuk të takon!