Albina Selmanaj
Dashuria për vendin bëri që shumë persona të sakrifikojnë jetën e tyre vetëm që Kosova të ketë një të ardhme në liri. Kontribut i madh gjatë gjithë këtyre viteve i takon edhe heronjve të kujdesit shëndetësorë të cilët nuk ndalen punën e tyre pavarësisht rrezikut dhe kushteve që kishin dhe kanë tani.
I punësuar si kirurg në QKUK, Fadil Beka kujton kohët e viteve të 99, periudhë të cilën e konsideron si një nga më të vështirat gjatë karrierës së tij si mjekë në Kosovë. Ai për Familjajonë ka përshkruar disa nga momentet e atyre viteve, momente të cilat për të ishin të mbushura vetëm me panik dhe pasiguri.
Gjatë këtij rrëfimi ai ka treguar edhe për rolin e madh që ka pasur stafi mjekësor gjatë asaj kohe, duke mos harruar t’i përmend edhe disa nga kolegët e tij që humbën jetën mizorisht nga armiku që qëndronte si kulshedër mbi kokat e tyre.
“Ashtu si gjithë populli që kanë qenë të rrezikuar, ashtu edhe ne si staf mjekësor bile edhe më shumë ngase pushtuesi nuk ka respektuar kurrfarë norma ndërkombëtare sa i takon stafit mjekësor, përkundrazi kemi qenë edhe më shumë të atakuar, duke e pas parasysh rolin shumë të madh të stafit mjekësor në veçanti në kushte të luftës. Kjo vërtetohet që kemi numër shumë të madh të mjekeve dhe stafit të mesëm qe janë zënë të gjallë dhe janë masakruar bile nga forcat pushtuese serbe, duke mos respektuar as një ligj e zakon të luftës. Kisha me i përmend dr Hafir Shala,dr Lec Leci-Gradica,Dr Fatmir Fazliu,Zaim Bajrami,drFatmir Krasniqi e shumë të tjerë”, tregoi Beka.
Dashnia për popullin dhe profesionin e bëri Bekën të punonte edhe në kushte të jashtëzakonshme, atëherë kur pacientët duheshin të trajtoheshin në spitale të improvizuara në shtëpia private për shkak që spitalet publike ishin nën okupimin serb.
“Spitalet publike para lufte kanë qenë nën masat e dhunshme të Serbisë, prandaj të plagosurit dhe të sëmurit shqiptar nuk kanë pasur guxim as të shkojnë për tu trajtuar në këto spitale, prandaj është dashtë qe të improvizohen spitale nëpër shtëpi privat në zonat e luftës dhe kështu kemi vepruar duke pasur mbështetjen e komandave të Zonave Operative të luftës dhe të popullatës në të njëjtën kohë”, u shpreh ai.
Mungesa e spitaleve nuk ishte e vetmja sfidë gjatë asaj kohe, edhe furnizimi me barna dhe mungesa e materialeve shëndetësore ishin disa nga vështirësitë me të cilat u përballë stafi mjekësor i 99-ve, në mesin e të cilëve ishte edhe Beka, e që sipas të cilit pa ndihmën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe organizatave tjera nuk do mund të mjekonin të plagosurit dhe të sëmurit gjatë luftës.
“Vështirësitë gjatë luftës ishin të shumta, kryesisht për furnizime me barna dhe material tjetër shëndetësor. Fal UÇK-së shoqatës “Nena Tereza”, si dhe organizatave ndërkombëtare humanitare dhe angazhimi i shumë njerëzve të tjerë kemi arrit që t’ju dalim në ndihmë të sëmurëve dhe të plagosurve gjatë periudhës së luftës”, tha ai.
Në mesin e gjithë këtyre vështirësive Dr. Beka vazhdoi që të jepte kontributin e tij si kirurg, që sipas tij qëllimi i vetëm ishte që t’i ndihmonte sa do pak popullin që kishin nevojë më së shumti për të në atë kohë.
“Unë kam qenë kirurg i përgjithshëm dhe ishte kënaqësia ime më e madhe që pata mundësi që të gjendem pranë popullit tim në kohërat me të vështira që ka kaluar, është periudha më e lumtur dhe më krenare e jetës sime, do të ndihesha shumë keq nëse nuk do te isha pjesë e luftës që beri UÇK-ja dhe populli ynë”, tregoi Dr. Beka.
Gjatë intervistës Beka nuk harroi t’i përmend edhe disa nga kushtet të cilat i mungojnë stafit mjekësorë edhe gjatë kohëve të sotme, në mesin e të cilave ishin edhe pagat e ulëta.
“ Tash ka shumë gjera që e vështirësojnë mbarëvajtjen e punëve siç është: buxheti i pa mjaftueshëm, mungesa e sigurimeve shëndetësore, mungesa e barnave dhe materialit tjetër sanitar, pagat shumë të ulëta për mjeket, stafin e mesëm dhe stafit tjetër ndihmës si dhe shumë pengesa tjera.”, përfundoi ai.
Kujtojmë që në periudhën e luftës mjekët dhe infermieret shpesh here kanë dezinfektuar jo vetëm pajisjet esenciale por edhe gjilpërat ( përmes valimit, zierjes në ujë ose edhe flakërimit), në mungesë të materialeve në mënyre që të shpëtojnë sa më shumë të plagosur.