Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Rastet me pneumoni rriten në SHBA dhe arsyeja mund t’ju befasojë

Ani pse gripat e ftohjet shpeshtohen gjatë vjeshtës e dimrit, rastet me “pneumoninë që ecën” janë duke u rritur në SHBA.

Qendra për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), muajin e kaluar e ka publikuar një dokument përmes të cilit ka alarmuar se rastet me “pneumoni që ecën” po rriten shumë, ka shkruar HuffPost.

Infeksioni, i cili shkaktohet nga bakteri Mycoplasma pneumoniae, dëmton muret e traktit respirator, përfshirë fytin, tubin e frymëmarrjes si dhe mushkëritë. Simptomat, përfshirë kollitjen dhe teshtimën, janë zakonisht më të lehta se ato të infeksionit të mushkërive, prandaj njerëzit nuk e shohin të arsyeshme për të qëndruar në shtëpi, gjë që i ka dhënë sëmundjes nofkën “pneumonia që ecën”.
“Lehtësimi  më i madh është se simptomet e infeksionit me Mycoplasma janë përgjithësisht të lehta dhe përmirësohen pa pasur nevojë për antibiotik”, ka thënë doktori Zachary Hoy, pediatër në Pediatrix Medical Group në Nashvile.

Doktorët janë duke parë shumë më shumë raste tash, gjë që do të thotë se ka filluar shumë më herët se vitin e kaluar.

Hoy thotë se pacientët e tij, shumica e të cilëve janë fëmijë të moshës 5 vjeç e tutje, kanë ardhur me simptome si kolitja, mungesa e fuqisë dhe luhatje të vogël të temperaturës.

Infeksioni zakonisht është i lehtë por simptomat zgjasin për disa javë.

“Zakonisht këto simptome vazhdojnë për disa ditë pa parë përmirësime të gjendjes”, ka thënë doktori.
Doktori Allen Dozor, pulmolog për fëmijë në Medial Collage në New York, ka thënë se çdo vit trajton njerëz me “pneumoni që ecën”, por këtë vit rastet kanë filluar të ndodhin më herët.

Ai e ka vënë re se rastet po rriteshin që në muajin gusht dhe po vazhdon të ketë pacientë javë pas jave.

“Ne gjithmonë shohim shumë raste në fillim të vjeshtës edhe këtë vit gjithashtu, por këto raste filluan herët. Dy javë pasi të fillojë shkolla nisin telefonatat ku njerëz që kërkojnë të bëjnë kontrolle”, ka shpjeguar Dozor.

Ani pse “pneumonia që ecën” ndodh më shpesh te fëmijët dhe adoleshentët, prej moshës 5 deri në 17 vjeç, sëmundja mund të prekë njerëzit e të gjitha moshave.

Sipas CDC, që nga fundi i stinës së pranverës, rastet me teste pozitive janë rritur nga 0.7 për qind sa ka qenë në 3.3 për qind për të gjitha grup moshat.

“Ani pse po shohim rritje të rasteve me pneumoni, shumica e rasteve te infektuara po kanë simptome të lehta”, ka thënë doktori Wassim M.Ballkan, shef i departamentit të infektives në spitalin Phoneix Children’s.

Teoritë e ekspertëve se përse po ndodh kjo

Zyrtarët e CDC kanë deklaruar se po dyshojnë që prevalenca është rezultat direkt që vjen nga dobësimi i imunitetit që ka ndodhur pas pandemisë Covid-19.

Përgjatë pandemisë, njerëzit janë ruajtur duke përdorur masa mbrojtëse, gjë që ka parandaluar shpërndarjen e shumë sëmundjeve, përfshirë “pneumoninë që ecën”.

“Pasi masat filluan të zbuten dhe njerëzit filluan me praktikat jetësore siç kishin bërë para pandemisë, doktorët filluan të vinin re se po rriteshin rastet me probleme të frymëmarrjes, të cilat po thuajse nuk ekzistoni përgjatë pjesës së parë të pandemisë”, ka thënë Ballan.

Sipas zyrtarëve të CDC, në vitin 2023, “pneumonia që ecën” filloi vërshimin, duke infektuar shumë njerëz në mbarë botën.

Mund të ketë edhe të tjerë faktorë të përfshirë. Për shembull, doktori Dozor, ka thënë se ndryshimet klimatike kanë lidhje me rritjen e rasteve me infeksione në kanalet e frymëmarrjes, po ashtu edhe ajri i ndotur, i cili i bën fëmijët më pak imun ndaj problemeve te frymëmarrjes si pneumonia.

“Pneumonia që ecën” shpërndahet sikur të gjitha sëmundjet tjera, por koha e inkubacionit mund të jetë më e gjatë

Bakteri shpërndahet nga spërklat që mund t’i shpërndajë në ajër personi i infektuar ndërkohë që kollitet apo teshtinë. Njerëzit e tjerë mund të infektohen nëse këto spërkla kalojnë në traktin e frymëmarrjes së tyre, ndërkohë që ata marrin frymë.

Zyrtarët e CDC-së kanë deklaruar se nëse dikush kalon pak kohë me dikë që ka “pneumoni qe ecën”, zakonisht nuk infektohet. Por nëse dikush jeton apo qëndron pranë dikujt që është i infektuar me këtë sëmundje, gjasat për infektim janë më të mëdha.

“Një deri në katër javë mund të zgjasë inkubacioni, prandaj mund të jeni të ekspozuar ndaj dikujt me pneumoni dhe të mos infektoheni, ndërkohë që simptomet e para të sëmundjes mund t’i vini re disa javë më vonë”, ka thënë Hoy.

Ai ka këshilluar se mënyra më e mirë për të evituar infeksionin është të lahen duart shpesh dhe të përdoret dezinfektues i duarve. 

Dozor, në anën tjetër, ka thënë se maskat e kualitetit të lartë funksionojnë shumë mirë, por ky tip i pneumonisë është mjaft ngjitës, prandaj nuk ka pasur masë preventive që mund të jetë 100 për qind efektive.

Çka duhet bërë nëse dikush mendon se ai/ajo janë infektuar me “pneumoni qe ecën”?

Shumica e njerëzve që kanë “pneumoni që ecën” kanë simptome të lehta dhe gjendja e tyre mund të përmirësohet pa pasur nevojë për ilaçe me antibiotikë.

“Simptomat shpesh mund të përkeqësohen pas disa ditësh, është mirë që të pushoni në shtëpi”, ka thënë Dozor dhe ka shtuar se kollitja duhet të ndalojë brenda dy javësh.

Nëse simptomat vazhdojnë apo përkeqësohen, pacientët duhet të konsultohen me mjekun përkatës, ndërkohë që mjeku do të mund të përshkruajë antibiotik si azitromicina, në mënyrë që të përshpejtohet shërimi.

Por Dozor ka thënë se kjo metodë aplikohet për njerëzit që janë më të rrezikuar për kalim të sëmundjes në mushkëri, si për shembull ata njerëz që kanë sëmundjet të astmës apo fibrozës cistike.
Ekspertët kanë rekomanduar që ndërkohë që dikush teshtinë, duhet të teshtijë në krah duke e parandaluar shpërndarjen e spërklave. Gjithashtu rekomandohet izolimi në shtëpi për disa ditë, derisa të ulet vlugu i simptomave, në mënyrë që të ulët mundësia për t’i infektuar personat tjerë.

“Mënyra më e mirë për të ulur mundësinë për shpërndarjen e sëmundjes është t’i mbroni njerëzit që kanë imunitet më të dobët si fëmijët dhe më të vjetrit. Nëse e shihni që ndonjë anëtar i familjes që i përket këtyre grup moshave, ka simptoma të tilla, mbajeni në shtëpi nëse kanë temperaturë apo nëse kolliten e teshtijnë shpesh, duke mos i qëndruar shumë afër fizikisht”, ka thënë Dozor.

Youtube

Arkiva

Kategoritë