Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Qumështi pa Laktozë – Si Përgatitet Dhe Kush Mund ta Përdorë

I ushqyeshëm, lehtësisht i tretshëm dhe i përshtatshëm për të gjithë: po flasim për qumështin pa laktozë, zgjidhja perfekte për ata që pavarësisht se vuajnë nga intoleranca, nuk duan të heqin dorë nga ky produkt i shijshëm.

Trupi e sintetizon laktozën përmes një enzime të quajtur laktazë dhe ata që nuk kanë sasi të mjaftueshme të laktazës nuk janë në gjendje ta tresin atë, duke shfaqur kështu një intolerancë ndaj qumështit dhe shumë prej derivateve të tij. Intoleranca ndaj laktozës manifestohet përmes ngërçeve, dhimbjeve të barkut, apo diarresë, simptoma që nuk janë aspak të këndshme.

Për të zgjidhur problemin dhe për të qenë në gjendje të shijoni një ëmbëlsirë të shijshme apo ushqime të tjera, industria ushqimore ka filluar të prodhojë shumë lloje pijesh me origjinë bimore dhe ka “zbuluar” se si të eliminojë laktozën nga qumështi. Por, si prodhohet qumështi pa laktozë? AgroWeb.org ju fton ta zbuloni këtë më poshtë.

Çfarë është dhe si prodhohet qumësht pa laktozë

Fillimisht merret qumështi i zakonshëm i lopës, ai përpunohet kimikisht në mënyrë ta bëjë laktozën joefektive. Me fjalë më të thjeshta laktoza është një sheqer i përbërë nga dy monosakaride, glukoza dhe galaktoza. Përmes një procesi hidrolize, këto ndahen, duke u bërë të tretshme edhe nga ata që vuajnë nga intoleranca.

Procesi mund të bëhet me hidrolizë ose me filtrim, e në të dyja rastet, përftohet një produkt që është i tretshëm, por më i ëmbël se qumështi që përmban laktozë. Arsyeja se përse kjo ndodh është se kur dy monosakaridet që përbëjnë laktozën ndahen, kanë një fuqi më të madhe ëmbëlsuese.

Po djathrat pa laktozë?

Ato ekzistojnë dhe ka shumë prej tyre. Në fakt, shumë djathëra e humbasin pjesën më të madhe (ose të gjithë) të laktozës gjatë procesit të maturimit, në raste të tjera përpunohen me shtimin e laktazës dhe industrialisht privohen nga ky sheqer.

Cilat janë ndryshimet midis qumështit të lopës me laktozë dhe qumështit pa laktozë?

Ndryshimi i vetëm është pikërisht se qumështi pa laktozë tretet më kollaj. Përveç kësaj ka të njëjtat vlera, të njëjtën sasi kalorish, proteinash, fibrash dhe kripërash minerale si qumështi që përmban laktozë. Duhet theksuar se vlerat e qumështit pa laktozë ndryshojnë në bazë të faktit nëse është i apo jo skremuar.

Kush mund të pijë qumësht pa laktozë?

Përgjigja është e thjeshtë: të gjithë. Ky lloj qumështi tregohet jo vetëm për personat intolerantë ndaj laktozës, por edhe për ata që nuk kanë vështirësi në tretjen e këtij sheqeri qumështi. Ky produkt mund të përdoret gjithashtu në të gjitha recetat që përfshijnë përdorimin e qumështit “normal”, në të njëjtat sasi dhe përmasa pa ndikuar në shijen dhe strukturën e ushqimit. /AgroWeb.org

Youtube

Arkiva

Kategoritë