Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Pulmologu Haxhiaj “ Netët e kujdestarisë janë të frikshme, shumë raste, shumë përkeqësime e shumë vdekje kemi çdo ditë”


Në qetësinë e korridoreve të spitalit, aty ku dëgjohen vetëm tingujt e aparaturave  që mbajnë në jetë pacientët dhe ofshamat e dhimbjeve e lodhjeve të tyre netëve të gjata, janë edhe hapat e mjekëve dhe infermierëve që prishin atë qetësi të frikshme.

Në shtatë ditët e javës,  24 orë, personeli shëndetësor mishërohen me secilin pacient, e përcjellin gjendjen e tyre dhe dëshpërohen kur procesi i përmirësim nuk shkon ashtu siç presin.

U bënë më shumë së 1 vit që kur tmerri i humbjes së jetërave po i shoqëron çdo ditë ata.

I njëjti dinamizëm qëndron edhe në Klinikën e Pulmologjisë, aty ku këtë të diel një nga mjekët kujdestar është edhe dr. Artan Haxhiaj.

“Kujdestaritë gjatë periudhës së pandemisë kanë qenë vazhdimisht të vështira, duke u nisur nga fakti se gjithmonë klinika ku unë punoj (Klinika e Pulmologjisë) ka qenë në kapacitete të plota” ka thënë Dr. Artani për portalin “Familja Jonë”

Përveç që menaxhimi ka qenë i lodhshëm fizikisht, emocionalisht e psikikisht, ajo që ka vështiruar punën është edhe kapaciteti i stafit, sipas Dr Artan Haxhiaj:   “Raporti mjek-pacient ka qenë mesatarisht 1 mjek për 40-45 pacientë dhe nevojat e tyre kanë qenë të vazhdueshme për mjekim. Duke u nisur nga fakti që COVID-19 ka  qenë i ri për lëmin e mjekësisë, njësoj ka qenë edhe shqetësimi i pacientëve, si rezultat  i gjithë stafi mjekësor dhe infermier jemi detyruar që  të jemi shumë vigjilentë çdo sekondë në 24 orë”.

Sikur mos të mjaftonte kjo, sfiduese për mantelbardhët ka qenë edhe mungesa e infrastrukturës së nevojshme. Shpesh është dashur të modifikohen, duke filluar nga numri i shtretërve e deri te gjërat esenciale, ka thënë pulmologu Haxhiaj.

“Përpos lodhjes së vazhdueshme që jemi përballur gjatë kësaj kohe, ajo që na ka preukopuar më së shumti gjatë gjithë këtyre muajve të pandemisë ka qenë edhe mungesa e infrastrukturës së nevojshme. Duke u nisur nga mungesa e shtretërve, disa herë edhe e barnave, mungesa e stafit mbështetës teknik për transferimin e rasteve më të rënduara, e shumë mungesa tjera esenciale.
Në anën tjetër kërkesa për mjekim dhe marrjes së shërbimeve nga pulmologu ka qenë çdo ditë e më shumë, sepse, siç e dimë, virusi i prek direkt mushkëritë dhe shumica e pacientëve kane manifestuar me pneumoni”, theksoi ai.

Sipas dr. Artanit, Klinika e Pulmologjisë ka fluksin më të madh të pacientëve dhe kërkesat më të mëdha për konsulta me secilën klinikë ku trajtohen pacientë me COVID-19

Sonte, derisa ai bashkë me kolegët e tij janë duke kujdestaruar,  dr. Artan Haxhiaj thotë se: “Gjendja e përgjithshme e pacientëve aktualisht është stabile. Kuptohet se kemi  edhe raste me gjendje më të rënduar për të cilat sigurisht që fokusi i ekipës sonë është më  i madh.
Momentalisht në klinikën tonë gjendja është e menaxheushme, por kjo nga minuta në minutë na ndryshon. Janë vazhdimisht dyert e hapura të klinikës, për qytetarët që vijnë të marrin shërbime në pranimin e klinikës, është po ashtu e frikshme si u ndryshon gjendja pacientëve. Por ajo çka është shumë e trishtë për neve si personel është numri i vogël i shtretërve të lirë. Kjo na jep ankth, prandaj apeloj te  të gjithë të bëjnë shumë kujdes, COVID-19 po vazhdon të na sfidojë, po vazhdon të na marrë më të dashurit tanë, po vazhdon të na dominojë.
Unë e humba babën nga ky virus, ju lutem juve ruani vetën edhe familjaret e tuaj, humbja dhemb shumë dhe nuk kompensohet më asgjë.”, përfundoi ai. /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë