Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Procesi i zbardhjes së dhëmbëve, a ka efekt edhe tek mbushja e tyre – Shpjegon Dr. Arianit Kallaba

Në ditët e sotme estetika ka një rëndësi të veçantë, e duke qenë se fytyra dhe në veçanti goja e dhëmbët luajnë një rol të rëndësishëm, ka lindur nevoja e zhvillimit të stomatologjisë estetike.

Pse dhëmbët ndërrojnë ngjyrën?

Shkaqet e ndërrimit të ngjyrës së dhëmbëve janë të shumta, ndër të parat është higjiena e pamjaftueshme, në disa raste ushqime ose pije të veçanta si koka kola, kafeja, ushqime që kanë ngjyrosës.
Por mund të jetë edhe nga shkaqet traumatike si traumat e dhëmbit (thyerje, goditje etj.), heqja e nervit të dhëmbit. Një rol në ndryshimin e ngjyrës mund të konsiderohen edhe barnat e ndryshme, përdorimi i antibiotikëve si tetraciklina nga nëna gjatë shtatzanisë ose nga femija, ndikon te ndërrimi i ngjyrës se dhëmbëve të fëmijës.

Si ndodh (funksionon) zbardhimi?

Lëndët që përdoren për zbardhim janë: Carbamide Peroxide dhe Hydrogen Peroxide( ujë i oksigjenuar). Këto dy lëndë kanë aftësinë (cilësinë) të kalojnë lirshëm nëpërmjet shtresave të dhëmbit (zmalti, dentina) dhe përhapen në gjithë pjesët e dhëmbit. Këto Perokside (Carbamide dhe Hydrogen peroxide) shpërbëhen në radikale oksigjeni, të cilat hyjnë ndërmjet prizmave të zmaltit (shtresa e jashtme e dhëmbit), duke shpërndarë (asgjësuar) molekulat e ngyrosura që ndikojnë në ngjyrosjen e dhëmbit.
Zbardhimi nuk ndikon në strukturën e dhëmbit, vetëm se ngjyra e brendëshme e dhëmbit bëhet më e (çelët) bardhë.

Agjentët zbardhues copëtohen në molekula më të vogla dhe lëvizin në të gjitha drejtimet brenda dhëmbit. Edhe nëse i gjithë dhëmbi nuk është i mbuluar me zbardhues, ai zbardhet i gjithi.
Studime të shumta shkencore kanë vërtetuar efikasitetin e peroksideve në zbardhimin e dhëmbëve.
Zmalti dhe dentina (dy shtresat e dhëmbit), mbushjet egzistuese dhe porcelani nuk preken, ndikohen apo dëmtohen nga agjentët zbardhues.

A ndikon zbardhimi në lidhjen midis mbushjes dhe dhëmbit?

Megjithëse agjentët zbardhues lëshojnë sasi të mëdha oksigjeni në dhëmbë, lidhjet e mbushjeve egzistuese me dhëmbët nuk ndikohen.
Por nëse duhen bërë mbushje të bardha pas zbardhimit, duhet pritur për një periudhë prej 7-10 ditësh pasi sasia e lartë e oksigjenit në dhëmbë ndikon negativisht në lidhjen e mbushjes me dhëmbin (për mbushjet e reja që do bëhen).

Sa kohë zgjat efekti i zbardhimit?

Rezultatet e zbardhimit janë të qëndrueshme. Sidoqoftë në vartësi të zakoneve të të ushqyerit dhe mënyrës së jetesës, mund të nevojitet përsëritja periodike e zbardhimit,në çdo 2 vjet.
Për të ruajtur të pandryshuar efektin e zbardhimit rekomandohet përdorimi i rregullt i pastës zbardhuese të këshilluar nga mjeku.k

Si ndodh (funksionon) zbardhimi?

Ndjeshmëria e dhëmbit është një efekt anësor i përkohshëm i zbardhimit. Kjo ndjeshmëri është e përkohëshme dhe largohet pas përfundimit të zbardhimit. Produktet zbardhuese të kohëve të fundit kanë në përbërje (Potasium Nitrat) elementë që eliminojnë ndjeshmërinë ndaj të ftohtit dhe të nxehtit.
Kërkimet shkencore kanë treguar se Nitrati i Potasiumit, penetron në zmalt, dentinë e deri në nerv, duke vepruar si një qetësues dhimbjeshë (analgjezik dhe anestetik).
Produktet zbardhuese kanë në përbërje dhe Fluor,një element që ul ndjeshmërinë e dhëmbit si dhe e mbron atë nga prishja.

A shkakton zbardhimi probleme, duke dëmtuar apo dobësuar zmaltin (shtresën e jashtme) e dhëmbëve?

Sipas kërkimeve shkencore, të pranuara edhe nga “American Association of Dental Research” (Shoqata Amerikane e kërkimeve Dentare), produktet zbardhues që kanë në përmbajtje Nitrat Potasiumi dhe Fluor, ulin ndjeshmërinë e dhëmbit ndaj të nxehtave dhe të ftohtave, ndikojnë pozitivisht në shëndetin e përgjithshëm të gojës/dhëmbëve, kanë efekt anti karies (kundra prishjes), rrisin mikrofortësinë e zmaltit.

E rëndësishme: Zbardhimi duhet të bëhet vetëm nën mbikqyrjen e dentistit.

Sa mënyra zbardhimi ka?

Zbardhimi bëhet në këto mënyra:
1. Office Bleaching: Bëhet në klinikë, zgjat rreth 30 min dhe mund të bëhen disa seanca deri në arritjen e ngjyrës që kërkon pacienti. Lënda aktive është në përqindje të lartë (38%-35% Peroksid Hidrogjeni).

2. Home Bleaching: Merret masa e gojës dhe përgatiten këllëf silikoni, që mbushen me lëndë zbardhuese dhe mbahen në gojë gjatë ditës ose natës. Koha e mbajtjes varion nga 45 min deri në gjithë natën në varësi të përqindjes së lëndës aktive që bën zbardhimin (10%-15%-20%-22% Karbamide Peroksid).

3. Non-Vital Bleaching: Zbardhim që u bëhet vetëm dhëmbëve që u është hequr nervi e kane nderruar ngjyrë. Në këtë rast hiqet mbushja e dhëmbit, vendoset brenda dhëmbit lënda zbardhuese dhe lihet të veprojë 3-5 ditë. Kjo mund të përsëritet disa herë deri sa të zbardhet dhëmbi. Më pas vihet mbushje e përkohshme dhe pritet 10-15 ditë që të stabilizohet niveli i oksigjenit në dhëmb e më pas bëhet mbushja përfundimtare.

Youtube

Arkiva

Kategoritë