Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme policore për kapjen e personave që po qarkullojnë me armë pa autorizim dhe krejt kjo në funksion të parandalimit të akteve kriminale.
“Në kuadër të veprimeve operative që po kryen policia, sot rreth orës 09:30, në rrugë “B” në Prishtinë, është ndaluar vetura Golf -VII- , ngjyrë e zezë me targa të Kosovës. Marrë parasysh rrethanat në të cilat ishte ndaluar vetura, policia kishte ushtruar një kontroll të detajuar ndaj personave dhe veturës me ç’ rast ka arritur që në brezin e të dyshuarit të gjej dhe të sekuestrojë:
•Një revole të tipit BERETTA, kalibër 9mm, si dhe,
•Tre copë fishekë, kalibër 9 mm”, thuhet në njoftimin e policisë.
Policia ka bërë të ditur se i dyshuari; L. M, mashkull 33 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, është shoqëruar në stacionin policor dhe ndaj tij është iniciuar rasti për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armës, dhe në konsultim me prokurorin e shtetit i njëjti është proceduar më tej.
“Ndërkohë që vazhdon angazhimi policor, sot rreth orës 09:30 policia ka sekuestruar edhe një revole të tipit GECO mod225, kalibër 9mm. Arma është sekuestruar në fshatin Llukar të Prishtinës në afërsi të oborrit të shkollës”, thuhet në njoftim.
Ndërlidhur me rastin policia ka iniciuar një hetim në përputhje me rekomandimin e prokurorit të shtetit.