Teksa gripi i shpendëve H5N1 vazhdon të përhapet midis lopëve qumështore në Shtetet e Bashkuara, gati 5 milionë doza të vaksinës së gripit po përgatiten tani për përdorim të mundshëm te njerëzit.
Që kur filloi shpërthimi në bagëti këtë pranverë, gripi i shpendëve është konfirmuar te tre njerëz që punonin në fermat e qumështit në Teksas dhe Miçigan dhe ekspertët e shëndetit janë të shqetësuar se virusi mund të ndryshojë deri në atë pikë sa të përhapet lehtësisht te njerëzit.
Si përgjigje, prodhuesi i vaksinave CSL Seqirus njoftoi javën e kaluar se ishte ngarkuar të bënte doza shtesë të vaksinës së gripit në uzinën e tij në Karolinën e Veriut.
“Ajo përdor një metodë prodhimi shumë të shkallëzueshme dhe aktualisht është e pozicionuar për të ofruar deri në 150 milionë doza të vaksinës së gripit për të mbështetur një përgjigje pandemike të gripit brenda gjashtë muajve nga një deklaratë pandemie”, vuri në dukje kompania në një njoftim për shtyp.
“CDC [Qendrat e ShBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve] e ruan rrezikun për shëndetin publik në nivel të ulët. Ne jemi duke e monitoruar nga afër situatën sepse jemi plotësisht të vetëdijshëm për kërcënimin që mund të paraqesin shtamet e virusit të gripit si H5N1 dhe e marrim seriozisht rolin tonë në gatishmëri në përpjekje së bashku me qeverinë dhe partnerët tanë të shëndetit publik”, tha në njoftimin për shtyp Marc Lacey, drejtor ekzekutiv global për pandeminë në CSL Seqirus.
“Kjo marrëveshje do të ndihmojë në mbështetjen e aftësisë së qeverisë së ShBA-së për të reaguar me shpejtësi në rast se situata aktuale e gripit të shpendëve ndryshon”.
Dozat e reja të vaksinës kombinojnë një antigjen që synon pjesën H5 të virusit H5N1 me një përbërës të krijuar për të rritur përgjigjen imune të shkaktuar nga vaksina.
Teksa prodhimi i këtyre dozave të reja të vaksinës së gripit është vendosur të përfundojë “më vonë këtë verë”, ato mund të mos jenë gati për përdorim menjëherë.