Një medikament në zhvillim mund të ofrojë një opsion shumë të nevojshëm për gratë që kërkojnë lehtësim nga afshet e nxehta dhe simptomat e tjera të menopauzës, zbulon një studim i ri.
Ilaçi, elinzanetant, ul frekuencën e afsheve të nxehta mesatarisht me rreth 56% pas një muaji përdorimi dhe me më shumë se 65% pas tre muajsh, shkruan burimi Health Day.
Në përgjithësi, rreth 62% e më shumë se 300 grave në postmenopauzë në dy studime përjetuan “të paktën 50% reduktim të frekuencës [afsheve të nxehta]”, shkroi një ekip i udhëhequr nga Dr. JoAnn Pinkerton, nga Universiteti i Shëndetit të Virxhinias në Charlottesville.
Ilaçi gjithashtu u duk se reduktonte ashpërsinë e kësaj simptome.
Dy provat u financuan nga prodhuesi i ilaçit elinzanetant, kompania Bayer dhe u botuan më 22 gusht në “Journal of the American Medical Association”. Bazuar pjesërisht në këto rezultate, kompania njoftoi në fillim të këtij muaji se kishte paraqitur një aplikim të ri për ilaçin elinzanetant në Administratën Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA).
Sipas ekipit të Pinkerton, deri në 80% e grave do të përjetojnë afshe të nxehta – të njohura mjekësisht si simptoma vazomotore të menopauzës (VSM) – gjatë menopauzës, ndonjëherë që zgjasin për shumë vite.
Afshet e nxehta mund të jenë dobësuese dhe të vështira për t’u parashikuar, dhe ka pak opsione terapeutike për t’i trajtuar ato.