Në familjen e frutave të malit bëjnë pjesë edhe boronicat, të cilat janë të mbushura me vlera ushqyese, vitamina, fibra dhe antioksidantë.
Ato kanë fuqi të luftojnë kundër sëmundjeve të ndryshme kronike, të përmirësojnë shikimin, të rrisin funksionin e organeve tretëse dhe të mbështesin sistemin imunitar. Antioksidantët që gjendet në boronica ndihmojnë teksturën e lëkurës duke e mbrojtur nga krijimi i rrudhave dhe inflamacionet, shkruan EatingWell.
Boronicat zvogëlojnë rrezikun nga sëmundjet kronike
Këto fruta përmbajnë anthocyanine, të cilat ndihmojnë kundër sëmundjeve kronike. Sipas një studimi që është bërë në vitin 2020, i cili është publikuar në “Advances in Nutrition”, këto komponime luftojnë kundër stresit oksidativ dhe inflamacioneve, dy faktorë që luajnë rol në krijimin e sëmundjeve kronike.
“Konsumimi i boronicave mund të ulë mundësitë për zhvillimin e sëmundjeve kronike për shkak të komponimeve e vlerave ushqyese që përmbajnë. Boronicat zvogëlojnë mundësinë që trupi të zhvillojë sëmundje si diabeti i tipit 2, sëmundjet e zemrës e ato të harresës”, ka thënë dietologia Brittany Lubeck për EatingWell.
Boronicat mund të zvogëlojnë presionin e lartë të gjakut dhe kolesterolin
Komponimet kimike që gjenden në boronica kanë fuqi të ndikojnë në uljen e presionit të lartë të gjakut. Një studim që është bërë në vitin 2023, i cili u publikua në “American Journal of Clinical Nutrition”, ka sugjeruar se pjesëmarrësit që konsumonin një tas me boronica në ditë, patën tension më të ulët të gjakut.
Fibrat që gjenden në këto fruta mund të ndikojnë në uljen e yndyrave të pashëndetshme në gjak apo kolesterolit. Një studim që është bërë në vitin 2020, i cili u publikua në “Advances in Nutrition”, ka gjetur se boronicat zvogëlojnë nivelin e yndyrave të pashëndetshme në gjak, për shkak të fibrave që përmbajnë si dhe vlerat e tjera ushqyese.
Boronicat ndikojnë kundër sëmundjeve të harresës
Një studim që është publikuar në “American Journal of Clinical Nutrition”, ka gjetur se funksionimi i turirit dhe aftësive njohëse përmirësohej kur pjesëmarrësit konsumonin një tas me boronica në ditë.
Kjo thuhet se ndodh për shkak që kur enët e gjakut janë të relaksuara, lejohet qarkullim më i mirë i gjakut, që gjë ndihmon të menduarit. Rol në aftësitë njohëse luajnë edhe antioksidantët që gjenden në boronica.
Përfitime të tjera shëndetësore
Përveç këtyre të mirave, boronicat mund të përmirësojnë shikimin, pasi përmbajnë vitaminë C e A të cilat janë të nevojshme për sy të shëndetshëm.
Boronicat përmirësojnë procesin e tretjes së ushqimit për shkak të fibrave që përmbajnë. Këto fruta zvogëlojnë edhe inflamacionet kronike për shkak së përmbajnë polifenole, të cilat kanë veti antiinflamatore.
Boronicat përmirësojnë edhe nivelin e sheqerit në gjak sepse përmbajnë komponimin që quhet, anthyocyanin, komponim ky që u jep atyre ngjyrën e kaltër të errët, i cili ndikon në ndjeshmërinë ndaj insulinës.