Me ndihmën e ekspertëve të sëmundjeve infektive dhe studimeve, mund të krasojmë variantet Omicron dhe Delta – dhe çfarë do të thotë kjo për shëndetin tonë.
Simptomat
Mbani mend se pavarësisht nëse po flasim për Delta ose Omicron (ose ndonjë variant tjetër të Covid-19), sërish bëhet fjalë për të njëjtin virus SARS-CoV-2 – dhe kjo do të thotë se ndërkohë që simptoma të caktuara mund të jenë më të theksuara te njëri variant, simptomat e të gjitha varianteve të Covid-19 do të jenë të ngjashme, sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive (CDC). Simptomat e mëposhtme janë më të zakonshmet për Covid:
– Temperaturë dhe/ose ethe
– Kollë
– Bllokim të frymëmarrjes/vështirësi në frymëmarrje
– Lodhje
– Dhimbje muskujsh ose trupi
– Dhimbje koke
– Humbje e shijes ose nuhatjes
– Dhimbje e fytit
– Bllokim ose rrjedhje e hundës
– Të përziera ose të vjella
– Diarre
Nuk ka asnjë udhëzim zyrtar se cilat simptoma janë më të përhapura me lloje të caktuara të virusit, por ka pasur një sërë raportesh anekdotike mbi simptomat me të dy variantet. Varianti Delta, për shembull, dukej se shkaktonte më shumë dhimbje koke, dhimbje fyti dhe rrjedhje hundësh, tha për The New York Times në qershor Tim Spector, një epidemiolog gjenetik në King’s College në Londër, ndërkohë, temperatura, kolla dhe humbja e nuhatjes raportoheshin më rrallë.
Omicron, gjithashtu, në dukje ka shkaktuar më shumë simptoma të ngjashme me të ftohtin. Sipas të dhënave të mbledhura nga Studimi i ZOE Covid – një aplikacion i cili u kërkon njerëzve të raportojnë simptomat e sëmundjes – pesë simptomat kryesore të lidhura me raste të konfirmuara ose të dyshuara të Omicron përfshijnë: rrjedhje hundësh, dhimbje koke, lodhje, tështima dhe dhimbje fyti.
Ashtu si me variantin Delta, njerëzit me Omicron raportuan më rrallë temperaturë, kollë ose humbje të nuhatjes ose shijes. Në përgjithësi, analiza e Studimit të ZOE Covid nuk gjeti asnjë ndryshim të qartë në ndarjen e simptomave të variantit Delta dhe Omicron.
Ashpërsia
Të dhënat tregojnë se Omicron duket të jetë më i butë se paraardhësi i tij. “Simptomat janë pak më pak intensive dhe është një sëmundje më e lehtë që rezulton në më pak shtrime në spital dhe vdekje sesa Delta,” tregon për Health Robert Murphy, profesor i sëmundjeve infektive. Mirëpo pavarësisht se është më pak i ashpër se Delta, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka bërë me dije se Omicron nuk duhet të konsiderohet si i lehtë.
Transmetueshmëria
Të dhënat e disponueshme për transmetueshmërinë e Omicron tani janë paraprake, por tregojnë se varianti përhapet shumë më shpejt se Delta te njerëzit e vaksinuar dhe të pavaksinuar. Studiuesit kanë thënë se Omicron ka më pak gjasa që të dëmtojë mushkëritë dhe virusi qëndron më së shumti në traktin e sipërm respirator.
Çfarë do të thotë kjo për ju
Edhe pse me disa dallime, masat kryesore parandaluese për të dy variantet mbeten të njëjta: vaksinat, mbajtja e maskave për fytyrën distanca sociale dhe qëndrimi larg njerëzve që kanë virus (dhe qëndrimi larg të tjerëve nëse keni ju virus).