Oda e Infermierëve të Kosovës ka theksuar se jeta dhe shëndeti i qytetarëve është pika jetike në sfidën globale të shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit, e cila shënohet çdo vit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Naser Rrustemaj, kryetari i Odës së Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë, ka thënë se në luftën me pandeminë COVID-19, janë infermierët ata që po tregojnë dije e guxim në ruajtjen, promovimin dhe kujdesin ndaj shëndetit të pacientëve, duke vënë shëndetin e qytetarëve mbi jetën dhe shëndetin e tyre dhe të familjarëve.
“Oda e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve tjerë shëndetësorë ka vlerësimet më të larta për përkushtimin e treguar nga anëtarët e saj në ofrimin e shërbimeve shëndetësore në situatë pandemie. Janë infermierët, si komuniteti më i madh mjekësor në botë, pa të cilët lufta ndaj Covidit do të ishte e humbur”, ka thënë Rrustemaj.
Rrustemaj ka theksuar se jetët e shumta mes komunitetit dhe anëtarësisë tonë janë të pakthyeshme, por, OIK do të kujtojë me krenari gjithë infermierët dhe punonjësit tjerë shëndetësorë që humbën jetën si pasojë e infektimit me virusin COVID-19.
“OIK fton gjithë qytetarët e Kosovës të ndërgjegjësohen dhe të shtojnë kujdesin karshi infeksionit vdekjeprurës. Kjo është ndihma më e madhe edhe për stafin shëndetësor, për të qenë në krye të detyrës”, ka shtuar kryetari i OIK-ut, duke uruar që ky vit, të jetë i fundit kur Dita Botërore e Shëndetit, shënohet me një pandemi që po merr pa kursyeshëm jetë njerëzish.