Albina Selmanaj
Migrena është një formë kronike e dhimbjes së kokës, që përfshin një sërë simptomash neurologjike, si dhimbje të forta dhe pulsuese, ndjeshmëri ndaj dritës dhe tingujve, si dhe të përziera ose të vjella. Megjithëse është një gjendje mjaft e zakonshme, mekanizmi i saktë dhe arsyet e shfaqjes së migrenës nuk janë ende të qarta.
Për të diskutuar më shumë rreth migrenës si problem shëndetësor, “Familajonë” ka intervistuar neurologun, Dr.Milaim Krasniqi i cili ka treguar në hollësi jo vetëm për shkaktarët e mundshëm të migrenës, por edhe për ndikimin e rëndë që kjo gjendje ka në cilësinë e jetës së individëve që e përjetojnë.
Ndër të tjera, Dr. Krasniqi ka dhënë rekomandime të vlefshme për menaxhimin e migrenës, duke sjellë informacione më të detajuara mbi këtë çështje komplekse.
Intervista e plotë:
Çfarë e shkakton migrenën ?
Nuk njihet një shkaktar specifik i migrenës. Ka një lidhje të fortë me predispozitën gjenetike, ku rreth 70% e pacientëve me migrenë kanë një të afërm me një histori të migrenës.
Cilat janë shkaqet kryesore që kontribuojnë në përkeqësimin e migrenës , dhe a luajnë faktorët e jashtëm si stresi apo dieta një rol të rëndësishëm?
Faktorët nxitës të migrenës janë:
- Ushqimet: me përmbajtje tiraminë(djathi), mishi që përmban nitrite(salçiqet ose mishi i derrit), me permbajtje feniletilaminë(çokollada)
- Gjumi i tepërt ose i pamjaftueshëm
- Pirja e duhanit
- Ndryshimet e motit
- Erërat e forta( p.sh: parfumi)
- Ndryshimet hormonale(cikli menstrual,shtatzëna dhe ovulimi)
- Barnat/kontraceptivët oral dhe vazodilatatorët(nitroglicerina)
- Drita e fortë. Gjithashtu emocionet(stresi) dhe uria ose ushqyeshmëria jo e rregullt ndikojnë në përkeqësimin e migrenës.
Cilat janë simptomat kryesore të migrenës dhe sa ndikojnë në cilësinë e jetës së pacientëve që vuajnë nga kjo gjendje?
Migrena është kokëdhimbje me karakter pulsues. Dhimbje zakonisht në njërën anë të kokës ose përreth syrit, por mund të jet dhimbje kudo rreth kokës ose qafës, dhimbja krijohet brenda 1-2 ore dhe zgjatë 4-72 orë,dhimbje me intensitet të moderuar deri në të rëndë, dhimbje e cila intensifikohet me lëvizje ose aktivitet fizik, mundim(80%) dhe vjellje(50%), ndjeshmëri ndaj dritës dhe zërit.
Të gjitha këto simptoma ndikojnë dukshën në cilësin e jetës së pacientëve gjatë kohës sa janë me simptoma duke pasivizuar pacientin në aktivitet e përditshme, mungesën në punë dhe duke ndikur në ndryshimin e gjendjes emocionale.
Si bëhet diagnostikimi i migrenës ? Cilat teste ose kritere përdoren për të dalluar migrenën nga llojet e tjera të dhimbjeve të kokës?
Diagnoza e migrenës vendoset në bazë të ankesave dhe historisë së pacientit,
Nëse dyshohet në shkaktar të tjerë të kokëdhimbjes duhet analiza laboratorike dhe
imazherike.
Sa shpesh rekomandohet përdorimi i medikamenteve parandaluese për migrenën dhe cilat janë efektet anësore të zakonshme që lidhen me këto ilaçe?
Kriter për fillimin me medikamente parandaluese është nëse kokëdhimbja migrenoze paraqitet tri herë e më shumë gjatë muajit, në këto raste terapia parandaluese është e përditshme dhe zgjatë rreth tre muaj e më shumë. Medikamentet parandaluese dallojnë nga medikamentet të cilat ipen vetëm në rast të ndërprerjes së atakut migrenozë, prandaj medikamentet parandaluese kanë shumë më pak efekte anësore se medikamentet që përdoren në trajtimin akut. Nëse medikamentet për trajtimin atakut migrenoz përdoren çdo ditë mund të qojn deri në paraqitjen e kokëdhimbjes kronike të shkaktuar nga medikamentet.
Si mund të ndikojë stili i jetesës në menaxhimin e migrenës ? A ka ushqime ose faktorë të tjerë të mjedisit që pacientët duhet t’i shmangin?
Stili i jetës ka shumë rëndësi në menaxhimin e migrenës, siç e cekëm edhe më lartë rregullimi i ciklit të gjumit, shmangia e stresit, ushqyeshmëria e rregullt dhe shmangia e ushqimeve që nxisin migrenën, përmirësojn simptomat e migrenës dhe parandalojn shfaqjen e migrenës.
Cilat janë rekomandimet tuaja për pacientët me migrenë në menaxhimin afatgjatë të dhimbjeve?
Pacientët me migrenë duhet të bëjn vizita të rregullta tek neurologu për të vlerësuar dhe rivlerësuar se kur ka nevoj për terapi parandaluese dhe cila është ajo, si dhe ti shmanget faktorëve nxitës(provokues) të migrenës me qëllim që të bëjn një jetë sa më cilësore dhe sa më pak dhimbje.