Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Nesër ecja “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”

Shkruar nga Xheladin Ujkani – organizator, për “Familja Jonë”

Nesër, në Ditën ndërkombëtare të Shëndetit Oral, organizata pȅr Arsim, Shkencȅ dhe Shȅndetȅsi „KISCOMS“, pas dy viteve pushim për shkak të Pandemisë, realizon ecjen e gjashtë me radhë “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, që ka për qëllim informimin e fëmijëve e nxënësve mbi rëndësinë e shëndetit oral (shëndetit të dhëmbëve dhe të gojës).

Nisja bëhet në orën 12:30, nga sheshi “Zahir Pajaziti“, deri te sheshi “Ibrahim Rugova”. Gjatë Ecjes, lepuroshi i projektit, bashkarisht me fëmijët e nxënësit e institucioneve parshkollore e fillore, do ta këndojnë LIVE këngën “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”.

Nesër, në Ditën ndërkombëtare të Shëndetit Oral, gjatë ecjes, Dentisti i fëmijëve Xheladin Ujkani, njëherit udhëheqës i projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, nesër, do të kërkoj nga qeveria, përkatësisht nga Ministria e Shëndetësisë, që vizitat e fëmijëve te dentisti të bëhen të detyrueshme me ligj, para moshës tre vjeçare. Nga hulumtimet tona, mosha mesatare e fëmijëve ka rezultuar të jetë mosha pesë vjeçare, ndërsa mesatarja e dhëmbëve të prishur tek ky grup i fëmijëve ka qenë mbi dhjetë dhëmbë të prishur.

Planit për implementimin e programit për vizitat e detyrueshme të fëmijëve te dentisti duhet t’i paraprijë fillimi i implementimit të Ligjit për Sigurimin Shëndetësor, me Nr. 04/L-249, të miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovë, me datën 11 prill 2014. Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të fillojnë përgatitjet që ky ligj të fillojë të zbatohet nga fillimi i vitit të ardhshëm, pra vitit 2023.

Po ashtu, Ministria e Arsimit, gjatë regjistrimit të fëmijëve në klasën e parë, të kërkojnë nga prindërit edhe konfirmimin për gjendjen e dhëmbëve, sidomos mollarëve të parë të përhershëm të cilët fillojnë të dalin rreth moshës pesë-gjashtë vjeçare, në fund të harqeve të dhëmbëve të qumështit.

Prindërit duhet t’u kushtojnë rëndësi këtyre dhëmbëve, për shkak se duke menduar se edhe këta janë dhëmbë të qumështit, te një pjesë e madhe e fëmijëve, ende pa arritur moshën shtatë-tetë vjeçare, po dëmtohen aq shumë, duke rrezikuar kështu shpesh here edhe nxjerrjen e parakohëshme të tyre. Në mesatare, fëmijët e moshës gjashtë-shtatë vjeçare, ku kanë dalur katër molarët e parë të përhershëm, së paku dy prej atyre dhëmbëve i kanë të prishur.

Nga Ministria e Arsimit kërkojmë edhe ndalimin e futjes së ushqimeve të dëmshme në objektet shkollore, sidomos ushqimeve me shumë krip, shumë sheqer dhe pijeve të gazuara. Paralel me këto vendime, Ministria e Arsimit dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, duhet të investojnë në ndërtimin e kuzhinave në brendësi të objekteve shkollore, ku fëmijët do të kishin mundësi të ushqehen shëndetshëm. Kjo do të ndikonte në ruajtjen e shëndetit të dhëmbëve, shëndetit të pëgjithshëm por edhe në sigurinë e tyre gjatë qëndrimit në shkollë.

Modeli i përgatitjes së ushqimit në kuzhinën qëndrore për fëmijët e institucioneve publike parashkollore (kopshteve) në Prishtinë, do të mund të shërbente si model edhe për institucionet e arsimit fillore, përveq kryeqytetit, edhe për qytetet tjera. Kjo do të mund të ndikonte edhe angazhimin e punësimin e qindra e mijëra nënave e grave të papuna.

Ky është viti i dhjetë shkollor i realizimit të projektit “Dhëmbë të shëndoshë, fëmijë të lumtur”, projekt që monitorohet dhe bazohet në rekomandimet e Komitetit ndërministror të programit ”Shkollat Promovuese të Shëndetit” nga Ministria e Arsimit, Shkëncës dhe e Teknologjisë (MASHT), Ministria e Shëndetësisë (MSH), Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH) si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS).

Youtube

Arkiva

Kategoritë