Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top

Muzeu u hap në Prishtinë, duke sjellë në pah rrëfimet e pa dëgjuara të rreth 20 mijë grave dhe burrave të dhunuar nga forcat serbe gjatë luftës së viteve 1998-1999.

Kuratorja e muzeut, Eliza Hoxha, ka folur për rëndësinë e kësaj hapësire për të nxitur reflektimin dhe njohjen e dhimbjes që kanë përjetuar të mbijetuarit.

“Pse ‘Çast’? Në fakt, jeta jonë është një grumbull momentesh. Ka qenë një moment që këtyre të mbijetuarve u ka ndryshuar jetën përgjithmonë gjatë luftës së fundit në Kosovë”, ka theksuar Hoxha.

Sipas saj, shoqëria nuk ka bërë sa duhet për t’i integruar të mbijetuarit dhe për të njohur vuajtjet e tyre.

Ish-presidentja Atifete Jahjaga, themeluese e Fondacionit Jahjaga dhe ideatore e muzeut, vuri theksin te roli i muzeut si një dëshmi e fuqishme e dhimbjes dhe rezistencës.

“Muzeu që inaugurojmë sot është një dëshmi e jetës dhe vuajtjeve të atyre që për një kohë të gjatë janë lënë në harresë. Ata nuk ishin viktima, ata janë heronjtë e heshtur të historisë sonë, që sot më në fund gjejnë vendin e merituar”, ka thënë ajo.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka premtuar mbështetje institucionale për të mbijetuarit.

Kurse, për ambasadori gjerman, Jorn Rohde, lufta për të mbijetuarit e dhunës seksuale vazhdon ende.

“Shumica e të mbijetuarve ende nuk flasin për atë që kanë përjetuar. Me këtë muze, Kosova po merr një hap jetësor drejt konfrontimit me të shkuarën dhe promovimit të pajtimit”, ka thënë ai.

Ndërsa për kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, ky muze është një thirrje për reflektim.

Muzeu “Çast” është rezultat i bashkëpunimit midis Fondacionit Jahjaga dhe Ambasadës Gjermane në Kosovë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë