Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Në Ditën Botërore të Shëndetësisë, një histori  e luftës kundër Covid-19 nga Anesteziologia, Agreta Gecaj Gashi

Albina Selmanaj

Sot është dita botërore e Shëndetësisë, e kur flasim për këtë ditë nuk mund ta anashkalojmë kohën kur Covid-19, si një sëmundje e re dhe e panjohur më parë, sjelli frikë për shëndetin e gjithësecilit prej nesh.

Rreth katër vite më parë, kur pandemia nisi të përhapet me një shpejtësi të paparë, zgjidhja e vetme për ne ishin dyert e spitaleve dhe duart e heronjëve mantelbardhë. Gjatë kësaj periudhe nuk ishin vetëm pacientët që nuk kishin dëgjuar më parë për COVID-19, por ishin edhe mjekët ata që po ashtu u ballafaquan me një realitet tërësisht të ri.

Në një intervistë për Familjajonë, Dr. Agreta Gecaj Gashi, anesteziologe dhe intensiviste në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës, zgjodhi të ndaj përvojën dhe sfidat që ka përjetuar gjatë asaj periudhe të vështirë.

Covid-19 ishte një sëmundje e re, e panjohur deri atëherë  dhe që shkaktonte sëmundje të frikshme dhe kritike. Ishte shumë ngjitëse dhe sigurisht që kisha frikë të sëmuresha ose më keq, të infektoja familjen time. Përkundër masave mbrojtëse që i përdornim dy herë jam infektuar po fatmirësisht nuk e infektova familjen time,” rrëfen Dr. Gecaj Gashi.

Gjatë kësaj periudhe Gashi si pjesë e ekipës së mjekësisë intensive u gjend përballë sfidave shumë  të mëdha, e një nga to ishte atëherë kur përpjekja për t’i ndihmuar pacientët, shpesh përfundonte të ishte e pa suksesshme.

Pacientët me COVID-19 që kam trajtuar ishin pacientë më të sëmurë rëndë që kam parë ndonjëherë, edhe pse i kam rreth 25 vite përvojë, shpesh duke u përkeqësuar në shkallë alarmante. Pavarësisht gjithçkaje që bënim, rrjedha e sëmundjes nuk ndryshonte. Kurrë nuk jam ndjerë më e pafuqishme në profesionin tim. Anesteziologët rrallë ndihen të pafuqishëm, ne i zgjidhim rastet kur nuk munden të tjerët. Por me pacientët Covid nuk vlenin rregullat, nuk vlente dija, nuk vlente eksperienca,” shtoi ajo.

Por, për Gashin gjendja nuk po përmirësohej dhe ditët gjatë pandemisë u bënë edhe më të errëta kur ajo po i humbiste edhe kolegët e saj gjatë luftimit me COVID-19.

Mjekimi Intensiv ishte si një fushë beteje, ku ne vraponim nga një fatkeqësi në tjetrën për të “shuar zjarret” e panumërta. Edhe pse kemi përjetuar  triumfe- pacientë që ia kemi arritëm të shpëtojmë,  vëllimi i madh i pacientëve me COVID-19 dhe trishtimi është shpesh gjithçka që mund ta kujtoj. Gjatë kësaj periudhe i kemi humbur dy kolegë anesteziologë, me të cilët së bashku i kemi trajtuar pacientët me Covid deri në momentin kur u sëmurën vetë, dhe gjëja më e vështirë ishte të merresh me trajtimin e tyre dhe në fund e humbëm betejën.”, u shpreh ajo.

Përballja me këtë sëmundje për Gashin nuk ishte aspak e lehtë, por ajo çka e motivonte për të vazhduar luftën tutje, ishin falënderimet që merrte nga pacientët, edhe në momente kur ata ishin në gjendje të rënduar.

Në Mjekim Intensiv trajtimi kërkon kontakt të afërt me  pacientin, me rrugët ajrore të tyre, gjë që e bënte shumë të vështirë bartja e pajisjeve personale mbrojtëse. Andaj  nuk ishim  thjesht të lodhur, ishim të rraskapitur, të dëshpëruar. Sfida më e madhe ishte vala Delta, shumë pacientë të rinj, gra të reja shtatzëna, të vetëdijshëm komplet, që kërkonin ndihmë dhe bashkë me ne e luftonin  gjendjen e tyre të rënde dhe jo rralle të pashpresë. Falënderimet e tyre edhe pse nuk na i shihnin fytyrat, kur ne e dinim si ishte prognoza e tyre, ishin dhimbje por edhe shtytje për të vazhduar më tutje.”, kujtoi ajo.

Përkundër faktit që ajo periudhë tani më ka përfunduar, Gashi theksoi se ngjarjet me të cilat u përballë gjatë asaj kohe janë të paharrueshme dhe shpreson që të mos përsëritën kurrë.

Megjithatë si moto e misionit tonë të asaj kohe ishte: të fokusohemi  në të gjitha veprimet  pozitive që kemi bërë- edhe nëse njerëzit vdesin, ne kemi bërë maksimumin për t’i ndihmuar .Periudha e Pandemisë Covid 19 më ka dhënë një vlerësim jo vetëm për jetën, por edhe për vuajtjen e madhe njerëzore që vjen me të. Vdekja nuk është një dukuri e panjohur në ICU, por vdekjet nga COVID ishin ndryshe – shpesh thellësisht të padrejta. Uroj të mos përsëritet kurrë!!!”, përfundoi ajo.

Në Kosovë, si pasojë e COVID-19 kanë vdekur mbi 3 mijë persona, dhe mbi 273 mijë  të tjerë janë prekur nga virusi.

Youtube

Arkiva

Kategoritë