Shkruar nga Fisnik Dajakaj
Mediatizimi i problemeve të rëndësisë jo parësore ka bërë që çështjet delikate dhe problemet faktike të shoqërisë sonë të presin për t’u trajtuar.
Rasti i raportuar ditë më parë, ku shihen disa nxënës teksa sulmojnë seksualisht një vajzë në klasën e parë, ngjalli shumë reagime që në esencë e dënonin një akt të tillë. Protestat dhe debatet televizive, ndonëse shumë të nevojshme, erdhën vonë. U desh një pasojë për t’i studiuar dhe analizuar shkaqet.
Shprehja e famshme “çudia më e madhe zgjat tri ditë”, çuditërisht, ka zbatueshmëri të dendur edhe në situatat e tilla të cilat kërkojnë mobilizim të madh. Këto problematika “tabu” janë të destinuara të mos kalojnë përtej laprës së veshit, anipse do duhej të alarmonin gjithë shoqërinë.
Shkak-pasoja e këtyre dukurive dhe po ashtu tendenca e përgjithshme pasive që ngjarje si këto të shuhen përfton një nevojë që të diskutohet sa më shumë rreth tabanit të problemit dhe ngritjes së vetëdijes.
I kontaktuar nga “Familja Jonë”, sociologu Labinot Kunushevci evidenton disa elementë të rëndësishëm se pse fenomene të tilla, veçmas ngacmimet seksuale, janë të pranishme edhe në mjedise shkollore. Kunushevci shprehet se lënda e Edukimit Seksual është shumë e nevojshme nëpër shkolla, pasi në këtë mënyrë do të thyheshin shumë tabu, iluzione komplekse e informacione të gabuara që ekzistojnë në lidhje me seksin.
“Edukimi seksual është shumë i nevojshëm. Seksualiteti si kulturë dhe shëndet. Fëmijët sot vuajnë nga mani dhe komplekse të ndryshme. Për seksin, jo veç nxënësit, po edhe shumë prindër s’dinë gjë tjetër pos aktit seksual. Pra është aq kompleks, saqë vërtet edukimi do t’i thyente shumë tabu, iluzione, komplekse dhe informacione të gabueshme për seksualitetin”, theksoi ai për “Familja Jonë”.
Padijenia rreth këtyre çështjeve komplekse nxjerr në pah një problem po ashtu kompleks, andaj shpjegimi i detajshëm i këtyre problemeve, sipas Kunushevcit, do të sillte rezultat pozitiv.
“Fëmijët shumë pak dinë për shëndetin seksual, për sëmundjet dhe rreziqet seksuale, për kufijtë e komunikimit në adoleshencë, për flirtimin dhe lidhjet në adoleshencë, për pasojat e martesës së hershme dhe shtatëzanisë së padëshiruar, për ndikimin e pornografisë, për perversitetin dhe bullizmin seksual, për banalitetin dhe ngacmimin seksual etj. Prandaj (Edukimi Seksual) vërtet do të kishte efekt në parandalimin e frustrimit seksual të shprehur në raste të ndryshme, ndonëse rasti i fundit, shkolla që përmendet, po e trajton në mënyrë shumë profesionale”, shtoi tutje ai.
Si shkaktar tjetër është edhe mendësia e patriarkatit, e cila, sipas Kunushevcit, kontribuon që problemet të izolohen dhe të jenë të mbyllura. Ai po ashtu foli edhe për rëndësinë e lëndëve të tjera, si: Edukimi Fetar, Edukimi Medial dhe Edukimi Kulturor, duke theksuar kështu se secila nga to e kanë rëndësinë e vet në parandalimin e këtij problemi.
“Sigurisht që mentaliteti patriarkal është një faktor sepse për pasojë nuk trajtohen problemet dhe mbahen të mbyllura. Edukimi seksual, edukimi medial dhe edukimi fetar, secili e ka rolin dhe rëndësinë e vet. Edhe edukimi kulturor, i ligjëruar nga sociologët. Një nga shkaktarët është mungesa e sociologëve në shkolla”, përfundoi ai.
Së fundi, Konushevci botoi edhe librin e ashtuquajtur “Shoqëri pa Kulturë”, në të cilën trajtohet edhe çështja e edukimit seksual./familjajone