Njerëz nga Kosova – Adelina Toplica Badivuku
“Unë jam Adelina. Jam nga Prishtina. Prishtina, qyteti i ëndrrave të mija, dashuria ime. Ai qytet, rrugët e të cilit ju i kaloni çdo ditë, në mënyrë të zakonshme, për mu kanë një vlerë të jashtëzakonshme. Jetoj në Londer tash 29 vite, me burrin tim Adnanin dhe fëmijët tanë Artin e Dean, por Prishtina mbetet qyteti im. Edhe sot, kur shpeshherë e dëgjoj “Mallëngjimin” e axhës Rashit Krasniqi, nostalgjia për qytetin tim e kaplon tanë qenien time dhe me jep dridhërim malli ne shpirt. Kujtimet për ato ditë pranvere, të Prishtinës në 1992, kanë forcë me me rrexu. S’di a e din ti sa I fuqishëm është malli? Nese se din, ke me e marr vesh. Një ditë, kur kthen koken mbrapa e kujton një moment në jetën tënde, e sheh vetën të rrethuara me më te dashunit e tu, ndihesh e permbushun e me zemer plotë, e të kaplon një mall i pamboshtur. Mall, për atë moment, për njerëzit që ishin aty kur u krijua ai moment, për vendin. Atëherë ke me e kuptu fuqinë e mallit.
Jam rritë në një familje të madhe, me prindër, 2 vellëzer e 4 motra. Në një ambient shumë të ngrohtë, të dashur që na jepte siguri në shpirt edhe kur jashtë ndodhte tmerri. Dimrat e fëmijërisë sime, sidomos netët kur ndalej rryma e dëgjohej bubullima e lehtë e drunjëve që digjeshin në stufë krijojnë kujtimet më të bukura. Në dhomën kryesore, uleshim gjithë familja, mas darke se aty ishte ngrohtë. Në dhomat tjera ikshim veq kur vinte koha me ra në gjumë. Në erresinë e dhomës, me duket qe ende e shoh babin, siluetën e tij si hije, që na flet e reciton. Sa kujtime nga fëmijëria e tij ndaheshin me ne ato netë! E kur i bëhej ndonjë pyetje e vështirë për jetën e tij, ai si me dasht me na mbrojtë nga lotët për te, kalonte shpejt në poezi, e na recitonte me atë zanin e tij te fortë Fishtën, Migjenin e Naimin. Nuk e mbaj në mend autorin, po në ato netë babi na e recitonte edhe një vjershë për shtëpinë, me u siguru qe gjithë e mbajmë në mend trungun tonë. Ndoshta, e ka ndjerë që vështirësitë që po i kalonim do të na lodhin e rrezikojnë jetën e edhe mund të ikim diku në botë. “Nuk e ndrroj as me pallate, le të jenë dhe më shumë kate, se mbi të gjitha në këtë dhe, edhe shtëpia ku kam le…”. Ky varg më ka mbet në mendje dhe është bë lidhja ime me shtëpinë! Ky shkrim më bani me reflektu e bisedu me vetën edhe një herë; e me vazhdu me zbulu gjana qe i kisha varrosur thellë. Kur I japim vetës kohë me mendu, i japim edhe leje me u fut në kande të zemrës që janë të errëta, se veq ashtu mundemi me e kuptu kush jemi, e pse jemi kush jemi?! Unë ende, edhe 29 vite masi kam dal nga Prishtina, vazhdoj me eksploru e përpiqëm me e kuptu lidhjën time me këtë qytet.
Vitët e shkollës fillore, mbetën si vite të arta në historinë e jetës sime në Prishtinë. Isha nxënëse në shkollën “Meto Bajraktari”, me fat të kem një mësuese model z. Dilavere Venhari, dhe të jem shoqe klase me gjysën e fëmijëve të lagjes; Arjeten, Tomorrin, Ardianen, Fitimin e Kastriotin. Më vonë në klasen e 5-të, fillova ta kem kujdestarë klase fqiun tim axhën Rafet Rama, një njëri i rreptë, po jashtëzakonisht i dashur dhe i kujdesshëm për ne. Përveç , shumë momentëve të tjera axhën Rafet, do ta kujtoj gjithmonë si shpëtimtarin tonë në Prillin e 1981’s. Ne si nxenës në klasën e 1-re, ishim në shkollë kur filluan demonstratat e studentëve, dhe ai na morri për dore të gjithë bashkë të na sillte në shtëpi. Aty e shijova për herë të parë gazin lotsjellës. Aty poashtu e përjetova frikën në palcë nga burrat me uniforma të errëta që flisnin një gjuhë të huaj për mua deri atëherë. Po në këtë shkollë vazhdova ta ushqej ndjenjën e dashurisë për shtëpinë, për qytetin tim: në oret e gjuhës shqipe të prof Munishi, në orët e historisë nga prof. Bediha Spahiu po edhe nga mesuesët e tjera patriote të asaj kohe; Ismete Badivuku, Hadije Drejta, Sabrije Kastrati, Kimete Dushi, Pakize Brovina e shumë të tjera. Këta mbetën heronjët e mi dhe do të përulem gjithmonë para guximit, dëshirës dhe vullnetit që paten të na edukojnë me vlerat që i mbajmë edhe sot me krenari.
Herët fillova me aktivizëm. Pjesë e këtyrë vitëvë, janë edhe ditët në Qendrën e Pionerëve, si pjesë e grupit te letrarëve, recitatorëve, aktrimit dhe “Kombëve të Bashkuara”. Garat e ndryshme në atë kohë më bënë të jem prezentuese e Kosovës në vende të ndryshme të ish-Jugosllavisë e te fitoj shpërblime të shumta, dhe qe perfundoj me një suksesë të madh timin në garën e letrarëve në Beograd në Maj të 1988, ku e morra shpërblimin e dytë për letërsi. Sa shumë u gëzova atë ditë, nuk e mendova fare se sa vështirë mund ta kenë prindërit e mi të më lejojnë të shkoj në Beograd për çmimin…
Në maj të vitit 1992, isha maturante në shkollën e mesme ekonomike. Nxënese në një shkollë të improvizuar, shtëpi e familjes Hertica në Vranjevc. Nga 52 nxenës qe ishim në klasë para mbylljes së shkollës, kishim mbetur vetëm gjysma. Të tjerët, kryesisht djem kishin ikur nga Kosova për të shpëtuar nga rekrutimi i dhunshëm i regjimit për shërbimin në ushtrinë Jugosllave të asaj kohe. Kosova po kalonte një kohë të vështirë- më shumë se gjysma e popullatës kishin humbur vendët e punës, shërbimi mjekësorë shqipfolës ishte shuar dhe poashtu edhe profesione të tjera esenciale në institucione. Pas sjelljës të masave diskriminuese të regjimit serb dhe ndalimit të përdorimit të gjuhës shqipe zyrtarisht Kosova u bë një burg i madh. Nga fundi i të 80’tave, shumë gjëra kishin nderuar; grevat e minatorëve, studentëve, kthimi i djemve shqiptarë nga ushtria në arkivole, helmimi i mijëra nxenësve, po edhe; shpallja e pavarësisë së Kosovës, organizimi i shqiptarëve në mekanizma rezistues, lëvizja për pajtimin e gjaqëvë dhe krijimi i strukturave paralele.
Unë thash që e re fillova aktivizmin. Në lëvizjën studentore në perkrahje të grevës së minatorëve, u ngjita me motrën time të madhe Hazbijen, dhe s’ju ndava asnjëherë në protesta e as në grevë në sallen 1 tetori. Më pas, nga viti i parë i shkollës së mesme,u angazhova në levizjën rezistuese dhe u bëra pjesë e organizimeve të mëdha. Bile isha shumë e vogel për vlerën historike që paten shumë nga ato organizime. Disa nga to po ju la me i pa në foto. Vazhdova të shkruaj, dhe në takimet tradicional të poetëve që mbaheshin në Vushtrri në Marsin e 1992, pak javë para se të ikja fitova shpërblimin e dytë. “Të pashë sot Shqipëri” quhej poezia ime që aq bukur e përshkruante dëshirën time për ta parë Shqiperinë.
Një pjesë e madhe e pjekurisë sime u zhvillua në ditët e kaluara në oda, në pjesë të ndryshme të Kosovës si pjesë e Lëvizjës së Faljes së Gjaqëve. Nuk di që ka universitet në botë që ta jep një përspektivë per jetën, traditën, vlerat e kulturën si oda. Po kombinoje atë me madhërinë qe e sillnin aty prof Anton Cetta, profesorët tjerë e studentë të asaj kohe, dhe e gjithë përvoja kthehët në thesar. Me qenë pjesë e karavanit me dasmorët e paqës, me u fut në ambient burrash, në një vend më parë të ndaluar për gratë ishte privilegj. Jam me fat që i kam jetu ato ditë madhështore. E edhe ma më fat që si vajzë qyteti, e njoha për së afërmi thellësinë e traditës, folklorit, u njoftova me kanunin e Lekës, u ushqeva me atdhedashuri. Kur na nxinte nata në Drenicë, gjithmonë ndaleshim në Komoran në shtëpinë e Elez Zogajt, ku na pritshin si në shtëpinë tonë. Bile edhe ma mirë, se tek baca Elez, gjithë anëtarët e familjes u angazhojshin me na ushqy, me na ba vendin me fjetë e bile edhe me na la çorapet e pastruar këpucët. Bislimi, djali i tij, që ishte pjesë e grupit tonë, sa herë binte terri e ne ishim ende në rrugë, pa hezitim na drejtonte të shtëpia e tyre. Shpesh edhe me e mbaru herët, pa u ndal aty për një drekë a darkë, ishte e pamundur. Mikpritja e bujaria e tyre ka me jetu në mua gjithmonë e bashkë me të edhe kujdesi e dashunia e Ibes, gjithë shokëve të grupit e profesorëve për mua, vajzën më të re të grupit.
…Në ditet e rinisë sime në Prishtinë, kontrolla nga policia ishte përditshmëri, gjithashtu edhe ora policore. Ishte kohë e vështirë për të gjithe, por sidomos për ne, gjeneratën e re qe kishim aq shumë anderra e ambicie. Kah fundi i atij viti shkollor, diçka ndodhi në mua. Frika konsante më lodhi, imagjinoje që gati çdo dite rruga për në shkolle na ndërpritej nga policija që na kthente pas. Edhe të dalurat e rralla në Kurriz a Qafë shpesh ndërpriteshin nga kotrollat policore. Intimidimi qe prezenca e tyre sillte tek ne, ankthi nga ato momente kur na kontrollin çantat, era e tyre shpesh e randë nga alkoholi që kishin konsumuar, frika që mund të na arrestojnë, të gjitha ishin te lodhshme. Të jepnin një lodhje shpirtnore prej të ciles lirohesha veç kur kthehesha në shtëpi. Në hapësirën time të sigurtë. Në vendin që më dukej si kështjellë mbrojtëse se aty më prisnin njerëzit e mi ma të dashura dhe siguria që kishin krijuar ata. Atë vit, një shoqe e imja iku në Londer. Kur u ndam nuk e mendova që vetëm disa muaj ma vonë do ti bashkohesha edhe unë. Por ikja u bë zgjidhje, për herë të parë.
E mbaj në mend si sot ftyrën e prindërve të mi, kur ju thashë qe dua të shkoj në Londer. Sa pash dhimbje edhe frikë ne fytyrat e tyne për fatin tim, mëë duket qe thjeshtë e pashë edhe një dozë të lehtë lirimi dhe gati gëzimi, që po largohem e s’do te brengosen ma për sigurinë time. Shumë vite ma vonë, në bisedë me ta, e kuptova qe ata s’më kishin dhanë leje, në fakt ata veç kishin hesht. Heshtja e tyre duhet të ketë qenë për mua aprovimi.
Ditën e fundit në shkollë e mbaj në mend si sot. Nuk I thashë askujt, që të nesermën do të nisem për Londer. Isha lidh me një kompani qe ofronte vend pune si kujdestare fëmijësh për ta marr vizën. Cka disha une për kujdes femijësh ishte e bazuar komplet në kujdesin që e shikoja motrën time të madhe Alijen duke i dhanë fëmijëve të saj Yllit e Ylberit. Kisha pak edhe kujtime e përvoje nga rritja e motrës time të vogel Abetares, po asgja ma shumë. Megjithatë, u regjistrova të bahem kujdestare fëmijësh në Londer, veq me dal. Se me ndejtë në Kosovë nuk ishte më opsion.
Ndarja me prindërit, familjen e shoqërinë atë mengjës, para Hotelit Grand, është ende si ënderr. E lash pas edhe dashuninë time dhe s’kisha ide a do te shihemi përsëri. Ato momente kaluan shpejt, me shumë lot. Nuk ndjeva frikë, as dhimbje veç një dozë gëzimi të çuditshme që po dal e kam me e pa botën. Nuk e mendova si dalje finale këtë rrugëtim, veç si një udhëtim të shkurtër, një aventurë. S’dita me mendu përgjithmonë! Asnjë herë se kam mendu ikjen të tillë. Se mendoj të tille as sot. Prindërve ju premtova që po shkoj veç të shkollohem e do të kthehëm. Bile ma saktësisht ju thashë, “po shkoj me mësu anglishtën, nja 6 muaj”. Kanë kaluar 29 vite nga ajo ditë e une ende s’jam kthyer.
Mbrriva në Londer. Rrugës i kisha takuar 3 shqiptare, Shqipen në moshe të njejtë me mua, Suaden e Gjylin pak më të mëdhaja. Rrugëtimi mu dukë i lehtë, po jo edhe ndarja nga shoqet e reja në aeroport. Një çift anglez me prisnin aty, bashkë me vajzën e tyre të vogël. Imagjinoje si mund të ndihet një vajzë e re, që asnjëherë s’kishte dal vetëm përtej Prishtinës?! Anglishten e kisha të dobët megjithatë kuptoheshim. Rrugës për ne shtëpinë e tyre çifti mikëpritës, me kuriozitet me pyesinin për vetën, vendim timë e familjen. Në përpjekje për të ju treguar atyre, më kaploj një mallengjim, një frikë e një ankth si kurrë më parë. E kuptova qe jam larg, e kuptova që tash jam vetëm. Kam dal thashë me vete- u djega! Sa shumë qava atë natë, në dhomën time të re e të bukur. Nuk i hoqa rrobat nga valigjja, nuk e ndeza as dritën, fjeta me një llamp të vogël ndezur. Sa shumë gjana me shkuan në kokë. Kisha menduar se hera e parë kur të dal nga shtëpia do të jetë kur të bëhem nuse, pasi të i perfundoj studimet. Po une nuk e prita as mbramjën e maturës. U nisa me ik prej çdo gjëje që e njihsha e dojsha, e fortë e e sigurtë në vete. Po, në këtë natë të gjatë, tanë dobësitë e mija dolën në pah. Ndjenjat që ma morrën tanë qenien, si valë deti, shpesh ende me tundin me forcën e njejtë si atë natë.
Shpejt e kuptova që nuk isha unë për kujdestare femijesh. Sa do që vajza e vogël e familjës me mbante të angazhuar, e bile edhe me ndihmonte të praktikoj anglishtën, kjo nuk ishte jeta që e kisha menduar. Prindërit punonin 10 orë në ditë, dhe gjithë kujdestaria për vajzën varej nga unë. Nuk isha gati për një përgjegjesi të tillë. Dojsha kohë të lire, me dal e me pa Londren, me shku në shkollë. Shi binte çdo ditë, sa shumë shi ra atë pranverë! Çdo ditë njejtë, nga dritarja e shtëpisë luksoze e shikojsha qiellin e ëndërrojsha që rrezët e diellit të futën nga ato dritarët gllomaze me ma ngroh zemrën. Nuk e mbaj në mend që pash diell deri në fillim të Gushtit atë vit. Veq shi, terr, mjegull…
U lidha me Vlorën dhe disa miqë të tjerë në Londer. Dola nga familja për ta pa si duket pavarësia me të vërtetë. Te Vlora, në banesën e saj të vogël, u shtova edhe unë midis të tjerëve. Shpejt e gjeta punën në profesionin timë të ri, kamariere në një restorantë në qendrën e Londres. Nuk ishim shumë shqiptarë në Londer në atë kohë, por të gjithë ishim kryesisht të rinjë. Sa po kishin mbaruar maturën, shumica kishin dal ashtu si unë. Ishin edhe një numër shqiptarësh pak më të vjetër që kishin ardh më herët, dhe ata na ndihmuan shumë. Edhe pse i kalonim ditët në punë, oraret 12 orëshe në restoranet e Londres ishin të lodhshme, bisedat në takime ishin të njejtat gati gjithmonë. Flisnim për dëshirat për anderrat, ta mësojmë gjuhën, të studiojmë, të diplomojmë, të kthehemi në Kosove. Në vjeshtën e 1992, në Londer mu bashkuan edhe 2 vellezërit e mi Shemi e Salihu, dhe motra ime Hazbija. Secili prej tyre e përmbushi një hapësirë mungese në zemër me prezencën e vet. Secili prej tyre solli dashninë e shpisë me vete. Fillova më marrë frymë ma lehtë.
Nga kontakti më shumë njerëz në punë, anglishtën e mesova por shkollimi mbeti ënderr për një kohë të gjatë. Unë pata fatin që edhe dashuria ime të vinte në Londer disa muaj pasi ika une, dhe dy vite më vonë, pak para ditëlindjes sime së 20-të, u bëra nënë lindi Arti. U bënë prinder edhe disa çifte të tjera, të rinjë si unë e Adnani, dhe jeta jonë morri kahje tjetër. Arti na solli shumë dashuni, një fëmijë i qetë, i dashur na kompletoj, dhe na bëri familje. Ne të tre; une, Adnani e Arti, në një banesë të vogël në Londër e krijuam folenë tonë. Për herë të parë, atë vitë e ndjeva barrën e përgjegjësive që ma dha roli nanë. Përgjegjësi për të cilat nuk isha e pregatitur fare. Kërkesa jonë për azil nuk ishte procesuar ende. Unë e Adnani vazhdonim punën në restorane. Para lindjës së Artit, në fund të 1993-tës, në Londër erdhi edhe motra ime e madhe Alija, me Agronin dhe fëmijët e tyre Yllin e Ylberin. Lindja e Artit nuk më gjeti vetëm. Alija e morri rolin e nanës, nga dita qe ai lindi, me përkushtim e dashuni të paparë i dha kujdesin, kohën, durimin e vet atij dhe mua. Ajo më mesoj të jem nanë. Po ajo edhe me shtyu të vazhdoj punën e shkollimin. Pak dite pasi lindi Arti me tha; “Unë jam këtu, ti mos u ndal. Nuk i duhen djalit dy veta, vazhdo ti. Une e mbaj Artin si djemtë e mi”. Arti edhe sot e thërret nanë. E une do ti jem mirënjohëse për jetë, që me shtyu nuk më la me e humb vetën, me i shu andrrat me justifikimin që tash s’kam kohë se jam nanë.
Kur i lexon këto rreshta ti tash munesh me thanë, e po krejt të paskan ardh, çka pate për me u mërzitë?! Mall pata. Mall kam. Për prindërit, 2 motrat e mija të vogla Cukin e Abetaren, që ju kisha harru fytyrën. Nuk ishte atëherë koha e telefonave të mençur. Nga një telefon publik thirrsha në shtëpi, me ju ndi zanin. Sa do gjatë me fol, malli nuk u hiqke kurrë. Sa të gjata ishin ato thirrje se njeri kur ka mall nuk ngopet me biseda. Pyetjët e mia s’kishin fund: për njerëzit, për situatën, shoqet e lagjës, kojshitë, qytetin, për gjithë ata njerëz që ishin pjesë e identitetit timë. Këtu, në këtë fazë të jetës sime, me ballafaqimet e para me vështirësitë e jetës e mendova për herë të parë ndarjen si diçka që mundet me qenë finale. Babin e mamin i takova ndaras për herë të parë gjatë vizites së tyre në Londër me 1997. E me Cukin e Abetaren, u takuam në Turqi në verën e 1998’s. Atë verë po në Turqi, unë e Arti i takuam edhe prindërit e Adnanit Izet e Ismete Badivukun. Atëherë, sapo na u pranua kërkesa për azil, na dhanë ca dokumente udhëtimi, dhe unë bashkë me Shemin, Salihun, Hazbijen e Artin udhëtuam për Stamboll. Prapë, nuk ishim të gjithë bashkë- mungonte Adnani dhe Alija që ende nuk kishte mundësi udhëtimi. Për herë të parë, nga 1992, ne u bamë të gjithë bashkë në shtëpinë tonë të fëmijerisë në verën e vitit 1999- pas çlirimit të Kosovës.
E drejta e shkollimit të larte për mua erdhi bashkë me qëndrimin e përhershëm në Londer në vitin 1998. Atëhereë punoja si përkthyese, Arti rritej nën kujdesin e Alijes, dhe une isha e angazhuar gjithë kohën në levizjët për ndihmë të Kosovës. Gati gjithë kohen e kaloja në komunitet, takime, protesta, mbledhje ndihmash. Dokumenti i udhëtimit ma mundësoi edhe një rrugëtim në Shqipëri për të dërguar ndihma në këtë kohë lufte dhe pastaj në Maqedoni në kampet e refugjatëve për të kërkuar prindërit e dy motrat e vogla. Në Stankovec i gjeta- me ndihmë miqesh i nxorrem nga aty. Disa ditë më vonë u takova edhe me vellezërit e Adnanit, Shkelzenin e Gazmendin dhe familjet e tyre. Por, prindërit e Adnanit kishin mbetur në Kosovë. Ose të pakten nga aty ishin lajmëruar për herë të fundit. Sa e tmerrshme ishte ajo kohë. E di që njeriu kur kalon një krizë fizikisht dhe emocionalisht ne të njejtën kohe, mekanizmi mbrojtës aktivizohet e të mbron mendjën. Ndërsa,për ne që ishim larg, kalimi i kësaj krize vetëm emocionalisht shpesh na vërbonte e na e ndalke frymën. Bashkë me frikën për sigurinë e te dashurve tanë në luftë, me lotët për viktimat, në e ndjenim edhe një barrë të rëndë të fajësisë qe nuk jemi aty. Sa ndjenjë e rëndë është fajësia! U punësova në Refugee Council në programin për evakuimin e shqiptarëve nga kampet, e bazuar në aeroport për të pritur njerëzit qq arrinin nga Maqedonia. Ishim një grup me 15 të rinj shqiptarë, gati të gjithë me një tregim të njejtë jetësorë, dhe sigurisht të gjithë me të njejtën shpresë; mos janë familja ime në këtë aeroplan. Çdo fluturim që arrinte nga Shkupi sillte fëtyra të lodhura, tregime tmerri e thyente pak shpresën tek shumë nga ne për t’i pasur edhe familjarët e vet aty. Familja ime nuk erdhi kurrë. Me çdo aeroplan shuhej edhe një shpresë, shtohej edhe një lutje. Ata vazhduan të qëndrojnë në Shkup tek daja im Hamdiu, dhe vendosën të mos ikin. Edhe sot shpesh e mendoj si do të ishte jeta sikur të vinin edhe ata? Sa do të ndrronte lidhja ime me shtëpinë nëse zbrazëtinë në zemër do ta përmbushte ajo pjesë e familjes që kishte mbetë mbrapa. Këtë, nuk do ta kuptoj më kurrë.
Nga udhëtimi në Shqipëri, e kuptova që një numër ushtarësh te UÇK’së në gjendje të rëndë në spital kishin nevojë për shërim jashtë vendit. Bashkë me aktivistët e levizjës në Londer, organizuam udhëtimin e 3 ushtarëve për në Britani. Njëri nga ata, një djale i ri nga Bainca e Drenasit, Avdyl Leku, u ba anëtarë i familjes sonë. Ai u vendos në dhomën e Artit dhe qendroj me ne deri sa u sherua u kthye tek familja e vet pas çlirimit. Abdyli mbetët si anëtarë i familjes sonë edhe tash- vizitat e bisedat e rregullta me te na kanë ofruar edhe më shumë.
Në fund të vitit 1999 u punësova në Medical Foundation for the Care of Victims of Torture, fillimisht si përkthyese për të vazhduar në role të tjera. Aty u njoftova me terapitë folëse dhe efektn që ato e kanë tek njerëzit që kanë kaluar trauma. Shumë nga përdoruesit e shërbimit ishin shqiptarë nga Kosova, që ne ato sesione sillnin pikllimë, dhimbje, frikë, tregime për vrasje, masakra e dhunime. Ekipi profesional me të cilin punoja udhëhiqej nga Helen Bamber, një grua e jashtëzakonshme që kishte shkuar si vullnetarë në Aushëitz për te ndihmuar mbijetuesit pas tmerrit të Hollocoustit. Helen u bë inspirim imë. Ajo me ofroj gjithë ndihmën e mundshme, dhe motivimin për të filluar atë për të cilën kisha ardhur- shkollimin. Dhe nuk e pata lehtë, po me ndihmën e Adnani, Alijes dhe anëtarëve të tjerë të familjes unë fillova për ta mbaruar me Master në 2004. 13 vite pasi kisha ardhur në Londer, ënderra ime u bë realitet.
Pas kësaj karriera ime e morri të mbarën; dëshira, dedikimi, pasioni imë për të ndihmuar të tjerët u rrit e u zhvillua bashkë me rolet e ndryshme që i ndërmorra nga atëherë. Shpejt pas diplomimit kalova në Shërbimin për Fëmijë dhe Familje në lagjën ku jetoja, dhe në 2009 në një rol ma të rëndesishëm në Ëestminster, prapë punë direkte me familje dhe menagjim të shërbimeve esenciale për familjet me nevoja komplekse. Rritja si terapiste ishte e lidhur direkt me besimin timë në familje, dhe në aftësitë e familjeve për të kaluara kriza, trauma e situata të vështira duke e mbështetur e kuptuar njëri-tjetrin. Por, këtë rritje në profesion ma ofroj edhe hapësira e krijuar nga Qeveria Britanike për zhvillim e rritje profesionale të gjithë të punësuarve në qeveri- gjitthmonë duke u bazuar në aftësitë që ata tregojnë në punë. E fokusova ngritjën e njohurisë në kuptimin e dinamikave në familje; raporteve në çift dhe raporteve prind fëmijë. Për mbi 10 vite në këtë hapësirë profesionale arrita të kompletohem profesionalisht, të marr pozitë vendimarrëse dhe nga atje të shoh limite dhe një doze diskriminimi në shërbimet që ofronim për familjet nga grupet etnike dhe refugjatët. Nga ajo lartesi pash edhe hapësirat e zbrazëta në shërbime të përshtashme për grupet e margjinalizuara, dhe më lindi dëshira për ti kompletuar ato. Si rezultat, në shkurt të vitit 2016-të lindi Total Family Coaching, një organizatë e bazuar në komunitet që ofron shërbime psiko-sociale për individë e familje që kalojnë kriza. Në ndertesën e kësaj organizate që udheheqë unë dera është e hapur çdo ditë të javës për një familje që ka humbur shpresat, një fëmijë qe po kalon dhunë, një grua që po e kërënon me vrasje burri, një person me probleme mentale, një refugjatë që nuk flen dot nga ankthi i tmerrit që ka kaluar, një person që mendon se jetës i ka ardh fundi..Ne jemi çdo ditë aty si ekip, flasim shqip, anglisht, arabisht, urdu, Punjabi, rumanisht, hindi, mbi të gjitha e flasim gjuhën njerëzore, një buzëqeshje, një dorë e zgjatur dhe një gotë çaj i pret secilin nga ta. Kjo ishte një nga ëndrrat e mija që e bëra realitet.
Gjatë kohës së studimeve, në janar të vititi 2003, ne u shtuam si familje, lindi Dea. Më lehtë e pata kësaj here. Mami erdhi për lindjën dhe qëndroj për disa muaj. Adnani e Alija vazhduan të ndihmojnë rreth kujdesit që unë të perfundoj studimet. E mbaj në mend një situatë në mars të këtij viti, ligjeratat e fundit dhe nuk kisha kujdestarë atë ditë. E morra Dean në karrocë pak si e humbur dhe u nisa per universitet. Morra plot buzëqeshje nga të tjerët sapo hyra në ndertesë. Ishim mbi 30 veta në amfiteater atë ditë, dhe profesori po ligjerontë kur Dea u zgjua e filloj me çajt. Deri atëherë profesori nuk e përmendi prezencën e saj në dhomë fare, sigurisht per mos me ma dhanë mu siklet. Por, në momentin kur i dëgjoj zerin tha; “ne paskemi mysafir special sot. Te lutem ofroji dashurinë tënde, atë po e kërkon ajo”, dhe vazhdoj me qetësi ligjeratën. E morra Dean në duar për ta ushqyer- ajo u qetësua e fjeti përsëri. Sa kisha dashte sot me pas nje fotografi nga ky moment- fotografi të ndjenjës që ma dha mbështetja e profesorit atë ditë. Me thjeshtësine në çasjën e situatës ai e normalizoj prezencën e saj ne sallë, dhe më bani me u ndi e fortë.
As puna, studimet e as detyrimet si nanë nuk ma ndalën hovin për ta vazhduar aktivizmin asnjëherë. Se tek fundit njeriut i duhet dëshira për motivim, e mbështetja për ta vazhduar. Nevojat për ndihmë në Kosovë nuk u ndalen por u ngritën pas çlirimit. Kisha dhanë një premtim me gjysëm zeri që kur të përfundoj lufta, une do ta lë aktivizmin. Po ku lihet diçka që është pjesë e qenjës së dikujt? E kam rrejtën vetën. Me e lanë aktivizmin si me e pre gjysën time e me hedh në pleh. Prandaj, kurr nuk e lashë, bile pas luftes e ushqeva edha ma shumë dhe përdora pozitat në pune, në komunitet që të rritem e zgjerohem si aktiviste jo vetëm për çështjet që na preokupojnë neve si kombë në Kosovë e jashtë saj, por edhe për të drejtat e grave e refugjatëve në gjithë botën. U lidha me miq me mendime të njejta, krijuam hapësira për të organizuar evente në ndihmë të atyre që kanë nevojë dhe si rezultat ne vazhdojmë të ndihmojmë familjet që jetojnë në varfëri e organizata të ndryshme në Kosovë. Ndihma që e japin ne është ma e madhe se ajo financiare sepse shpesh është ndarje e përvojave tona profesionale përmes trajnimëve qe i ofrojmë për individ e organizata në Kosovë ose mbështetje e një kauze, ngritje e zanit për të drejta për një grup që ende vazhdon me u diskriminu.
…Jeta me bani kjo që jam. Përvojat ndër vite. Gabimet, që si çdo njeri i bana më shumë se një herë. Në tanë këto vite, nga një ndertesë banimi në tjetrën une krijova fole me plot dashuri, ditë të bukura, gëzime e dhimbje, lot e mall. Jam rrit, kam nderru. Veç një pjesë e imja mbetët e njejtë- dashunia për shtëpinë, për Prishtinën. E di që sigurisht, po mendon, çka ka more kjo me Prishtinën? Pse s’kthehët? A e din çka kam në Prishtinë zemrën, qetesinë shpirtënore, atë sigurinë qe i ka rrenjët në ato netët e ftofta të fëmijerisë, kur e kisha zemrën plot. Ndjenjën që e sjell për mua veç prezenca në atë qytet.
Ky nuk është veç tregimi Im. Nuk përmbushem veç unë kur kthehëm në Prishtinë. Ky është tregimi i shumë të tjerëve si unë. Na e bartim me vete mallin, gëzimin e kenaqësinë i kemi të lidhuna me ato rrugë ku ti ecë pa kujdesë çdo dite. Aty jetojnë kujtimet tona për ditët qe i lamë pas. Kur të tjerët me pyesin se nga jam, më shumë pasion ju tregoj tregimin për Kosovën, për Prishtinën, qytetin tim. Ndajë pjesë të këtij tregimi shpesh edhe në fjalime publike. E përdori tregimin timë për të inspiruar vajza e gra të reja nga e gjithë bota, që kane ikur nga shtëpia sikur unë dikur. Edhe sot pa marr parasysh titullit që mund të e mbaj unë për të arritura, në Prishtinë vetën e ndjej veç si një qikë e Prishtinës, asgja ma shumë.
…Kur vjen vera rrugët e qytetit mbushën me ne. Qyteti zdritet. Ne të rritur e të plakur nga jashtë, por brenda në thellesi te rinjë ecim si të hutuar duke i kërkuar kujtimet në çdo skutë. I shohim fytyrat e kalimtarëve, gjithmonë në kërkim të dikujt që mund të mos e kemi pa për shumë vite. Mos na e nxeni për të madhe zhurmen që e sjellim në qytet, është akumulim i heshtjës e mallit që e mbajmë në vete gjithmonë. Ne fëmijët e humbur që u rritem rrugëve të botës.”./FamiljaJone/
26.04.2021