Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Mitet dhe keqkuptimet më të shpeshta për kancerin.

Disa ide popullore janë të njohura mbi shkaqet dhe përhapjen e kancerit. Edhe pse shkencërisht të gabuara, ato shpesh bëjnë kuptim, kryesisht nëse janë të bazuara në teori të vjetra popullore. Por koncepte të gabuara mbi kancerin shpesh mund të çojnë në shqetësime të panevojshme dhe madje, mund të pengojnë marrjen e vendimeve të nevojshme në lidhje me parandalimin apo diagnostikimin në kohë të kancerit.

Këto mite përforcohen akoma më shumë nëse kërkoni në google për kancerin. Qindra artikuj dhe video shfaqen në lidhje me kurën e kancerit dhe shkaqet e mundshme të tij. Megjithatë, shpesh herë këto informacione nuk janë të bazuara në fakte shkencore dhe krijojnë keqkuptim te ata që i lexojnë.

Ne duam t`ju njohim me disa prej miteve me te shpeshta të njohura, për të kuptuar të vërtetat pas tyre:

A është kanceri një dënim me vdekje?

Mundësia për të vdekur nga kanceri është reduktuar ndjeshëm nga viti 1990. Mbijetesa 5-vjeçare për disa lloje kanceri si kanceri i gjirit, prostatës, tiroides tashmë është 90% ose më shumë. Mbijetesa 5-vjeçare për gjithë llojet e kancerit së bashku tashmë është 69%.

Megjithatë, është e rëndësishme të përmendet se këto janë të dhëna mbi një numër të madh individësh. Sa mund të jete mbijetesa për një individ të caktuar varet nga shumë faktorë si: ritmi i zhvillimit të kancerit, sa i përhapur është në trup, nëse ka trajtime efektive dhe prania e sëmundjeve të tjera shoqëruese.

A e zhvillon më shumë kancerin konsumi i sheqerit?

Edhe pse studimet kanë treguar se qelizat kanceroze konsumojnë më shumë sheqer (glukoze) se qelizat normale, asnjë studim nuk ka treguar se konsumi i sheqerit mund të përshpejtojë zhvillimin e kancerit, ose që nëse ndaloni se konsumuari sheqer, kanceri mund të zvogëlohet apo të zhduket.

Megjithatë, dietat me sasi të lartë sheqeri mund të ndikojnë në peshën tuaj dhe obeziteti është i lidhur me riskun e lartë për zhvillim të disa llojeve kanceri.

A shkaktojnë kancer ëmbëlsuesit artificialë?

Shumë studime kanë analizuar sigurinë e ëmbëlsueseve artificialë si sakarina, cyclamate, aspartame, acesulfame potassium, sucralose dhe neotame. Për asnjë prej tyre nuk u gjeten lidhje me shkakësinë e kancerit. Te gjithë ëmbëluesist artificialë të sipërpërmendur, përveç cyclamatit janë të aprovuar dhe nga FDA.

A mund të përhapet kanceri pas biopsisë apo kirurgjisë?

Mundësia e përhapjes së kancerit pas ndërhyrjeve kirurgjikale apo kryerjes së biopsisë është shumë e ulët. Gjatë procedurave standarde, kirurgët aplikojnë metoda të posaçme për parandalimin e përhapjes së qelizave kanceroze. Kirurgjia është një ndër modalitetet kryesore të trajtimit të kancerit. Dyshimet e përhapjes së sëmundjes pas ndërhyrjes, nuk duhet të kthehen asnjëherë në pengesë për kryerjen e procedurave të nevojshme.

A shkaktojnë kancer telefonat celularë, kompjuterat apo mikrovala?

Studimet më të rëndësishme nuk kanë treguar lidhje shkakësie me kancerin. Kanceri shkaktohet nga mutacione gjenetike dhe energjia me frekuencë të ulët e këtyre pajisjeve nuk mund të shkaktojë këto lloj mutacionesh.

A ka produkte bimore që mund të kurojnë kancerin?

Edhe pse disa studime kanë treguar se preparatet bimore mund të ndihmojnë në lehtësimin e efekteve anësore të trajtimit të kancerit, asnjë prej tyre nuk ka treguar efikasitet në trajtimin e kancerit. Në fakt, disa produkte bimore mund të jenë të dëmshme nëse merren gjatë trajtimit me kimioterapi apo radioterapi sepse mund të ndërveprojnë me mekanizmin e tyre të veprimit. Gjatë këtyre trajtimeve duhet të diskutoni gjithmonë me mjekun tuaj onkolog për sigurinë e përdorimit të preparateve bimore.

Nëse dikush në familje është diagnostikuar me kancer, a do të thotë kjo që edhe ju mund të jeni të rriskuar?

Jo domosdoshmërish. Vetëm 5-10% të sëmundjeve tumorale janë të trashëgueshme. 90-95% e sëmundjeve të tjera tumorale shkaktohen nga mutacione të reja gjenetike që ndodhin gjatë jetës. Edhe nëse askush në familje nuk ka pasur histori me sëmundje tumorale, nuk ndikon plotësisht në riskun tuaj për kancer. Ndryshimet në stilin tuaj të jetesës mund të jenë më domethënëse në reduktimin e riskut.

A shkaktojnë antiperspirantët apo deodorantët kancer?

Studimet më te rëndësishme kanë treguar se nuk ka lidhje shkakësie ndërmjet antiperspirantëve dhe deodorantëve me kancerin. Shumë dyshime janë ngritur mbi përmbajtjen e aluminit dhe parabenit ne përbërjet e tyre, megjithatë përdorimi i deodorantëve dhe antipersiprantëve pavarësisht përmbajtjes, konsiderohet i sigurtë. /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë