Ministria e Shëndetësisë e Norvegjisë, ka konfirmuar se disa prej dozave të vaksinave që i ka dhuruar Kosovës, u skadon afati në fund të këtij muaji.
Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për Telegrafin, sekretari i shtetit në Ministrinë e Shëndetësisë në Norvegji dhe shërbimeve të kujdesit, Erlend Svardal Boe.
“Dozat e vaksinave të dërguara nga Norvegjia në Kosovë kanë numrin e grupeve të mëposhtme dhe datat e skadimit:
ABW1277 31.07.2021 Vaxzevria flakon 10×10 ml: 5
ABX2057 31.08.2021 Vaxzevria 10×10 ml flakon: 1440
ABX2057 31.08.2021 Vaxzevria 10×10 ml flakon: 264
ABW2953 31.07.2021 Vaxzevria flakon 10×10 ml: 120”, ka deklaruar Boe.
Ai më tej ka thënë se në total janë 12 mijë e 500 doza të vaksinës që iu skadon afati më 31 korrik 2021.
“Në total, 12 500 doza skadojnë më 31 korrik, kurse 170 400 dozat e mbetura skadojnë më 31 gusht”, u shpreh Boe.
Edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia ka konfirmuar sot se 12 mijë vaksina të AstraZenecas kanë afat deri më 31 korrik, kurse pjesa tjetër deri më 31 gusht 2021.
Kujtojmë se Norvegjia në fillim të këtij muaji ka dhuruar një donacion prej 182 mijë e 900 dozave të vaksinës AstraZeneca për Kosovën.
Ndryshe sa i përket këtyre vaksinave ka pasur edhe përplasje në Kuvendin e Kosovës, mes ministrit Arben Vitia dhe deputetit të PDK-së, Bekim Haxhiu.
Haxhiu ka kërkuar sqarime nga Vitia se përse e kishte pranuar donacionin nga Norvegjia, kur ishte në dijeni se afati i këtyre vaksinave ishte deri në qershor dhe korrik.
Pas kësaj, është kundërpërgjigjur ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Vitia tha se çdo thirrje e qytetarëve për të hezituar për tu vaksinuar është abuzim me detyrën që e kanë.