Amvisat shqiptare janë shumë familjare me sallatën Shef. Ato e përgatisin përherë këtë sallatë në raste festash familjare, drekash apo darkash, apo kur shtëpinë e vizitojnë miq e mysafirë.
Është një sallatë krejt e thjeshtë për t’u përgatitur, me një shije të veçantë që i shton lezet çdo gatimi në tryezë.
Sallata Shef është një pjatë që jo vetëm ndjell shijen por është e pasur me vlera ushqyese gjithashtu. Përbërësit e saj, sallatat, perimet dhe vezët, e shndërrojnë këtë recetë në një recetë plot vlera dhe shëndet.
Dy nga përbërësit kryesorë të kësaj recete, sallata jeshile ashtu si edhe rukola është një ushqim i shëndetshëm që nuk mungon në shumë prej tryezave shqiptare. Këto sallata rekomandohet për trajtimin e problemeve me tensionin e gjakut, pagjumësinë, mungesën e oreksit, dhe përmirësimin e sistemit tretës në përgjithësi.
Sallata shef është një shoqëruese perfekte e supave dhe gjellëve të ndryshme apo edhe gatimeve të tjera të kuzhinës shqiptare.
Megjithatë, ajo mund të konsumohet edhe e vetme si një vakt i lehtë plot vlera, shije dhe ushqyes.
Më poshtë AgroWeb.org u sugjeron përgatitjen e kësaj sallate krejt lehtë në shtëpi.
Përgatitja e Sallatës Shef në Shtëpi
- Një karrotë
- Një kokërr domate
- Një kastravec mesatar
- Një grusht sallatë jeshile
- Një grusht rukola
- Dy kokrra vezë
- 1-2 lugë majonezë
- Djathë kaçkavall i grirë ose në prerë në kubikë shumë të vegjël
- Kripë
- Piper
- Vaj ulliri
Përgatitja
Si fillim vedosim vezët që të zjejnë. Ndërkohë, pastrojmë me ujë të rrjedhshëm të gjitha perimet, sallatën jeshile si dhe rukolën.
Sallatën jeshile e ndajmë me duar në copëza dhe e hedhim në një tas të madh.
Shtojmë gjethet e rukolës, më pas karrotat, domatet e prera në feta si dhe kastravecat gjithashtu i shtojmë në tasin e sallatës.
Vezët e zjera i pastrojmë nga lëvozhga dhe i presim në feta dhe i shtojmë tek sallata.
Shtojmë kripën, djathin kaçkavall, piperin dhe vajin e ullirit, nëse preferoni edhe disa pika apo feta të holla limoni.
Sipër sallatën e spërkasim me majonezë./AgroWeb.org