Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka hapur tender për shërbime të anesteziologjisë për Klinikën e Ortopedisë.
Qendra Klinike Universitare e Kosovës po synon të ulë listën e pritjes në Klinikën e Ortopedisë me një tender për shërbime të anesteziologjisë.
Lista e pritjes në këtë klinikë aktualisht është më shumë se 900 raste. Kështu thuhet në dosjen e tenderit.
“Mungesa e anestziologu ka ndikuar ne rritjen Listes se pritjes per operimet elektive ne Ortopedi , parandaj kontraktimi i nje anestziologut i cili do te punonte ne njeren prej sallave opertaive do te zvoglonte ne menyre sinjifikante kete Liste te pritjes e cila per monetin eshte me shume se 900 raste”, thuhet në dosje.
Aty thuhet gjithashtu se kjo klinikë i ka 35 ortopedë, katër salla operative dhe tre anesteziologë, por një nga këta të fundit mungon në shumicën e rasteve për shkak të mungesës së anesteziologëve në përgjithësi në QKUK.
Kostoja e kësaj kontrate nëse realizohet do të jetë 32 mijë euro për 24 muaj.
Qëllimi i kësaj kontrate është të realizohen 2 raste elektive në ditë në njërën nga sallat e Klinikës së Ortopedisë.
“Zvoglimi i Listes se pritjes ne ate menyre qe brenda dites do te relizoheshin dy raste elektive ne dite ne nje sall opertive ,10 raste ne jave , 40 raste ne muaj dhe ne total per 10 muaj dote te operoheshin 400 raste nga lista e pritjes. Planifikohet qe Per dy vite do te te operohen 800 raste dhe kjo liste do te zvoglohet ne pritje te paperfislshem”, thuhet në dosje.
Personi i cili do të angazhohet në këtë kontratë do t’i raportojë drejtorit të klinikës.
“Vijueshmëria, përmbushja e orëve monitorohet dhe raportimi bëhet edhe nga Udhëheqësi i Klinikes i cili edhe aprovon paraprakisht raportin dhe pastaj dërgohet për pagesë. Çështje specifike përpos kontratës, adresohen edhe me menaxherët e kontratës që do të jenë Udhëheqësit e Klinikes”, thuhet në dosje.












