Për shkak të uljes së numrit të të infektuarve me COVID-19 në Kosovë, Klinika Infektive 2 është mbyllur.
Këtë e ka bërë të ditur kardiologu Artan Ahmeti që ishte i angazhuar me pacientët e infektuar me koronavirus.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti uroi që kjo të mos hapet më për personat e sëmurë me koronavirus, për cka edhe ishte destinuar si pasojë e situatës së jashtëzakonshme e cila coi drejt mbipopullimit të klinikave me të infektuar.
Tutje në këtë postim, Ahmeti falënderon edhe disa nga kolegët e tij për punën e bërë gjatë kësaj kohe.
Postimi i plotë:
Sot Klinika Infektive 2 (Mjekësia Sportive) është mbyllur. Shpresoj se asnjeherë nuk do të hapet për pacientët me sëmundje COVID-19, për çka edhe ishte e destinuar.
Me këtë rast dua të falenderoj të gjithë ata që dhanë kontributin e tyre në ndihmë të pacientëve të hospitalizuar në këtë Klinikë.
Të gjithë këta kanë bërë që kjo Klinikë të bëhet ndër klinikat më të preferuara për hospitalizimin e pacientëve me COVID-19. Kjo për shkak të angazhimit të secilit (mjekë, infermierë, si dhe staf mbështetës) 24h/7 ditë të qëndrojë pranë pacientëve për çdo nevojë dhe kërkesë të tyre.
Veçanërisht dua të falenderoj :
– Z. Lulzim Gashi, Kryeinfermier i Klinikës, i cili nuk ishte veç kryeinfermier i Klinikës, por ai është angazhuar 24/7 për çdo gjë që nevojitej në Klinikë (reanimimin e pacientëve, transportin e pacientëve, rregullimin/montimin e monitorave, shtretërve të pacientëve, etj, etj etj.)
– Dr. Hamza Selmani, Dr. Violeta Kamberi dhe Dr. Luan Keka të cilët vullnetarisht u transferuan nga klinikat e tyre në Klinikën Infektive 2 (Mjekësia Sportive). Me ndihmën e tyre u mundësua përcjellja ditore (folloë up) e pacientëve me analiza dhe ekzaminime të nevojshme. Ky edhe ishte çelësi i suksesit të trajtimit të pacientëve hospitalor.
– Dr. Valbon Krasnqi – drejtor i SHSKUK-së, Dr. Lulzim Emini – udhëheqës i Komitetit të SHSKUK-së për menaxhimin e pandemisë COVID 19 dhe znj. Lirije Beqiri – Drejtoreshë e Infermierisë në SHSKUK-së për mbështetje të vazhdueshme gjatë kësaj periudhe.
– Të gjithë infermierët që vullnetarisht vazhduan të punojnë në Klinikën Infektive 2 (Mjekësia Sportive) me javë dhe me muaj të tërë edhe pasi e kishin përfunduar ciklin obligativ një mujor.
– Drejtorët e Klinikave: Klinikën Infektive (Dr. Lindita Ajazaj dhe Dr. Izet Sadiku), Klinikën e Pulmologjisë (Dr. Rukije Mehmeti, Dr. Musa Hoxha), Klinika e Anestezionit (Prof. Nehat Baftiu), shefat e MIQ-COVID (Dr. Naim Kuqi dhe Dr. Gazmend Spahiu), për bashkpunimin e shkëlqyer që kemi pasur.
– Drejtorët e të gjitha atyre Klinikave: (Kardiologjisë, Kardiokirurgjisë, Gastroenterologjisë, Endokrinologjisë, Nefrologjisë, Neurologjisë, Alergologjisë, Psikiatrisë, Dermatologjisë, Ortopedisë, ORL, Oftalomologjisë, Kirurgjisë Abdominale, Urologjisë, K. Torakale, K. Vaskulare, K. Plastike, Neurokirurgjisë, Pediatri, Neonatologji, Gjinekologji, Hematologjisë etj.) që dërguan dhjetëra specialistë, specializantë dhe infermierë për të dhënë kontributin e tyre në këtë Njësi.
– Si dhe në fund falenderoj familjen time për mirëkuptimin e tyre gjatë kësaj kohe, ku shumicën më të madhe të kohës nuk isha pranë tyre.