Raporti nga Cancer Research UK, analizon shifrat zyrtare të shëndetit nga viti 2019 dhe 2020 për t’i bërë llogaritjet se cila do të jetë prevalenca e kancerit deri në vitin 2040.
Analiza arrin në përfundimin se brenda njëzet viteve më shumë se 21 milionë njerëz në Britani do të jenë obezë, që do të thotë se mbi një e treta e të gjithë popullsisë së vendit do të jetë në rrezik të zhvillimit të sëmundjeve të lidhura me peshën e tepërt, përfshirë trembëdhjetë lloje të ndryshme të kanceri.
Kryekliniku i bamirësisë, profesori Charlie Swanton, ka bërë të ditur se kërkimet vazhdojnë të tregojnë rrezik të lartë të kancerit tek njerëzit me mbipeshë.
“Mbi 22 mijë kancere në Britaninë e Madhe çdo vit janë për shkak të mbipeshës në këta pacientë Pra, ekziston rrezik shumë i madh i rritjes së kancerit dhe atyre llojeve individuale të tij tek njerëzit që janë obezë”.
Sipas Swantonit, kanceret që lidhen me obezitetin përshtaten në dy kategori kryesore.
“Një janë llojet e kancereve të ndjeshme ndaj estrogjenit si kanceri i mitrës, ne e quajmë atë kancer të endometrit, por edhe kancer të gjirit dhe më pas të mendojmë për të në kontekstin e barkut, traktit gastrointestinal. Pra, kanceri i ezofagut, kanceri i stomakut dhe kanceri i pankreasit. Rreziqet e kancerit të mëlçisë, kancerit të zorrëve janë të gjitha në rritje te njerëzit që janë obezë”, vuri në dukje ai.
Sipas Swantonit, mekanizmi me të cilin obeziteti e rrit rrezikun e kancerit tani është objekt i një fushe kërkimi që po rritet shpejt, për shkak se sëmundja pritet t’i kushtojë Shërbimit Shëndetësor Kombëtar të vendit 9.7 miliardë paund secilin vit deri në vitin 2050.
Ai thotë se fokusi është se si molekulat e çliruara nga indet dhjamore mund t’i ndryshojnë sinjalet që u dërgojnë qelizave në pjesë të tjera të trupit.
Raporti thotë se është thelbësore që të gjithë ta kuptojmë prevalencën e ardhshme të sëmundjes, ngaqë do të ndikojë në të gjithë ekonominë.
Raporti thotë se barra e vërtetë e obezitetit bie te familjet më të varfra në shoqërinë britanike.
Gjersa inflacioni dhe rritja e faturave të karburantit prek njerëzit në të gjithë shoqërinë, njerëzit më pak të pasur u janë drejtuar bankave ushqimore për t’i ushqyer familjet e tyre.
Kjo bankë ushqimore në Brighton, në jug të Britanisë së Madhe, ka treguar se synon të përpiqet të sigurojë sa më shumë produkte ushqyese dhe të freskëta sa të mundet, ama kërkesa po rritet teksa spekulimet për një recesion në vend po ashtu po rriten.
Sipas raportit, vetëm në Angli 35% e njerëzve që jetonin në zonat më të privuara ishin obezë.
Raporti bën të ditur se deri në vitin 2040 gati gjysma e njerëzve më të varfër në Angli do të jenë në mbipeshë.