Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu thotë se në tre muajt e fundit janë larguar nga Kosova 62 mjekë.
Sejdiu vlerëson se ikja e mjekëve nga Kosova është shumë shqetësuese dhe sipas tij askush nuk është duke u marrë me këtë punë.
Ikja e punëtorëve shëndetësor nga Kosova është problemi kryesor me të cilin përballet shëndetësia në Kosovë. Lidhur me këtë Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës vlerëson se kjo është shumë shqetësuese për faktin se siç thotë ai “askush nuk është duke u marrë me këtë punë”.
“Për tre muaj ditë nga Kosova kanë ikur 62 mjekë. Kjo është shumë shqetësuese dhe më shqetësuese këtë e bën fakti se askush nuk është duke u marrë me këtë punë. Pra, së paku momentalisht ne nuk po shohim kurgja konkrete”, thotë Sejdiu.
Pleurat Sejdiu thotë se Oda e Mjekëve të Kosovës ka nisur takimet me Qeverinë e Kosovës në dy javët e fundit, ku përmendi Ministrin e Shëndetësisë, takime këto në të cilat thotë se kanë biseduar rreth Projektligjit të pagave, por pa diçka konkrete nga to.
“Po momentalisht vetëm në dy javët e fundit kanë filluar takimet me Qeverinë e Kosovës, veçanërisht me Ministrin e Shëndetësisë, që do të thotë se kemi biseduar rreth Projektligjit të pagave, për plotësimin apo ndryshimin e këtij ligji, sepse përpara krejt çka u ba u kanë vetëm rreth pandemisë, nuk ka pasë diçka tjetër konkrete”, potencon ai.
Lidhur me një grevë të mundshme nga punëtorët shëndetësor, Sejdiu vlerëson se në rast se nuk do të plotësohen kërkesat e tyre do të ketë pakënaqësi, por që sipas tij nuk dihet ende se si do të veprohet më tutje.
“Nuk po dua të flas rreth grevave njëherë, por me siguri që nëse nuk plotësohen kërkesat tona për këtë Projektligj do të ketë pakënaqësi ndaj institutcioneve, por se si do të veprohet më tutje nuk e dijmë ne njëherë”, thotë Pleurat Sejdiu.
Punëtorët shëndetësor kishin mbajtur grevë në nëntor të vitit të kaluar, duke përfshirë edhe ato në dhjetor, me anë të së cilës kishin kërkuar që të procedohet në Kuvendin e Kosovës për miratim Projektligji i Pagave.
Ndërkaq, sa i përket tërheqjes së mjeteve nga Trusti pensional, Pleurat Sejdiu thotë se kjo duhet të mendohet edhe për periudhë të mëvonshme, pra në periudhën e pensionimit.
“Po sa i përket tërheqjes së mjeteve nga Trusti ne nuk kemi ekspertizë me folë për këtë, por këtu nuk është vetëm çështja e mjekëve, duhet të mendohet edhe për më vonë kur dalin njerëzit se me çka do të mbahen ata në pension, pra me 90 euro pension”, thekson Kryetari i Odës së mjekëve./Reporteri.net