Lehtësimi i masave të izolimit në Gjermani është shoqëruar me detyrimin e mbajtjes së maskave në shumë vende publike, sidomos nëpër dyqane e në qarkullimin urban.
Të pranueshme konsiderohen edhe maskat prej pambuku të qepura vetë apo edhe shallet. Gjermanët kjo masë nuk i shqetëson, përkundrazi, shumica e tyre e shohin si mjaft pozitive.
“Mendoj se është një ide mjaft e mirë. Kur vij nga dyqani e heq dhe kur marr mjetet e transportit publik apo kur shkoj për të blerë, e vendos. Nuk me kushton asgjë”.
“Është një masë shumë e mirë. Duhet bërë çdo përpjekje për ta mbajtur situatën nën kontroll. Sigurisht nuk është dhe aq e këndshme të mbash gjithë kohën, por duhet bërë, për veten dhe për të tjerët”.
Në mesin e landeve gjermane, Bavaria është treguar më e rrepta në zbatimin e kësaj mase, me gjoba që shkojnë deri në 150 euro për shkeljen e saj nga individët dhe 5.000 euro për bizneset. Edhe në Luksemburg, maskat janë bërë të detyrueshme. Qeveria ka organizuar deri dhe shpërndarje falas të tyre, ndërsa kryeministri Xavier Bettel njoftoi se do të dhurojë 200,000 shalle për rezidentët, që të mbulojnë hundën dhe gojën.