Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
“Maniakë të kuzhinës” ndër grupet më të mëdha shqiptare në Facebook, flet njëri ndër themeluesit e tij

Shkruar nga Fisnik Dajakaj

Shumica prej nesh jemi të anëtarësuar në shumë grupe të mëdha në Facebook, pa e pasur idenë se si kanë arritur që grupet në fjalë të kenë numër kaq të madh anëtarësh dhe të jenë kaq aktivë.

Disa nga grupet më të mëdha sa i përket numrit të anëtarëve janë grupet me emrin “Maniakë”, grupe këto që menaxhohen nga njerëz që duan të kenë hapësira për diskutime për tema të caktuara.

Një nga këto grupe të sukseshme, është grupi “Maniakë t’Kuzhinës” i cili ka afër 300,000 anëtarë, ku postohen receta nga anë e mbanë botës ku ka shqiptarë. Grupet Maniakë janë krijuar nga tre të rinjë nga Kosova: Luan Morina, Egzon Bunjaku dhe Kushtrim Krasniqi dhe menaxhohen bashkërisht me moderatorët tjerë të grupeve.

Ne kontaktuam njërin nga këta themelues për të mësuar më shumë rreth qëllimit të këtyre grupeve, sfidave dhe arritjeve të grupeve.

Egzon Bunjaku, në një intervistë për portalin Familja jonë, nuk heziton ta tregojë rrugën se si ka mbërritur deri këtu, bashkë me shokët që i ndihmuan në këtë aspekt.

Kemi filluar në vitin 2012, unë dhe dy shokë të tjerë, Luan Morina dhe Kushtrim Krasniqi. Fillimisht e kemi hapur grupin “Maniakë t’Filmave”. Çdo film që e kemi parë e kemi diskutuar aty. Pastaj filloi duke u zgjeruar shoqëria dhe sot ky grup ka diku rreth 75 mijë anëtarë. Prej këtu, pastaj lindi ideja e formimit të grupit “Maniakë t’Serialeve” duke krijuar kështu edhe stacione tjera për të biseduar për hobit që kemi”, shprehet ai për Familja jonë.

E veçanta e secilit prej këtyre grupeve është gjuha jashtëzakonisht e kujdesur e anëtareve. Sipas Bunjakut kjo është arritur falë rregullave të vendosura qysh në fillim të hapjes së grupit, ashtu që çdo gjuhë denigruese apo jashtë kontekstit të diskutimit të penalizohet.

Për Egzonin dhe moderatorët e tjerë është shumë e rëndësishme që të zhvillohen debate cilësore në këto grupe dhe njerëzit ta sugjerojnë e ndihmojnë njëri-tjerin me ide nga më të ndryshmet.

Grupet menaxhohen prej vetë komunitetit, ne administratorët postojmë shumë rrallë. Ne vetëm se e mirëmbajmë grupin. Nëse e shohim se po zhvillohet një debat i mirë dhe dikush po e devijon temën, ne e penalizojmë”, theksoi ai.

Bunjaku gjithashtu foli edhe për grupin “Maniakë të kuzhinës” në të cilin tha se funksionojnë të njëjtat rregulla.

Edhe te “Maniakë të kuzhinës”,që njëkohësisht është grupi më i madh për receta në Ballkan me 300 mijë anëtarë, funksionojnë rregullat e njëjta. Për shembull nuk lejohet që dikush të postojë vetëm foton e një produkti pa e dhënë edhe recetën, pasi në këtë formë nuk përfiton askush”, thekson ai.

Prej grupit “Maniakë të kuzhinës” kanë ardhur edhe disa iniciativa humane, e njëra ndër to është edhe eventi “Drekë në shtëpinë e pleqve”, ku pjesëtarë të këtij grupi, me lejen e Ministrisë së Mirëqenies Sociale, kanë shkruar në shtëpinë e pleqve dhe u kanë gatuar ushqim falas. Bunjaku thekson se kjo iniciativë tashmë realizohet cdo vit, me qëllimin e vetëm që të bëhet dicka e mirë për këtë kategori.

Si grup i organizuar shkojmë tri herë në vit atje. Për dy festat e Bajramave dhe për Vit të Ri. U dërgojmë ushqime, i vizitojmë dhe kalojmë shumë mirë me ta”, shprehet Bunjaku.

Një sukses i madh me këto grupe padyshim se kërkon një përkushtim të madh nga administratorët. Për Egzonin dhe administratorët është pasioni ai që e ka dirigjuar punën. Duke u përkushtuar me shumë pasion, të gjitha grupet që ai dhe ekipi i tij drejton janë shumë të ndjekur dhe me shumë anëtarë.

Për fund, ai thekson se grupin që e ka më përzemër nga të gjithë këta është ai i “Maniakëve të filmit”, pasi është shumë i dhënë pas filmave. “”Maniakë t’Filmave” është grupi im favorit. Është shumë herë më i vogël sesa “Maniakë t’Kuzhinës” për nga numri i anëtarëve, por është një komunitet i mirë dhe e dua shumë botën e filmave”, përfundoi ai.

Grupet Maniakë mund t’i gjeni në rrjetin social Facebook.

Youtube

Arkiva

Kategoritë