Mikrobiologu i njohur Kosovar, Lul Raka, ka dalë edhe një herë me sqarime në lidhje deklaratat e tij të dhëna kohë më parë.
Raka, përmes një postimi në faqen e tij në Facebook, ka shkëputur disa nga citatet të cilat iu keqkuptuan nga opinioni publik. Citimet në fjalë janë marrë nga një intervistë e zhvilluar në vitin 2020, për gazetën Zëri.
Ndër të tjera, në këtë intervistë, Lul Raka potencon se NUK mund të parashikohet me saktësi përfundimi i pandemisë COVID-19, por mund të thuhet se NUK është cështje ditësh apo javësh, por mbase muajsh.
“Situata me ‘2019-nCoV’ po ndryshon me shpejtësi, duke ndryshuar numrat për çdo orë. Tashmë është dëshmuar përhapja nga njeriu në njeri, duke prekur edhe 16 punëtorë shëndetësorë. LAKORJA E KËTIJ SHPËRTHIMI ËSHTË E PAMUNDUR TË PARASHIKOHET, POR DUKET SE DO TË PËRBALLEMI ME NJË PANDEMI, E CILA DO TË ZGJASË JO ME DITË E JAVË, POR MBASE ME MUAJ TË TËRË. Reagimi efektiv kërkon veprim të shpejtë me rritjen e gatishmërisë dhe të masave parandaluese nga institucionet shëndetësore”, theksoi Lul Raka para një viti.
Raka, në po këtë intervistë, potencoi se masat parandaluese të përhapjes së pandemisë COVID-19 duhet të përfshijnë kontrollin e rreptë të hyrjeve të udhëtarëve në Kosovë nga vendet e prekura, identifikimin e shpejtë të rasteve dhe masat e parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve. Si masa individiuale për parandalimin e sëmundjes, Lul Raka përmend në këtë intervistë higjienën e duarve, mbajtjen e maskës, evitimin e kontakteve, mbulimin e gojës dhe hundës gjatë tështitjes dhe lajmërimi te mjeku nëse keni simptoma të sëmundjes.
“Masat parandaluese të virusit fillojnë me kontrollin e hyrjes së udhëtarëve nga vendet e prekura, për t’u pasuar nga identifikimi i shpejtë i rasteve, diagnoza e hershme e sëmundjes, izolimi i pacientëve të sëmurë, gjurmimi i kontakteve të të sëmurit dhe masat e parandalimit dhe kontrollit të infeksioneve. Ndërkaq masat kryesore individuale për parandalimin e sëmundjes janë: higjiena e duarve, mbulimi i gojës dhe i hundës gjatë kollitjes dhe teshtitjes, shmangia e kontaktit me çdokënd që ka simptoma të ftohjes dhe të gripit dhe lajmërimi te mjeku nëse keni ethe, kollë dhe vështirësi në frymëmarrje”, citohet të ketë thënë Raka në atë intervistë.
Ai gjithashtu theksoi se zhvillimi bioteknologjik ka ndikuar në reduktimin e kohës për prodhimin e vaksinave, cka do të thotë se vaksinat mund të prodhohen më shpejt gjatë ditëve të sotme, krahasuar me vitet 2003, ku për ta pasur gati vaksinën për testim klinik u deshën 20 muaj.
“Gjatë epidemisë së fundit të SARS-it më 2003-n shkencëtarët mbërritën ta kenë gati vaksinën për testim klinik brenda 20 muajsh. Sot zhvillimi bioteknologjik ka ulur në minimum këtë komponentë dhe kjo fazë sot mund të shkurtohet në vetëm 16 javë. Megjithatë, në rrugën drejt përdorimit praktik të vaksinës mund të ketë sfida të ndryshme, të cilat nganjëherë janë të paparashikueshme”, shtoi tutje Raka në intervistën e zhvilluar për gazetën Zëri.
Në postimin e bërë gjatë ditës së sotme, Raka, në fund, theksoi se asnjëherë nuk ka thënë se virusi do të mbyllet për dy javë, sic është raportuar në medie.
“SOT, Për disa analistë të “gjithçka 1 Euro” që janë ekspertë për kromozome dhe efektin serë; për vrimat e zeza dhe pelat e bardha; për Zaratustrën dhe Kamasutrën; për shurup dranafilli dhe gjenom të SARS-CoV2, si dhe disa kolegë specialistë të Narcisologjisë: NËSE “DY JAVËT VENDIMTARE” I KENI KUPTUAR SI “DY JAVËT PËRFUNDIMTARE TË PANDEMISË”, ky është problem i Juaj”, përfundoi postimin e tij Lul Raka.