Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
KUR VAJZAT E MIA KUPTUAN SE UNË VUAJ NGA KANCERI…!

Shumë prej nesh nuk e kanë guximin të ju tregojnë fëmijëve të tyre për të vërtetën e hidhur, sëmundjen e kancerit. Marrëdhënia nënë me vajzë, është e veçantë dhe më ndryshe, e mbushur me dashuri, e formësuar me emocione dhe vlera të cilat nuk jemi në gjendje as t’i përshkruajmë.

Kur këto lidhje kalojnë përmes fazave dhe ngjarjeve të ndryshme, atëherë edhe dashuria merr forma të ndryshme. Nënat janë shembulli i parë dhe më i madh për vajzat gjatë fëmijërisë, por edhe gjatë gjithë jetës. Unë i kisha mësuar vajzat t’ua them gjithmonë të vërtetën. Gjëja më e vështirë gjatë gjithë jetës sime ishte kumtimi i sëmundjes së kancerit te vajzat e mia. Ndoshta më mirë që janë në moshë më të vogël, kjo do të thotë që kanë njohuri më pak rreth sëmundjes.

Gjithmonë kisha qenë e sinqertë me vajzat , vendosa të jem edhe kësaj radhe! U tregova për sëmundjen e kancerit. Dhe, çuditërisht, nuk e pritën me frikë, sepse mënyra e komunikimit tim me vajzat dhe anasjelltas është shumë e hapur dhe e besueshme. I kisha ngritur gjithmonë lart duke i lavdëruar, sepse lavdërimi vërteton sjelljet që dëshiron t’i ketë vajza, ndërsa kritika në mënyrë të duhur eliminon ato të padëshirueshmet.

Mami po ndryshon…

Vajzat shpejt e kuptuan se mami i tyre po ndryshon. Rënia e flokëve ishte pjesa më e vështirë për to. Për vajzën, e cila ishte mësuar gjithmonë ta shohë nënën të rregulluar dhe të grimosur, është shumë e rëndë ta shohë pa flokë fare. Në fillim mendova ta fsheh, por duke u menduar më mirë, si mund të fshihet një gjë prej dikujt që rri 24 orë bashkë me të?!

E pamundur. Dhe mënyra si ju tregova ishte kjo: Terapia që unë e kam marrë ia ka prishur flokët mamit dhe mjeku ka thënë që nëse unë i heq të gjitha do të më dalin shumë më të mira, ju e dini që bukuria e njeriut nuk varet nga jashtë, por nga brenda.

U pajtuan! U pajtuan dhe u mësuan, madje më dhanë kurajë me fjalët më të bukura që mund të ekzistojnë: -Mami, ti je më e bukura në botë edhe pse je pa flokë! -Mami, ti je gruaja më e fortë në botë! -Mami, ti je shembull për të gjitha gratë që kanë kancer!

E si të mos jem e fortë në luftën time kundër kancerit, kur kam pranë tri dashuri, tri princesha, tri jetë për t’u qëndruar pranë dhe të jem mbështetja e tyre në rrugët e gjata të jetës me plot sfida.

Falënderoj Zotin që më bekoi me Dëborën, Ardorën dhe Arjën!

Familja dhe Shëndeti

Youtube

Arkiva

Kategoritë