Mbrëmë, në kuadër të emisionit “Takim virtual me Shëndritin”, ishte i ftuar otorolaringologu, dr. Zgjim Limani, me të cilin u diskutua në lidhje me infeksionet e bajameve dhe trajtimin e tyre.
Gjatë emisionit u diskutua edhe rreth asaj se kur është e domosdoshme që bajamet të operohen. Sipas Limanit, ekzistojnë disa protokole që e determinojnë se kur duhet të operohen bajamet. Ai shpjegon se janë disa kritere që tregojnë nëse bajamet duhet operuar ose jo. E këto kritere janë: paraqitja e shtatë infeksioneve të bajameve brenda një viti ose shfaqja e pesë infeksioneve për dy vite (secilin vit nga pesë infeksione), ose duhet të jenë nga tre infeksione të bajameve për tre vite radhazi.
Sipas Limanit, kur plotësohen këto kritere, atëherë konsiderohet se bajamet duhen operuar pasi paraqesin një vatër infeksioni. Ai tutje thekson se, përvec infeksioneve, bajamet në këtë gjendje mund të shkaktojnë dhe probleme me frymëmarrje përmes hundës ose gojës.