Në sallën operative të Klinikës Emergjente të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, para disa ditësh është kryer me sukses të plotë edhe një operacion shumë i rrallë dhe i ndjeshëm.
Në momentin e pranimit në Klinikë Emergjente, pacienti A.R, 1987, e kishte pothuajse komplet të prerë krahun e djathtë, (amputim subtotal), gjatë një aksidenti me xham në shtëpi.
Mjekët kirurgë, me punë ekipore, (ekipa e Kirugjisë Vaskulare që e udhëheqi operimin, e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive dhe ekipa e Neurokirurgjisë), bashkë me Anesteziologë dhe pjesën tjetër të ekipit operativ, kanë kryer operimin te një pacient i moshës 36 vjeç, duke i realizuar dy bypasse (urëzime), në pjesën e mesme të arteries brahiale dhe venës basilica të djathtë, (arterie kryesore që ushqen dorën me gjak dhe vena sipërfaqsore, e cila e kthen gjakun në zemër).
Si graft për rekostrukcion të enëve të lëndura, ekipa përdori venën sipërfaqësore të këmbës së djathtë; (Vena saphena magna). Po ashtu ekipa operative, kishte përkujdesur dy venat brahiale dhe kishte bërë hemostazë korrekte. Ekipa e Neurokirurgjisë e bëri qepjen e nervit të dorës, ndërsa ekipa e Kirurgjisë Plastike, bëri qepjen e muskujve dhe të tendinave.
Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses të plotë dhe pacienti pas 6 ditë hospitalizimi në Kirurgji Vaskulare, u lirua në shtëpi në gjendje shumë të mirë shëndetësore.