Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Kryhet një operacion i rrallë tek një fëmijë në QKUK

Një ekip mjekësor në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve ka kryer me sukses një operacion të rrallë te një fëmijë i moshës 2 vjeçare, i dyti që realizohet brenda 20 vjetëve në QKUK.

Fëmija kishte marrë lëndime në bark nga një televizor dhe, pas ekzaminimeve të nevojshme, mjekët kanë vërejtur një formacion cistik në pankreas.

Kirurgu Ali Aliu thotë se intervenimi është kryer me sukses të plotë, ndonëse i komplikuar, kurse pacienti është lëshuar për në shtëpi.

“Pas intervenimit me sukses, pacientja është liruar brenda javës për në shtëpi. Në pranim pacientja kishte 10.5 kilogramë. Këto raste janë të rralla, kanë qenë prezente edhe më herët. Për fat të mirë, këto raste kryhen në klinikën tonë dhe nuk ka nevojë për trajtim jashtë vendit”, tha Aliu.

Për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes shëndetësore, mjekët ia kishin ndërprerë mënyrën e rregullt e të ushqyerit dhe pacienti ishte mbajtur vetëm me terapi parenterale (infuzion).

Drejtori i Klinikës së Kirurgjisë së Fëmijëve, Murat Berisha, pohon se fëmija ka qëndruar pa ngrënë më shumë se një muaj, meqë ishte konstatim i mjekëve për të shmangur komplikimet tjera.

“Është rast i ndjeshëm. Pas traumës që pëson pacienti, duhet të qëndrojë pa ushqim. Fëmija ka qëndruar pa ngrënë 5 javë. Është mbajtur me një material ushqyes që kushton shumë, por familjarët nuk kanë pasur nevojë të shpenzojnë për të, sepse ne, si Klinikë, e posedonim”, deklaroi Berisha.

Durim Kastrati, babai i pacientes, është shprehur i kënaqur me mënyrën e trajtimit të vajzës dhe ka falënderuar mjekët për punën e bërë.

“Nuk kam menduar që mjekët tanë mund t’i kryejnë këto operacione. Sjellja e tyre ka qenë shumë e mirë. Për secilin veprim na kanë informuar. Rasti, sipas mjekëve, ka qenë i rëndë, por është kryer me sukses. Shërbimi për vajzën time ka qenë shumë i mirë”, tha ai.

Youtube

Arkiva

Kategoritë