Krimineli këndon Duke ndenjur i menduar pranë dritares, një ditë pasi NATO-ja kishte ndërprerë bombardimet, Isai pa një Lada Niva të forcave policore të kamufluar në ngjyrë blu dhe të purpurt. Ai e dinte se ajo i takonte Nebojsha Miniqit. E kishte parë të kalonte gjatë këtyre javëve nëpër rrugë dhe lutej të mos i vinte re se Balajt ishin ende në qytet. Kishte dëgjuar shumë për Miniqin gjatë këtyre javëve dhe nga të gjitha ato e dinte se qe më mirë që Miniqi të mos e dinte se ata ishin ende në shtëpinë e tyre. Niva është në krye të një kolone prej 15 makinash që ecnin ngadalë, kur hynë në rrugën Dushan- Mugosha dhe kaluan para shtëpisë së Isait. Makinat e tjera janë të zeza, derisa banda e Miniqit thirret Munje apo Rrufeja. Isai i sheh dhe mendon: “Ata kanë armë të luftojnë me gjysmën e Evropës”. Rada, e dashura e Miniqit, një refugjate serbe e Bosnjës, qëndron e ulur në vendin e pasagjerit, pranë Miniqit, që mban një megafon në dorë derisa ecën ngadalë në rrugët e Pejës. “Vëllezër serbë, mos e lini Kosovën! Kosova është e jona! Mos e lëshoni Kosovën!”- thërriste Miniqi nëpër rrugë. Më pas ai fillon të këndojë këngë popullore serbe, nga ato që flasin për krenarinë serbe dhe fitoren. Më pas makinat e tjera kanë pankarta ku shkruhet “Serbia e Kosova janë tonat”. Parada e makinave kalon shtëpinë e Isait dhe drejtohet në pjesët e tjera të qytetit, derisa zëri bëhet gjithmonë e më i largët, kurse autokolona i bie qytetit dy herë radhazi. “Ai ishte i dëshpëruar dhe donte të riorganizonte njerëzit e tij dhe të bashkohej me ata që kishin mbetur nga ushtria, policia dhe grupet e tjera paraushtarake që ishin të gatshëm të qëndronin dhe të prisnin ardhjen e italianëve në qytet”, kujton një ushtar serb me pseudonimin “Gjorgje”, që e kishte njohur Miniqin gjatë luftës dhe kishte bashkëpunuar ngushtë me Munje. “Ishte parashikuar që ata të qëndronin dhe të mbronin serbët e mbetur, të gatshëm për të qëndruar. Njëherësh të mbronin qytetin nga UÇK-ja, derisa nuk kishin ardhur italianët. Nuk e di sesa ishin, pasi vetë jam larguar dy ditë para fundit”, – tregon Gjorgje. Të premten Isai shikonte civilët serbë, jo larg lagjes së tij, që kishin injoruar thirrjet e Miniqit dhe largoheshin këtë radhë me shumicë. Makinat e tyre kaluan para shtëpisë së Isait në drejtim të Malit të Zi. Vetëm pak njerëz kishin mbetur: pak ishin shqiptarët që qëndruan dhe mbijetuan, tashmë janë pak civilë serbë që janë të gatshëm të qëndrojnë, duke rrezikuar ardhjen e UÇK-së dhe NATO-s, për hir të shtëpive të tyre. Të shtunën në mbrëmje Peja ishte më e qetë, krahasuar me ditët e fundit. Rryma ishte ndërprerë që në drekë, kështu që Balajt u bënë gati për shtrat më herët se zakonisht. Musai e kaloi paraditen te Riza. Ai kishte marrë dy litra raki me vete dhe pas disa orësh, kur ishte larguar, kishte mbetur vetëm një litër. Tani ai është disi i pirë dhe qëndron i ulur duke pirë cigaret njëra pas tjetrës. Halishje po ngroh fasule në një ngrohëse të vogël gazi. Nuk ka më kuptim të qëndrohet më gjatë në errësirë derisa fëmijët po bëhen edhe më shume grindavecë. Ata po e ndiejnë se koha e çlirimit për ta është afër, pas tre muajsh që kanë qëndruar mbyllur. Dje Halishja kishte bërë petulla në oborr. Fëmijët, pasi i kishin ngrënë petullat me sheqer, i kishin puthur duart Halishes. Ishte një ndjesi feste. Edhe sonte fëmijët ndieheshin njësoj, por Isai kishte ankth. Halishja dhe Vjollca i veshën fëmijëve pizhamet që t‘i çonin në shtrat menjëherë pas darkës me fasule. Isa po ndihmonte duke shtruar përdhe në dhomën e ndenjies për familjen e tij dhe në dhomën ngjitur për familjen e Musait. Nesër, kishte njoftuar televizori, trupat e NATO-s do të arrinin dhe në Kosovën perëndimore.