Nënat që kanë Covid-19 nuk kanë gjasa të kalojnë infeksionin te foshnjat e tyre gjatë lindjes, nëse ekzistojnë masat paraprake, sugjeron një studim i vogël.
Nga 120 foshnje të lindura në tre spitale në New York, asnjë prej tyre nuk doli pozitive për Covid-19, pasi u lindën nga nëna të infektuara.
Rezultatet u shfaqën të ngjashme edhe dy javë më vonë pas ushqimit me gji dhe pas ndarjes së një dhome me nënat e tyre.
Ekspertët thonë se rezultatet janë siguruese, por nevojiten testime më të mëdha.
‘Kontakti i afërt’
Të dhënat mbi rrezikun e transmetimit Covid-19 gjatë shtatzanisë dhe gjidhënies janë të pakta, kështu që rekomandimet për gratë shtatzëna dhe nënat e reja ndryshojnë.
Në Mbretërinë e Bashkuar, Kolegji Mbretëror i Obstetërve dhe Gjinekologëve sugjeron që nënat duhet të ndajnë një dhomë me foshnjat e tyre dhe t’i ushqejnë me gji nëse dëshirojnë, por me masat e duhura.
Së bashku me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ata thonë se përfitimet e ushqyerjes me gji tejkalojnë rreziqet e mundshme të përhapjes së Covid-19.
Ndërkohë, Qendrat e SHBA-së për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve sugjerojnë që të merret parasysh një ndarje e përkohshme e të porsalindurit nga një nënë, për të zvogëluar rrezikun e përhapjes së virusit tek fëmija. Ata thonë se nënat në këtë situatë mund ta konsiderojnë nxjerrjen dhe ruajtjen e qumështit të gjirit.
Në këtë studim, nënat dhe foshnjet u lejuan të qëndronin në të njëjtën dhomë, dhe nënat mund të ushqenin me gji – me masa të tilla si mbajtja e maskave për fytyrën dhe larja e shpeshtë e duarve. Foshnjet kishin shtretërit e mbyllur rreth 2m larg nga shtrati i nënës.
Studiuesit gjetën:
- Të gjitha 120 foshnjet dolën negative për koronavirusin gjatë lindjes kur u testuan me shtupë hundësh.
- 82 u kontrolluan përsëri një javë më vonë dhe të gjitha dolën prapë negative. Shumica e këtyre foshnjeve (68) kishin ndarë një dhomë me nënat e tyre dhe më shumë se tre të katërtat po ushqeheshin me gji.
- 72 foshnje u testuan dy javë pas lindjes dhe dolën negative.
Studiuesit pranojnë se gati një e treta e foshnjeve nuk kishin teste të mëtejshme pas lindjes, pjesërisht sepse prindërit nuk donin t’i rikthenin ato në një mjedis klinik gjatë një pandemie.
Sidoqoftë, Dr Christine Salvatore, e cila drejtoi studimin, tha: “Ne shpresojmë se studimi ynë do të ofrojë pak siguri për nënat e reja që rreziku i bartjes të Covid-19 te foshnjat e tyre është shumë i ulët.
“Sidoqoftë, studime më të mëdha ishin të nevojshme për të kuptuar më mirë rreziqet e transmetimit nga nëna te fëmija.”
Prof Marian Knight, e cila drejton mbikëqyrjen kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar mbi Covid-19 në shtatzani, tha se hulumtimi ofroi siguri dhe mbështeti udhëzimet aktuale.
Ajo tha: “Më shumë se 1.000 nëna me infeksion SARS-CoV-2 kanë lindur në Britani të Madhe, dhe vetëm 1-2% e foshnjeve të tyre kanë dalur pozitiv për SARS-CoV-2. Infeksioni nuk duket se shkakton sëmundje të rëndë te këto foshnje.
“Ky studim i vogël në SH.B.A. tregon gjithashtu se transmetimi i infeksionit nga nëna te fëmija është i rrallë me masa paraprake të thjeshta siç është vendosja e maskave të fytyrës nga nënat me Covid-19.”
Studimi është botuar në revistën The Lancet Child & Adolescent Health.