Enj, Nën 28, 2024
Banner Top
Banner Top
Kolelitiaza (gurët në fshikëzën e tëmthit)

Shkruar nga Dr. Visar Zekaj Gastroenterolog Internist

Gurët në fshikëzën e tëmthit janë depozitime të ngurta të cilat mund të formohen në fshikëzën e tëmthit. Fshikëza e tëmthit është organ i vogël me formë dardhe nën mëlçi në pjesën e djathtë të barkut.

Gurët mund të jenë mjaft të vegjël pra nën 1 mm e deri në disa cm apo më e madhe se një kokërr veze. Zakonisht gurët janë në shumicën e rasteve asimptomatik dhe zbulohen rastësisht gjatë një ekzaminimi ekografik.

Në disa raste shfaqin simptoma të cilat janë: dhimbje e papritur dhe e fortë në pjesën e epigastriumit dhe hipokondrin e djathtë të cilat shpërndahen në shpine dhe lart në shpatull, që shoqërohen me nauze dhe të vjella. Këto dhimbje mund të zgjasin nga disa minuta e deri në disa orë. Në rastet kur guri kalon në kanal shfaqen simptoma si: dhimbje të forta që detyrojnë pacientin të marr pozita të ndryshme, nuk mund as te uleni, zverdhje e sklerave të syve dhe lëkurës, ethe, temperaturë.

Gurët me ngjyrë të bardhe në të verdhë janë zakonisht gurët që formohen nga kolesteroli, kurse gurët të cilët janë me ngjyrë kafe apo të zezë janë gurë biliar.

Faktorë të rrezikut për shfaqjen e gurëve janë: gjinia femërore (2-3:1 ne raport me meshkujt), mosha mbi 40 vjeçare, mbipesha dhe obeziteti, shtatzënia, ushqimi me yndyrë dhe kolesterol të lartë, historia familjare pozitive, diabeti, sickle cell anemia, leukemia, sëmundjet inflamatore të zorrëve, humbja e shpejtë e peshës trupore, marrja e medikamenteve të ndryshme (hormonale, kontraceptivët etj), sëmundjet e mëlçisë.

Komplikimet e gurëve në fshikëzën e tëmthit janë: pezmatimi akut i fshikëzës së tëmthit (kolecistes), pezmatimi akut i pankreasit (Pankreatitin akut) e cila kërkon shtrim urgjent në spital, empiemen e kolecistes, kolangjitin, përforcimin apo pëlcitjen e kolecistes, e deri te kanceri i kolecistës ( fshikëzës së tëmthit).

Diagnostikimi: për diagnostikimin e gurëve metoda më e mire dhe e lirë është ekografia e abdomenit e cila mjaft mire i identifikon gurët ne fshikëzën e tëmthit, por në rastet kur nuk mund te detektohen gurët me ekografi atëherë përdoren edhe metoda tjera si HIDA scan, CT, MRCP, ERCP. Ka raste kur gurët janë mjaft të imët pra si lym biliar qe këto ekzaminime nuk mund ti detektojnë atëherë në ato raste bëhet Ultrazëri endoskopik me anë të së cilës mund të detektohet lymi biliar. Kurse nga testet laboratorike që na ndihmojnë për te përjashtuar infeksionin dhe komplikimet tjera janë hemogrami (Leukocitet e larta), CRP, Prokalcitonina, transaminazat (AST, ALT), bilirubinemia, fosfataza alkaline, GGT, Amilaza dhe Lipaza.

Trajtimi: në rastet kur nuk kemi simptoma nuk ka nevojë për trajtim. Por në rastet kur kemi dhimbje të forta atëherë jepen analgjetiket për të qetësuar dhimbjen, në rastet kur shfaqen shenjat e infeksionit atëhere duhet të ordinohen antibiotiket dhe shtrimi ne spital. Ndersa per zgjedhjen definitive duhet te behet kolecistektomia.

Për fund ju keshilloj që të kemi kujdes në ushqim ti shmangim ushqimet e yndyrshme, të ruajme peshen normale trupore, aktiviteti fizik i rregullt.
Më poshtë po prezantoj një video me ekografi të gurit në fshikëzën e tëmthit. /Familja Jonë

Youtube

Arkiva

Kategoritë