Sht, Nën 30, 2024
Banner Top
Banner Top
Këto 7 ndryshime në stilin e jetës mund të ndihmojnë tiroiden

Shumë persona nuk shqetësohen të kontrollojnë gjëndrën tiroide deri në momentin kur fillojnë të kenë shqetësime. Tiroidja është një gjëndër kritike për shëndetin e të gjithë trupit, duke përfshirë sistemin muskuloskeletal dhe atë tretës, metabolizmin dhe zemrën. Ndryshimi i dietës dhe rutinës tuaj mund të bëjë mrekulli për shëndetin e tiroides.

7 ndryshime në stilin e jetës që mund të ndihmojë tiroiden

1. Rregulloni regjimin e gjumit

Kur tiroidja nuk funksionon siç duhet, ju mund të ndiheni të lodhur, të rraskapitur e madje të keni edhe pagjumësi. Vendosja e një regjimi të rregullt të gjumit është e rëndësishme. Kjo do të rrisë nivelet e energjisë dhe mund të parandalojë që tiroidja të përkeqësohet.

Sipas mjekëve, orët e pakta të gjumit mund të shkaktojnë lodhje të gjëndrave mbiveshkore, duke mbingarkuar dhe dobësuar tiroiden. Ndaj synoni të flini 8 orë dhe përpiquni të shkoni në shtrat në të njëjtën kohë çdo natë.

2. Kryeni aktivitet fizik të moderuar

Një tiroide “e lodhur” bëhet e paefektshme në menaxhimin e metabolizmit, duke ndikuar në peshën dhe gjendjen tuaj emocionale. Ushtrimet e rregullta stimulojnë tiroiden të bëjë punën e saj, por kujdes pasi aktiviteti i tepërt fizik mund ta rëndojë atë.

Zgjedhja e rutinës së duhur të ushtrimeve është e rëndësishme. Ushtrimet aerobike me intensitet mesatar, ecja, noti dhe joga janë zgjedhje fantastike për personat me probleme të tiroides. Endorfina e çliruar gjatë ushtrimeve ju ndihmon të mbani “të lumtur” dhe të shëndetshme tiroiden tuaj.

3. Praktikoni menaxhimin e stresit

Përveçse ju ndihmon të relaksoheni mjaftueshëm për të fjetur si duhet natën, ulja e stresit është e rëndësishme për shëndetin e tiroides. Stresi bën që substancat si kortizoli dhe adrenalina të çlirohen, duke shkaktuar një mori shqetësimesh si sheqeri i ulët në gjak dhe probleme të tretjes. Këto substanca gjithashtu mund të ndikojnë drejtpërdrejt në tiroiden tuaj.

Menaxhimi i stresit mund të kërkojë kohë dhe eksperimentime; një teknikë mund të funksionojë për disa persona, por jo për të tjerët. Praktika të tilla si ushtrimet e frymëmarrjes, meditimi, madje edhe hipnoza funksionojnë për shumë persona.

4. Ndryshoni dietën tuaj

Ushqimi është gjëja kryesore që ndikon në gjëndrën tiroide. Duke qenë se një nga qëllimet kryesore të tiroides është të metabolizojë ushqimin, ajo që konsumoni mund të shkaktojë një dëm të madh në shëndetin e kësaj gjëndre. Dieta të veçanta janë krijuar posaçërisht për njerëzit me sëmundje autoimune si Tiroiditi i Hashimoto, ose “hipotiroidizmi autoimun”. Sidoqoftë, mund të mos ju duhet një dietë kaq e rreptë për t’ju ndihmuar të ndiheni më mirë.

Ushqime të caktuara janë shqetësimi kryesor për personat me çrregullime të tiroides. Soja, gluteni dhe ushqimet me shumë yndyrë mund të ndërhyjnë në medikamentet e tiroides dhe të ndikojnë negativisht duke penguar trupin të përthitë hormonet e tiroides, ndaj duhet të shmangen.

5. Provoni alternativat bimore

Mjekimet bimore janë duke u përdorur gjithmonë e më shumë, por sigurohuni që të flisni me një mjek më parë, veçanërisht nëse jeni duke marrë mjekim për tiroiden. Jamballi është një suplement i njohur bimor që përdoret për të ulur inflamacionin e tiroides.

Ndihmon gjithashtu në mbështetjen e gjëndrave mbiveshkore, të cilat janë të rëndësishme për funksionimin e tiroides. Personat me hipertiroidizëm, prodhim të shtuar të hormonit të tiroides, mund të përfitojnë nga përdorimi i bimëve që pengojnë mbiprodhimin e tiroides.

6. Pyesni për suplementet

Vitaminat dhe shtesat e tjera janë gjithashtu të njohura në trajtimin e gjendjeve të tiroides. Tiroidja ka nevojë për shumë vitamina dhe minerale të ndryshme për të prodhuar hormonet e saj, thjesht sigurohuni që të flisni me mjekun tuaj para se të filloni ndonjë shtesë.

Vitamina D është një nga mungesat më të zakonshme dhe është e lehtë për t’u trajtuar vetëm me një pilulë ditore. Një mungesë e vitaminës D madje mund të rrisë rrezikun për probleme me tiroiden. Njerëzit me hipotiroidizëm mund të kenë gjithashtu një mungesë të vitaminës B.

7. Konsideroni medikamentet

Megjithëse shumë persona janë kundër medikamenteve sintetike, në disa raste mund të duhen për të ndihmuar një tiroide jofunksionale. Nëse mjeku juaj ju ka diagnostikuar me një gjendje të tiroides, veçanërisht nëse është autoimune, duhet të konsideroni marrjen e një medikamenti shtesë.

Youtube

Arkiva

Kategoritë