Plani i vaksinimit të qytetarëve të Republikës së Kosovës me vaksinën anti-COVID tashmë është miratuar.
Ministria e Shëndetësisë (MSh) në një përgjigje për Telegrafin ka thënë se presin përgjigje nga COVAX që gjatë kësaj jave të dihet data kur këto vaksina do të arrijnë në Kosovë.
Sipas MSH-së vetëm konfirmimi nga COVAX pritet që të fillojë procesi i vaksinimit.
“MSh pret qe këtë jave te informohet nga mekanizimi COVAX për datën e arritjes se dozave te para te vaksinës, dhe te filloje praktikisht procesi. Plani i vaksinimit është përgatitur e miratuar dhe po pritet vetëm konfirmimi prej këtij mekanizimi”, thuhet në përgjigjen e ministrisë për Telegrafin.
Ndryshe, shtetet e rajonit tashmë kanë filluar të vaksinojnë qytetarët e tyre.
Në Shqipëri tashmë ka filluar arritja e kontingjenteve të vaksinës së Pfizer-it pothuajse çdo javë, kurse në prill, siç ka paralajmëruar kryeministri, Edi Rama, pritet të arrijë kontingjenti i parë i 360,000 dozave të vaksinës së kompanisë britanike, AstraZeneca dhe Universitetit të Oxford-it nga “një shtet mik”.
Maqedonia e Veriut po ashtu ka filluar vaksinimin me vaksinat e dhuruara nga Serbia, kurse Serbia tashmë u ka mundësuar qytetarëve të vetë të zgjedhin në mes katër vaksinave dhe ka vaksinuar mbi një milion njerëz.
Vaksinimi ka filluar edhe në Malin e Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë, po ashtu me vaksina të dhuruara nga Serbia.
Derisa disa nga këtyre shtete kanë bërë negociatat direkte me kompanitë për të siguruar vaksinat, Kosova është në pritje të vaksinës së AstraZenecas përmes programit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, që ka për qëllim të shpërndajë vaksina në vende të varfra.