Pre, Nën 29, 2024
Banner Top
Banner Top
Katër arsye pse duhet të bëni një sy gjumë pasdite

Gjetja e kohës për të pushuar në mes të angazhimeve të përditshme mund të jetë e vështirë, por një sy gjumë ka përfitime që mund t’ju ndihmojnë të përmirësoni shëndetin dhe produktivitetin tuaj.

Gjumi i herëpashershëm mund të jetë i shëndetshëm, por më shumë se 45 minuta mund të ndërhyjnë në ritmin tuaj cirkadian, gjë që mund ta bëjë më të vështirë pastaj gjumin e natës.

Në vijim jua sjellim katër arsyet pse duhet të përfshini një sy gjumë pasdite në rutinën tuaj të përditshme.

Dremitja mund të “rimbushë bateritë e trurit tuaj”
Një studim mbi astronautët (i financuar nga NASA) tregoi se dremitja për gjysmë ore përmirëson kujtesën e punës. Memoria e punës përfshin përqendrimin e vëmendjes në një detyrë duke mbajtur në kujtesë detyrat e tjera, kështu që memoria e dobët e punës mund të çojë në gabime.

Dremitja mund t’ju bëjë më vigjilentë gjatë periudhës menjëherë pas zgjimit dhe ndoshta për orë të tëra gjatë ditës. Një sy gjumë i shkurtër gjithashtu mund t’ju bëjë të ndiheni më të relaksuar.


Një sy gjumë gjatë ditës, një ose dy herë në javë, mund të zvogëlojë rrezikun e sulmit në zemër ose goditjes në tru, sipas një studimi të vitit 2019 të botuar në revistën Heart.

Pasi hulumtuan më shumë se 3.400 njerëz midis moshës 35 dhe 75 vjeçare për një periudhë pesëvjeçare, studiuesit zbuluan se ata që kënaqeshin me dremitje të herëpashershme ishin 48 për qind më pak të rrezikuar për atak në zemër, goditje në tru ose pamjaftueshmëri të zemrës.

(Foto: ClevelandClinic)

Madje mund t’ju ndihmojë të jeni në formë
Një studim i vitit 2020 i fokusuar te femrat, tregoi se sa më shumë që ato të jenë pa gjumë, aq më shumë ka gjasa që të konsumojnë sheqer shtesë, ushqime të yndyrshme dhe kafeinë.

Mungesa e gjumit cilësor mund të çojë në ngrënie të tepruar, sepse besohet që gjumi joadekuat stimulon urinë dhe shtyp sinjalet hormonale që transmetojnë ngopjen.

Këto gjetje janë të rëndësishme, sepse femrat janë në rrezik të lartë për obezitet dhe çrregullime të gjumit, të cilat mund të shkaktohen nga marrja e lartë e ushqimit.

Një sy gjumë pasdite inkurajon kreativitetin
Ana e djathtë e trurit tuaj mund të përjetojë një shkëndijë mendore gjatë gjumit, ka treguar hulumtimi. Ana e djathtë është hemisfera që lidhet më shumë me detyrat krijuese, si vizualizimi dhe të menduarit, ndërsa e majta është më analitike.

Në një studim të janarit 2020 me 2.214 të rritur kinezë të moshës 60 vjeç e lart, pjesëmarrësit që dremitën për pesë minuta deri në dy orë pasdite, treguan shkathtësi mendore më të mirë se ata që nuk flinin.

Dremitja mund të mos sigurojë sukses në çdo aspekt të jetës suaj, por mund të përmirësojë shëndetin tuaj dhe të rifreskojë trurin tuaj.

Youtube

Arkiva

Kategoritë