Profesor doktor Safet Beqiri, ishte kirurg torakal i përmasave botërore, i cili ushtroi profesionin e tij në Gjermani, përkatësisht në Shërbimin e Kirurgjisë Torakale.
Njoftimin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur familja e Prof. Dr. Safet Beqirit.
“Të dashur familjarë, miq e dashamirë, të pikëlluar thellë Ju njoftojmë se sot ka ndërruar jetë më i dashuri ynë, Prof. Dr. Safet Beqiri. Pushoftë i qetë shpirti i Tij në Paqen e Paskajshme! Për ditën e varrimit Ju njoftojmë ndërkohë.Të pikëlluar, Familja Beqiri!”
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ngushëlluar familjen Beqiri me rastin e vdekjes së kirurgut të njohur kosovar, Safet Beqiri.
Thaçi ka thënë se vdekja e Beqirit e ka pikëlluar atë, dhe se ai ishte ekspert i rangut të lartë.
“Më pikëlloi shumë vdekja e doktor Safet Beqirit, kirurgut të njohur shqiptar që bëri emër në Evropë. Ai ishte ekspert i rangut të lartë dhe një humanist i dëshmuar. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Beqiri”, ka shkruar Thaçi në Facebook.
Në anën tjetër edhe shkrimtari Daut Demaku ka përkujtuar mikun e tij, kirurgun e njohur Prof. Dr. Safet Beqiri, i cili ka ndërruar jetë sot.
Demaku ka treguar një moment me Beqirin kur e kishte pytur se si arriti të bëhej ndër 10 kirurgët më të mirë në Gjermani, transmeton Gazeta Shneta.
“E pyeta – Po si hyre në 10-shen më të mirë të kirurgëve gjerman? M’u përgjigj me modesti: Unë asnje gram nuk jam më i mirë se kirurgët gjerman. Jam si ata. Por, Kur kam pacientin në tavolinë dhe i kalon kufinjët e mundësive të mia, i lutem ZOTIT: ZOT bëje atë që unë nuk mund ta bëjë!
Prof. Dr. Safet Beqiri, Ti na mësove sa mirë është të jesh NJERI dhe ta bësh profesionin MISION. Të gjithë atyre që të deshën TY miku im i shtrenjtë – i lus t’i pranojnë ngushtëllimet e mia. Me shumë dhimbje, Daut Demaku”, ka shkruar Demaku.