Barnat që trajtojnë HIV-in po testohen për herë të parë te njerëzit me tumore të shumta të trurit, për të cilët nuk ka një kurë aktuale.
Shkencëtarët besojnë se medikamentet e miratuara tashmë Ritonavir dhe Lopinavir mund të zvogëlojnë tumoret tek njerëzit me neurofibromatozë 2 (NF2), një gjendje gjenetike që shkakton rritjen e tumoreve përgjatë nervave.
Ndonëse zakonisht nuk është kancerogjene, NF2 mund të shkaktojë simptoma të tilla si humbje ekuilibri, humbje dëgjimi që gradualisht përkeqësohet me kalimin e kohës dhe zhurmë në vesh.
Nëse tumoret rriten brenda trurit ose palcës kurrizore ose përgjatë nervave të krahëve dhe këmbëve, njerëzit mund të pësojnë dobësi të gjymtyrëve dhe dhimbje koke të vazhdueshme.
Prova e re klinike te 12 persona, e udhëhequr nga Oliver Hanemann – professor në Qendrën e Ekselencës së Kërkimit të Tumorit të Trurit në Universitetin e Plymouth të Anglisë, bazohet në studimet laboratorike që treguan se barnat për HIV dhe AIDS mund të ngadalësojnë dhe tkurrin tumoret NF2.
Hulumtimet e mëparshme kanë treguar gjithashtu premtime në përdorimin e ilaçeve për lloje të tjera të tumorit të trurit.
Nuk ka trajtime aktuale për NF2, i cili prek rreth një në 25 000 deri në 40 000 njerëz, përveç kirurgjisë.
“Ky mund të jetë hapi i parë drejt një trajtimi sistematik për tumoret që lidhen me NF2, si për pacientët që kanë trashëguar NF2 dhe kanë zhvilluar tumore të shumta, ashtu edhe për pacientët që kanë një mutacion të vetëm NF2 dhe kanë zhvilluar një tumor”, tha Hanemann.
Gjatë provës njëvjeçare, pacientët do t’i nënshtrohen një biopsie tumorale dhe testit të gjakut përpara se të kenë 30 ditë trajtim me dy ilaçet.