Kryeministri Avdullah Hoti gjatë vizitës në SHSKUK ka falënderuar mjekët, infermierët dhe të gjithë stafin mbështetës shëndetësor për punën që po e bëjnë në luftë me pandeminë.
“Me ju falënderu për punën që po e bëni nuk është e mjaftueshme, por po ju them faleminderit vërtet për punën. Të gjitha epitetet i meritoni sigurisht gjatë kësaj periudhe. Duhet ta dini që 24 orë të gjithë po punojmë pa përjashtim, por ju kur të vini në mëngjes përballeni me rrezikun në krahasim me ne që punojmë në zyre dhe ambiente të tjera. Dëshiroj që të ju falënderoj për punën e jashtëzakonshme prej muajit mars e deri tash, dhe po duket se do të vazhdojmë edhe një kohë me këtë situatë”.
Hoti ka thënë se rënia e numrit të vdekjeve dhe rasteve të reja me COVID-19 është shumë shpresëdhënëse, por ka thënë se sistemi shëndetësor duhet të jetë i përgatitur për një valë të dytë të pandemisë në vjeshtë.
“Rënia e shifrave gjatë ditëve të fundit na ka dhënë një qetësi në familjet tona në mbrëmje kur i dëgjojmë lajmet, ose në orën 15:00 kur IKSHPK-ja tregon që ka rënë numri i rasteve të reja ose ato me fatalitet. Na ka dhënë një qetësi shpirtërore dhe për këtë ju përgëzoj për punën që keni bërë”.
“Tash po hyjmë në fazën e vjeshtës. Unë nuk kuptoj shumë nga profesioni i mjekut por gjatë konsultimeve të përditshme me drejtorin e IKSHPK-së Naser Ramadani, Ministrin e Shëndetësisë Armend Zemaj, u.d të drejtorit të SHSKUK-së dr. Valbon Krasniqin dhe të tjerë kam kuptuar plot gjëra se si duhet të përgatitemi dhe besoj që jemi në rrugë të duhur. Besoj që objekti duhet të fillojë sa më parë të bëhet gati për vjeshtë. Shpresoj që do të fillojë së shpejti vaksinimi i rregullt në vjeshtë që ta kemi një mbrojtje për të sëmurët kronikë, fëmijët dhe grupet më të rrezikuara”.
Shefi i qeverisë ka thënë se është rritur vetëdija e qytetarëve dhe është zvogëluar numri i atyre që nuk besojnë në ekzistencën e virusit, njofton Klan Kosova.
“Besoj që është arritur që të rritet vetëdija e qytetarëve për rrezikun që e kemi nga ky virus. Para dy muajsh në bazë të studimeve që bënim mbi 40 për qind të qytetarëve nuk besonin se ky virus është rrezik për jetën. Situata është krejt ndryshe tash”.
Kryeministri ka deklaruar se situata me pandeminë dhe menaxhimi i saj mund të mundësojë reformimin e thellë të sistemit shëndetësor.
“Ndoshta situata ku po përballemi me pandeminë që të hyjmë në plane afatgjata të reformimit apo ristrukturimit të institucioneve shëndetësore në nivel vendi edhe sa i përket kapaciteteve fizike, numrit të shtretërve, respiratorëve, mjekëve nëpër fusha të ndryshme që të kemi mjaftueshëm në dispozicion në situatat që paraqiten. Një ristrukturim që nuk ka ndodhur në 30 vjetët e fundit dhe kjo është mundësia e shtetit dhe e juaja që ta riorganizojmë komplet sistemin shëndetësor”.
“Në kuadër të një plani të investimeve e kemi futur edhe pjesën e shëndetësisë. Kemi marrë inpute nga Ministria e Shëndetësisë për të krijuar një hapësirë në buxhet në kredi shtetërore që marrim ose donacione të ndryshme që të krijojmë kapacitetet shëndetësore afatgjate, jo vetëm fizike, por edhe ato të personalit dhe pajisjeve mbështetëse”.
Ai nuk ka përjashtuar mundësinë që masat të vazhdojnë të jenë të njëjta ose të ashpërsohen duke ripërsëritur se jeta e qytetarit mbetet prioritet.
“Unë lutem që kontrolli mbi pandeminë të vazhdojë edhe më tutje dhe të shtrëngojmë ndoshta masat që të përgatitemi për vjeshtë. E di që ministri ka presione të ndryshme nga gripe të ndryshme të ekonomisë dhe shoqërisë – federatat e sportit, arsimit, bizneset dhe të tjera – por, për mua është e rëndësishme që të balancojmë të gjitha çështjet, por duke vendosur në rend të parë jetën e qytetarëve. Kemi korrur rezultate të jashtëzakonshme, prandaj t’i mbajmë ato”.
Kryeministri ka siguruar mjekët dhe infermierët, si dhe gjithë stafin mbështetës, se shtesa për punën në kohë pandemie do të vazhdojë.
“Do të kujdesemi që deri në kohën kur bëhet Ligji për Pagat të vazhdojmë në bazë të vendimit të qeverisë për një shtesë që nuk është e mjaftueshme, por tregon përkushtimin e shoqërisë dhe shtetit për punën që po bëjnë mjekët, infermierët, personeli ndihmës, shoferët e ambulantave dhe të gjithë njerëzit që janë në zinxhirin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore në këtë kohë të vështirë për të gjithë ne”./KlanKosova.